Hoti: Ashtu si u krijua qeveria, pozita po pret serbët

Aktuale

Hoti: Ashtu si u krijua qeveria, pozita po pret serbët

Më: 4 shtator 2018 Në ora: 16:48
Avdullah Hoti

(E plotësuar) - Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka deklaruar se ashtu siç u themelua Qeveria me votat e Listës Serbe, edhe për ekipin negociator po i presin votat nga deputetët serbë.

Hoti duke komentuar pjesëmarrjen e deputetes së LDK-së  Teuta Rugova në seancën e thirrur nga Haradinaj tha se prezenca e saj nuk është në vijë me qëndrimet e LDK-së.

Hoti: Situata është e njëjtë sikurse kur u themelua Qeveria

“Kam përshtypjen se është situata sikurse është themeluar Qeveria. Është dashur të dakordohet atëherë formati i Qeverisë me Beogradin, tash po ndodh e njëjta gjë po dakordohet rezoluta e tyre me Listën Serbe që është fatkeqe për shtetin e Kosovës....Unë mund t’iu them që deputetja Teuta Rugova e ka nënshkruar listën për seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga opozita, prezenca e saj sot në seancë sot nuk është në vijë me qëndrimet që ka Lidhja Demokratike e Kosovës, vetëm kaq mund t’iu them...Qëllimi përfundimtar i tyre përfundimtar është copëtimi i Kosovës të cilën gjë jemi të vendosur që nuk do ta lejojmë, ne si parti opozitare, si Lidhje Demokratike e Kosovës bashkë me qytetarët e veprimet tona ju ”,  tha Hoti.

Duke u shprehur i bindur që seanca e thirrur nga opozita do të mbahet Hoti tha se qëllimi përfundimtar i partive në pushtet është copëtimi i Kosovës, por që shton se një gjë të tillë nuk do e lejojnë.

Haxhiu: Të pashmangshme protestat dhe organizimet popullore për të ndalur Thaçin

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka thënë se janë të pashmangshme protestat dhe organizimet popullore për të ndalur presidentin Hashim Thaçi që të dialogojë për territorin e Kosovës me Serbinë.

Duke folur pas vendimit për shtyrje të seancës së jashtëzakonshme për të votuar ekipin qeveritar për dialogun me Serbinë, Haxhiu ka thënë se kjo shtyrje tregon se pozita po bën pazare për të dëmtuar Kosovën.

“E dimë se gjithmonë kanë bërë pazare. Kjo është qeveri e pakicës dhe duhet sa më parë të largohet. Duhet angazhim opozitar e popullor për ta larguar nga pozita. S’kemi luksin që të lejojmë të bëjnë Haradinaj e Thaçi pazare me vendin. Duke marrë parasysh skandalet e përditshme e kemi obligim ta largojmë sa më parë këtë qeveri të pakicës”, ka thënë ajo. “Siç po shkon situata, protestat dhe organizimet popullore janë të pashmangshme. Kemi parë kuvendin duke nxjerrë vendime të dëmshme andaj shpresat nuk mbesin këtu, por pashmangshëm duhet të ketë organizime”.

Haxhiu ka thënë se audioincizimi i fundit i publikuar, ku flitej se zëvendëskryeministri Fatmir Limaj u ka kërkuar ryshfet tre milionë disa investitorëve gjermanë për t’u ofruar mundësinë e investimit në Kosovë, lidhet me caktimin e tij në krye të ekipit qeveritar për dialogun.

“Që nga paslufta, figurat që kanë dalë edhe nga lufta, janë përfshirë në afera të ndryshme e më pas kanë pranuar pozicione e që edhe sot po tentojnë ta emërojnë Limajn në këtë pozitë për shkak të aferave. Jo rastësisht ishte edhe skandali i fundit për 3 milionë eurot e Limajt”, ka shtuar ajo duke deklaruar se nuk do ta pranojnë këtë ekip.

Me kërkesë të iniciuesit, seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit shkon në pauzë deri në orën 18:30.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat