Nisma e shkarkoi ministrin që krijoi ‘zonë ekonomike’ në fshatin e Limajt

Aktuale

Nisma e shkarkoi ministrin që krijoi ‘zonë ekonomike’ në fshatin e Limajt

Më: 5 shtator 2018 Në ora: 19:40
Bajram Hasani dhe Fatmir Limaj

Ministri i saposhkarkuar i Qeverisë së Kosovës, Bajram Hasani, do të mbahet mend për këtë periudhë shërbimi në Qeverinë e Kosovës për vendimet e shumta për krijimin e zonave ekonomike nëpër komuna të Kosovës.

Mirëpo, njëri nga këto vendime për të cilin Gazeta Jeta në Kosovë ka raportuar është krijimi i zonës ekonomike në fshatin e shefit të tij partiak, Fatmir Limajt.

Ministri i shkarkuar nga Nisma Socialdemokrate e kishte mundësuar krijimin e zonës ekonomike në fshatin e Limajt dhe në dy fshatra tjera.

Vendimi për ndërtimin e kësaj zone është marrë dhe tani është Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor që do të merret me shpronësimin e rreth 50 hektarëve tokë në fshatin Banjë të Malishevës prej nga vjen Fatmir Limaj, në Bellanicë dhe Senik.

Përmes një vendimi tjetër Hasani i kishte dalë në ndihmë prodhuesve vendorë të qumështit.

Ai kishte marrë vendim që të mbrojë prodhuesit vendor të qumështit, pasi ishte konstatuar se qumështi nga Bosnja dhe Hercegovina vinte në Kosovë me një çmim më të ulët, e i cili ndikonte në punën e prodhuesve vendor.

Ministria që ai e ka drejtuar kishte vlerësuar se ka bazë të mjaftueshme për të përcaktuar se rritja e importit, si dhe kushtet në të cilat kryhet ky import, kërcënojnë të shkaktojnë dëme serioze prodhuesve vendorë të produkteve të ngjashme.

Për këtë ai ishte ankuar edhe para kabinetit qeveritarë duke thënë se dogana s’po e respekton vendimin e Ministrisë.

Së fundi Ministri Hasani kishte marrë vendim që të ndalojë importin e lodrave nga Kina të cilat nuk i plotësojnë standardet ligjore për tu përdorur nga fëmijës.

Këtë vendim ia kishte dërguar doganës së Kosovës.

Gjatë mandatit të Hasanit, Kosova kishte marrë kryesimin e CEFTA-s për herë të dytë.

Hasani kishte pasur edhe një moment të sikletshëm pasi që nuk kishte ditur të lexonte anglisht dhe kishte mbetur i heshtur për një kohë gjatë mbledhjes së Komisionit për Udhëtime, organizatë që promovon turizmin nëpër vendet e Europës.

Ministri Hasani kishte qenë njëri prej disa politikanëve që kishte ofruar pagën e tij pasi që FIFA kishte vendosur t’i dënonte Xherdan Shaqirin e Granit Xhakën për festimet e tyre me shqiponjë gjatë ndeshjes me Serbinë në kampionatin botëror.

Në zgjedhjet e fundit lokale, Bajram Hasani kishte qenë kandidat i Nismës për kryetar të Komunës së Gjilanit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat