“Megafoni i Qeverisë, Baton Haxhiu zbulon planin e Thaçit për ndarjen e Kosovës”

Aktuale

“Megafoni i Qeverisë, Baton Haxhiu zbulon planin e Thaçit për ndarjen e Kosovës”

Nga: N.Sh Më: 6 shtator 2018 Në ora: 14:28
Baton Haxhiu

Kryetari i Republikanëve të Kosovës, Faton Kurti, e quan megafon të Qeverisë, Baton Haxhiun.

Kurti thotë se, Haxhiu e ka zbuluar planin e Thaçit për ndajrën e Kosovës, i cili përmes TV-së së tij, ka treguar se cilat shtete e përkrahin e ndarjen dhe cilat janë kundër, shkruan gazeta “Bota sot”.

“Me harta, statistika të detajuara gazetari megafon na vuri para syve kandarin e peshës mes shqiptarëve në Preshevë dhe Bujanoc dhe rrallimit të tyre në Mitrovicën veriore duke na vënë para një zgjedhje etnike anipse qëllimi fundor i kësaj marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë është familja e madhe europiane ku etnia nuk luan aspak rol”, shkruan Kurti në Facebook.

Ai tutje shprehet se, programi i Haxhiut është nën petkun mbrojtës së projektit serb për ndajren e Kosovës.

Ja shkrimi i plotë:

MEGAFONI I QEVERISË, BATON HAXHIU ZBULON PLANIN E THAÇIT PËR NDARJEN E KOSOVËS!

Nëse deri më tani presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka refuzuar të japë detaje mbi platformën se si do të ndodhë "korrigjimi i kufijve" sot zëdhënësi apo arkitekti i tij mediatik Baton Haxhiu ka zhveshur maskën pas së cilës fshihet "djalli". Në një parakalim editorial të një cilësie gjithsesi diletante Haxhiu ka bërë apologjinë e idesë së korrigjimit të kufijve që nuk ish gjë tjetër përpos shkëmbim territori - marrim Preshevën dhe japim Mitrovicën e Veriut.

Me harta, statistika të detajuara gazetari megafon na vuri para syve kandarin e peshës mes shqiptarëve në Preshevë dhe Bujanoc dhe rrallimit të tyre në Mitrovicën veriore duke na vënë para një zgjedhje etnike anipse qëllimi fundor i kësaj marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë është familja e madhe europiane ku etnia nuk luan aspak rol.

Por ndërsa Haxhiu kishte numëruar edhe shqiptarin e fundit në Medvegjë, sepse të dhënat i përkisnin vitit 2002, ai kishte harruar enkas se kryefjala e projektit serb është Trepça dhe Ujmani.

Manipulimi i opinionit publik nuk ndalej këtu por ai na shet idenë se edhe Fuqitë e mëdha botërore e mbështesin idenë Thaçi-Vuçiç, ndërtuar si pro dhe kundra. Një manipulim i hapur me deklarata shtetesh apo këshilltarësh të cilat nuk janë shprehur asnjëherë hapur në favor të shkëmbimit të territorit.

Fraza të nxjerra nga konteksti nga deklarime në princip të cilat merren dhe i vishen si mburojë ideve – ëndrra të kalorësve të mullinjve të erës Vuçiç-Thaçi.

Në monitor Haxhiu na jep të renditura se SHBA, Francë, Itali, Spanja, Çekia, Sllovakia, Rumania, Rusia dhe Kina kinse janë shprehur në favor të ndryshimit të kufijve renditje e cila është tërësisht e pavërtetë.

SHBA nuk deklaron në asnjë rresht zyrtar, asnjë qëndrim në nivele të larta se është pro ndryshimit të kufijve në Ballkan, por deklarata e Bolton i referohet nevojës për arritjen e një marrëveshje mes serbëve dhe shqiptarëve për të vendosur paqe në rajon pa cekur detajisht ndërrimin e kufijve.

Ndërsa Franca jo më larg se sot ka një lajm për një qëndrim edhe me te fuqishem se Gjermania kundra ndryshimit të kufijve nga vetë Presidenti francez Emanuel Macron i cili shprehet se: "Parisi zyrtar ka frikë se çdo ‘rishikim’ mund të shkaktojë një reaksion zinxhir në rajon".

Programi i sotëm i shërbëtorit mediatik Baton Haxhiu nën petkun e mbrojtjes së projektit serb për ndarjen e Kosovës na zbuloi pa dashje se të gjitha deklaratat me dorë në zemër të Thaçit dhe të tjerëve se nuk do të lejojnë ndarjen e Kosovës janë vecse demagogji.

Republikanët e Kosovës ju ftojnë të mos bini pre e dezinformimit, manipulimit mediatik dhe institucional por të lexoni mirë mes rreshtave dhe veprimeve sepse ajo cka po përgatitet për Kosovën nuk premton për mirë. Sigurisht aleatët tanë ndërkombëtarë nuk do të na lënë në baltë por në çdo moment ne shqiptarët e Kosovës duhet të ndërgjegjësohemi për fatet e vendit tonë dhe ti marrim vetë ato në dorë kur e ardhmja kompromentohet nga politikanë dhe individë që i shiten ofruesit më të parë.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat