Thaçi: Nuk do të ketë republikë serbe në Kosovë e as ndarje

Aktuale

Thaçi: Nuk do të ketë republikë serbe në Kosovë e as ndarje

Më: 6 shtator 2018 Në ora: 10:10
Hashim Thaçi

(E plotësuar) - Nuk do të ketë ndarje të Kosovës, nuk do të ketë shkëmbim të territorit dhe nuk do të ketë Republikë Serbe në Kosovë.

Kështu ka deklaruar presidenti i vendit Hashim Thaçi, në konferencën e  pestë të ambasadorëve, nga ku ka potencuar se marrëveshja Kosovë-Serbi do të ketë kuptim vetëm nëse ndodh njohja reciproke ndërmjet dy vendeve.

Thaçi ka thënë se Kosova ka bërë hapa të mëdhenj në konsolidimin e shtetësisë së vet, por për të vazhduar më tutje duhet të mbyllen disa çështje të hapura, që sipas tij janë plagë që e lëndojnë dhe e ngadalësojnë konsolidimin e mëtutjeshëm.

I pari i vendit ka thënë se është krijuar një momentum i ri ndërkombëtar në favor të marrëveshjes përfundimtare, ligjërisht obliguese, për normalizim të plotë të marrëdhënieve në mes të Kosovës e Serbisë.

Presidenti ka thënë se asnjëherë nuk kanë lejuar që në Bruksel të hapet çështja e ndarjes apo e shkëmbimit të territoreve dhe as në të ardhmen nuk do të pranojmë të hapen këto çështje.

Por, sipas tij, Kosova është e gatshme që në kuadër të definimit të kufirit në mes Kosovës dhe Serbisë të bëjë korrigjimin e vijës kufitare.

Thaçi: Nuk do të ketë ndarje, nuk do të ketë shkëmbim dhe as Republikë Serbe në Kosovë

“Marrëveshja historike Kosovë-Serbi e paqes do të ketë kuptim vetëm nëse ndodh njohja reciproke, pra nëse arrihet marrëveshja duhet të ndodh njohja reciproke dhe heqja e të gjitha pengesave për anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe në të gjitha organizatat tjera ndërkombëtare. Gjithashtu, demarkimi do të ndodh i kufirit, përfshirja e Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit. Por, edhe diçka duhet të them shumë hapur, Kosova nuk ka kuptim pa Mitrovicë e Gazivodë... Nuk do të ketë ndarje, nuk do të ketë shkëmbim dhe nuk do të ketë Republikë Serbe në Kosovë. Të gjithë ata që flasin për ndarje nxisin Serbinë me fol për ndarje, të gjithë ata që flasin për shkëmbim nxisin diplomacinë serbe për të folur për shkëmbim, të gjithë ata që flasin për asociacion me kompetenca ekzekutive e nxisin Serbinë me e vështirësua jetën e dialogut në Bruksel”, tha presidenti Thaçi.

Çdo marrëveshja me shtetin serb, sipas presidentit do të bëhet në atë mënyrë që të jetë e pranueshme për ShBA-të dhe BE-në.

Thaçi: Do të nënshkruajmë marrëveshje që është e pranueshme për SHBA-të dhe BE

“Ne do të nënshkruajmë një marrëveshje me Serbinë, marrëveshje ligjërisht obligative në rrafshin ndërkombëtar, vetëm një të tillë që është e pranueshme për Uashingtonin dhe është e pranueshme për Bashkimin Evropian, pra ShBA-të dhe Bashkimin Evropian.... Mbyllja e procesit të dialogut me Serbinë do t’i hapë rrugë dhe fazë të re diplomacisë kosovare”, tha ai.

Kreu i shtetit duke iu drejtuar ambasadorëve ka thënë se kjo dekadë ka qenë dekadë e sfidave, por edhe e të arriturave të mëdha. Ai tha se shërbimi diplomatik është ndërtuar nga zeroja.

Se nuk do të ketë ndarje të Kosovës e ka thënë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili ka thënë se territori i Kosovës është i pandarë.

Kurse, zërat që flasin për ndarje të Kosovës ai i ka quajtur edhe një herë pro rus e pro serb.

Veseli: Kosova sa i përket territorit është unike, është e pandarë

“Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, Kosova është shtet demokratik, Kosova është vend perëndimor i orientuar tërësisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian. Këto janë parime të cilat janë për ne të panegociueshme dhe në të njëjtën kohë janë orientimet tona strategjike. Kosova sa i përket territorit është unike, është e pandarë. Të gjithë zërat që tentojnë të flasin për copëzim të Kosovës, ndarje të Kosovës, janë zëra të cilët janë kundër shtetit të Kosovës, janë zëra të cilët kanë burimet jashtë Kosovës, janë qarqet pro ruse, janë qarqe pro serbe”, tha Veseli.

Në anën tjetër, edhe kryeministri Ramush Haradinaj, ka përsëritur se Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje të obligueshme për të dyja vendet. Me ç’rast, bazuar në zhvillimet e fundit në vend, bojkotin e seancave, kreu i ekzekutivit shtoi se në këtë mënyrë Kosova kthehet pas.

Haradinaj: Nëse eksperimentojmë kështu, atëherë bëjmë hapa mbrapa

“Serbia, dialogu, s’ka alternativë. Ne e kemi provuar mënyrën tjetër, luftën. Prej luftës kemi dalë. Rikthimi në luftë është i pamundur. Ne duhet ta gjejmë një zgjidhje. Ne duhet ta arrijmë një marrëveshje ligjërisht obliguese me Serbinë. Kur themi ne, themi Kosova. Kosova me popullin e vet, me kushtetutën e vet, me territorin e vet, me kufijtë e vet. S’ka tjetër. Nëse ne eksperimentojmë me vetveten, atëherë bëjmë hapa mbrapa. Të jemi të vetëdijshëm për këtë, nuk do të bëjmë eksperimente me vetveten. Por jemi të hapur të arrijmë një marrëveshje me fqinjin tonë”, tha ai.

Rreth dialogut ka folur edhe nikoqiri i konferencës së ambasadorëve, ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, i cili tha se Kosova duhet të njihet nga Serbia.

Pacolli: Kosova duhet të njihet nga Serbia

“Tema kryesore, Kosova duhet të njihet nga Serbia, Kosova duhet të jetë anëtare e OKB-së, Kosovës duhet t’i lihet rrugë e lirë në anëtarësim në organizata të tjera. Ne nuk mund të ndërhyjmë në këto dy elemente, të cilat pothuajse sot janë vendosur nga sponsorët, nga miqtë e Kosovës. Këto dy elemente janë kohëzgjatja dhe temat që diskutohen. A do të jetë demarkimi i kufirit tonë me Serbinë, a do të ketë korrigjim të kufijve, sigurisht ne nuk do të përcaktojmë po ne e dimë se secili prej jush e dëshiron, secili prej jush është shprehur dhe shprehet çdo ditë se Kosova nuk ka territor t’i fal askujt. Se Kosova e ka shpallur pavarësinë në vitin 2008 me kufijtë që sot ajo i posedon dhe në çdo bisedim, në çdo dialog nuk duhet të harrohet një fakt, Kosova është shtet i pavarur. Kosova ka shpallur pavarësinë e vet në vitin 2008 dhe ky është fakti që i pikënisjes së çdo dialogu”, tha ai.

Pacolli tha se pas ngurtësisë serbe në qëndrimet diplomatike qëndron një strategji përfitimi maksimal, sidomos në tema ekonomike në dëm të Kosovës dhe ekonomisë së saj.

Konferenca e Ambasadorëve që ka filluar punimet sot, do të zgjasë deri me 8 shtator.

Thaçi: Nuk do të lejojmë republikë serbe në Kosovë e as ndarje

Në konferencën e 5 të ambasadorëve që ka nisur punimet sot, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur lidhur me dialogun me shtetin serb në Bruksel e ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Ai ka thënë se nuk do të ketë ndarje të Kosovës, as shkëmbim të territorit dhe nuk do të ketë republikë serbe në Kosovë.

"Duhet të shfrytëzojmë këtë momentum dhe të zgjidhim problemet, paqja në mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk do të jetë fare e lehtë, por është zgjidhja e vetme për të ecur përpara. Nuk do të ketë ndarje, nuk do të ketë shkëmbim dhe nuk do të lejojmë që të ketë republikë serbe në Kosovë", tha ai.

Presidenti ka thënë se çdo marrëveshje finale me Serbinë do të jetë në atë mënyrë që është e pranueshme për SHBA dhe Brukselin.

"Marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi nuk do të ndryshojë. Çdo hap i joni do të jetë i bashkërenduar me Brukselin dhe SHBA. Ne do të nënshkruajmë një marrëveshje me Serbinë vetëm nëse është e pranueshme për SHBA dhe Brukselin. Mbyllja e procesit të dialogut do t’i hap një rrugë të re diplomacisë së Kosovës", tha ai.

Për më tepër kreu i vendit theksoi se Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në konsolidimin e saj, por për të vazhduar tutje duhet të mbyllen disa plagë.

“Në samitin e Londrës u bë e ditur se vendet e Ballkanit Perëndimor do të hyjnë në BE vetëm kur t’i zgjedhin problemet që i kanë mes vete. Ky ishte mesazh i qartë për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që duhet të zgjidhin problemet e tyre. Dëshirojmë të ndërtojmë marrëdhënie të mira edhe me Serbinë", tha ai.

Ai tha se marrëveshja me Serbinë ka kuptim vetëm nëse në fund Kosova njihet nga Serbia.

"Nuk ka qenë e lehtë demarkimi i kufirit me Malin e Zi, as me Maqedoninë. Është momenti të hapet tema e bashkëngjitjes së Preshevës, Medvegjen dhe Bujanocit me Kosovën. Si president e kam pranuar kërkesën e liderëve të Luginës dhe këtë kërkesë e kam pranuar që ta parashtrojë në bisedimet në Bruksel. Në fund të këtij procesi e shohim Kosovën si shtet të njohur nga Serbia, po e theksoj që marrëveshja me shtetin serb që është shumë e vështirë ka kuptim vetëm nëse Kosova njihet nga Serbia dhe anëtarësohet", tha ai.

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka folur rreth fazës finale të dialogut me shtetin serb, ku ai ka thënë se Serbia duhet ta njohë Kosovën.

"Sfida kryesore e Kosovës tash është marrëveshja me fqinjin tonë, marrëveshjet që i kemi arritur deri tani janë bërë nga bisedimet. Por tash kur do të përfundojë, kjo marrëveshje kryesore që pritet të bëhet vetëm me bisedime, ky dialog do të jetë i kufizuar me tema dhe mandate. Tema kryesore Kosova duhet të njihet nga Serbia. Kosova duhet të anëtarësohet në BE. A do të jetë demarkimi i kufirit, a do të ketë korrigjim. Por diçka që e dimë është se Kosova nuk ka territor t’ falë askujt, Kosova ka shpallur pavarësinë me këta kufij që i ka. Në çdo dialog nuk duhet të harrohet se Kosova është shtet", ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat