Qeveria merr vendim, Fatmir Limaj shef i ekipit negociator për bisedime me Serbinë

Aktuale

Qeveria merr vendim, Fatmir Limaj shef i ekipit negociator për bisedime me Serbinë

Më: 3 shtator 2018 Në ora: 15:38
Mbledhja e Qeverisë

(E plotësuar) - Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas mbledhjes së Qeverisë, ka thënë se ka caktuar një delegacion për dialogun me Serbinë, që pritet sipas tij, të debatohet në një mbledhje në Kuvendit të Kosovës.

Ai ka thënë se me këtë delegacion i përbërë nga Fatmir Limaj, kryesues, Enver Hoxhaj, Behgjet Pacolli, Mahir Yagcilar, Avni Arifi dhe Dardan Gashi, nuk ka për qëllim ta ndalojnë presidentin të dialogojë me Serbinë në kohën kur presidenti Thaçi ka dalë me propozim për korrigjim kufijsh.

Haradinaj: Ky delegacion nuk po ia merr punën presidentit

“Kjo është një marrje e përgjegjësisë edhe nga Qeveria në këtë rast. Nuk mendojmë se po ia marrim punën presidentit me këtë, por megjithatë qeveria duhet t’i merr përgjegjësitë, dhe kam shkuar në nivelin më të lartë të mundshëm, zëvendëskryeministrat me qenë pjesë e delegacionit... Çdo qëndrim që ka të bëjë me mbrojtje të territorit, me mos ndryshim të kufijve, është në përputhje besoj dhe në parim të çdo subjekti politik”, ka thënë Haradinaj. 

Sipas tij është e pamundur që vetëm presidenti dhe zyra e tij ta trajtojnë dialogun me Serbinë, por çdo gjë që ofrohet te presidenti, materia do t’i ofrohet edhe  delegacionit të kryesuar nga Fatmir Limaj.

Haradinaj edhe një herë përsëriti se askush  nuk e ka mandatin dhe autoritetin që të negociojë  për kufijtë dhe territorin e Kosovës.

Haradinaj: Askush nuk ka marrë mandat të bëjë shaka me territor dhe Kushtetutë

“Asnjë herë nuk jemi kundër idesë që nëse na bashkohet Presheva, kemi thënë e mirëpresim, por nuk jemi që me operua në çfarë do mënyre më territorin ekzistues dhe kufijtë ekzistues dhe me vendin tonë... Edhe ne po dëshirojmë me qenë pjesë e temës, pra mos me na ikë materia, mos me na ikë  çdo parametër i një marrëveshje potenciale. Jemi  pjesë, jemi në një tavolinë, por me këtë askush nuk ka marrë mandat që me bërë hajgare as me territor, as me kushtetutë”, ka thënë Haradinaj.

Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për pagat e sektorit publik, që sipas kryeministrit Haradinaj kostoja e tij është rreth 100 milionë euro. Ai nuk tregoi se sa i është ulur paga kryeministrit, por tha se ka zbritje.

Haradinaj: Ligji për pagat, përveç meje, nuk i ka ulur pagën askujt

“Ligji për pagat ka kaluar. Ju e dini besoj se ai ligj që është pritur që 20 vjet, pra hynë në kategorinë e ligjeve që 20 vite i ka munguar këtij vendi. Rezultat i mungesës së këtij ligji ka ndodhur veprime herë një sektor, herë një sektor, ku ligji po iu them nuk ia ulë pagën asnjë shërbyesi civil, askujt që paguhet prej buxhetit të vendit. Ka rritje, por kostoja e tij është bukur e lartë, tani e kap afro 100 milionë në vit, një pagë është ulur, por i ka takuar mua, e dini cila...E se kam përcjellë për besë në shifra me siguri që e kanë në të dhëna, por e di që e kanë përdorur një kriter për ta ulur”, u shpreh Haradinaj.

Në lidhje me këtë projektligj ka reaguar ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi , i cili tha se gradimi ose koeficienti i pagave të mësimdhënësve nuk duhet të jetë më i ulët se në sektorët tjerë, ngase mund ta degradojë sistemin arsimor.

Sipas tij, koeficienti për pagat në arsim është më i ulët se në sektorët tjerë, për çka ka abstenuar me votë.

Bytyqi: Ligji për pagat mund të jetë destimulim për mësimdhënësit

“Në krahasim me sektorët tjerë ka mbetur në nivel të ulët të koeficienteve, prandaj ne konsiderojmë që komentet që ne i kemi dërguar si ministri te Ministria e Administratës është dashur të merren parasysh, pavarësisht që ne e kuptojmë problematikat që ekziston në koston e madhe të buxhetore që mund ta ketë ky ligj, gjithsesi duke pasur parasysh që ne kërkojmë që të ketë prioritet arsimi dhe të gjemë forma të stimulimit të mësimdhënësve. Minimumi është dashur që gradimi ose koeficienti për mësimdhënës të jetë në nivelin me sektorët tjerë, dhe të mos jetë më i ulët, sepse konsiderohet se mund të jetë një destimulim për mësimdhënësit”, tha ai.

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, e ka arsyetuar këtë projektligj, ndërsa ministri i  Financave  Bedri Hamza tha se  voton pro projektligjit, por sipas tij ndikimi buxhetor nuk duhet të rrezikojë stabilitetin makrofiskal.

***************************

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka propozuar emrat e delegacionit të Kosovës që do ta udhëheqin dialogun me Serbinë.

Haradinaj ka propozuar për kryesues të dialogut zëvendëskryeministrin Fatmir Limaj, zëvendëskryesues, zëvendëskryeministrin tjetër Enver Hoxhaj, ndërsa anëtarë të delegacionit janë propozuar ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli, ministri i Administratës Publike Mahir Yagcilar, ministri i Diasporës Dardan Gashi si dhe kryesuesin e deritashëm të dialogut Avni Arifi.

Emrat e delegacionit  fillimisht i propozohen Kuvendit të Kosovës për miratim.

Kryeministri Haradianaj ka thënë se ky ekip është një delegacion për bisedime ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Haradinaj tha se me këtë po i dërgojmë njerëzit e Qeverisë  për dialog me Serbinë.

“Si Qeveri me këtë delegacion po marrim përsipër dhe përgjegjësitë tona për dialog. Kjo është një mundësi e mirë që Qeveria ta kryejë punën e vet dhe Parlamenti punën e vet”, ka thënë Haradinaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat