MSA jep mundësi për pjesëmarrjen e Kosovës në operacione paqeruajtëse

Aktuale

MSA jep mundësi për pjesëmarrjen e Kosovës në operacione paqeruajtëse

Më: 6 shtator 2018 Në ora: 14:58
Konferenca për media

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka publikuar sot raportin me titull: “Pjesëmarrja e Kosovës në misionet paqeruajtëse: Një mjet efektiv për politikën e jashtme”, i cili shqyrton mundësitë e ofruara nga MSA-ja si një rrugë potenciale për pjesëmarrjen e Kosovës në operacionet dhe misionet paqeruajtëse të BE-së.

Sipas QKSS-së,  izolimi aktual i Kosovës dhe mungesa e rrugës së qartë për anëtarësimin e vendit në organizatat dhe mekanizmat kyçe rajonale dhe ndërkombëtare të sigurisë, siç janë Kombet e Bashkuara, NATO, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë dhe Bashkimi Evropian, jo vetëm që e kanë penguar vendin për t’u bërë pjesë e infrastrukturës globale të sigurisë, por kanë ulur edhe shanset e Kosovës për të marrë pjesë dhe për të kontribuar në misionet e ndryshme paqeruajtëse në mbarë botën.

“Edhe në ato raste kur këto perspektiva duken të mundshme, potenciali i Kosovës për të marrë pjesë në mekanizmat e sigurisë të BE-së nëpërmjet Politikës së Përbashkët të Mbrojtjes dhe Sigurisë së BE-së, siç është paraparë me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, është tkurrur më tej nga refuzimi i pavarësisë së Kosovës nga pesë vendet anëtare të BE-së”, thuhet në njoftimin e QKSS-së.

Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA), sipas kësaj organizate, në veçanti kapitulli për Dialogun Politik, i ofron Kosovës një momentum që të fillojë dialogun politik për pjesëmarrjen në operacionet dhe misionet paqeruajtëse.

“Mungesa e konsensusit në BE lidhur me pavarësinë e Kosovës së bashku me faktin se pesë shtete anëtare të BE-së nuk e njohin Kosovën e bëjnë të pamundur që BE-ja të insistojnë në pjesëmarrjen e Kosovës në misionet paqeruajtëse. Prandaj, kjo kërkon një qëndrim më të fuqishëm nga Ministria e Punëve të Jashtme në shtyrjen e një dialogu të politikës në lidhje me këtë çështje”, thuhet tutje në njoftimin për media.

Aty ndër të tjerash thuhet se MSA-ja i mundëson Kosovës të nis dialogun e politikave për siguri dhe mbrojtje përmes Komitetit të Stabilizim Asociimit. Si përgjigje, qeveria e Kosovës duhet të hartojë dokumente për të lidhur politikën e jashtme të Kosovës me të BE-së, veçanërisht për sa i përket operacioneve dhe misioneve paqeruajtëse.

“Ligjet e Kosovës inkurajojnë pjesëmarrjen e vendit në operacione dhe misione paqeruajtëse. Megjithatë, në përputhje me infrastrukturën aktuale të sigurisë të Kosovës, korniza ligjore rregullon pjesëmarrjen e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK)në misione paqeruajtëse, por ligjet nuk adresojnë dërgimin e kapaciteteve civile në operacione të tilla. Për shkak të rritjes së rëndësisë së misioneve civile të BE-së, duhet të hartohet korniza legjislative që rregullon dërgimin në misionet civile. Paralelisht me kornizën ligjore, FSK-ja duhet të vazhdojë trajnimin e saj themelor për operacionet e kërkimit dhe shpëtimit, kontrollin dhe pastrimin e materialeve të rrezikshme, asgjësimin e armëve dhe eksplozivëve, zjarrfikës dhe detyra të tjera humanitare dhe paqeruajtëse, në mënyrë që të jetë e përgatitur për të shërbyer në operacione dhe misione të tilla”, thekson QKSS.

Institucionet e Kosovës duhet të theksojnë natyrën teknike të pjesëmarrjes së Kosovës në misionet e Politikës së Përbashkët për Siguri dhe Mbrojtje (PPSM) si mënyrë e tejkalimit të ndarjeve e brendshme të BE-së lidhur me pavarësinë e Kosovës, ashtu siç bëri BE-ja gjatë sjelljes së misionit të PPSM-së, EULEX, në Kosovë.

Duke marrë për bazë këto, raporti i QKSS rekomandon që:

Ministria e Punëve të Jashtme duhet të përdorë mbledhjet e Këshillit të Stabilizim Asocimit si një mjet kyç për të nisur dhe ndjekur me vendosmëri dialogun e politikave për Pjesëmarrjen e Kosovës në Misionet Paqeruajtëse, siç parashihet nga neni14 i MSA-së;

Qeveria duhet të miratojë një Strategji Kombëtare për Pjesëmarrjen e Kosovës në Misionet dhe Operacionet Paqeruajtëse Ndërkombëtare si një mënyrë për të paraqitur perspektivën evropiane të Kosovës dhe për të rritur konvergjencën me masat e PPSM-së, siç parashihet nga neni 11 i MSA-së. Kjo strategji duhet të përmbajë argumente të përgjithshme politike për pjesëmarrjen e Kosovës në operacionet dhe misionet paqeruajtëse, duke theksuar se Kosova merr pjesë në këto misione në përputhje me vlerat dhe interesat e përbashkëta me BE-në;

BE-ja duhet të konsiderojë përfshirjen e Kosovës në misionet e saja paqeruajtëse, fillimisht përmes një pranie simbolike, duke e parë vetëm përmes këndvështrimit teknik dhe jo politik;

Qeveria duhet të hartojë një ligj që do të rregullonte dërgimin e rekrutëve në misionet civile të BE-së. Një ligj i tillë do të shmangte çdo paqartësi ligjore që do të shërbente si justifikim për të parandaluar pjesëmarrjen civile të Kosovës në misionet paqeruajtëse.

Forca e Sigurisë së Kosovës duhet të vazhdojë trajnimet e saj në misionet dhe operacionet paqeruajtëse, me qëllim që të reflektojë përgatitjen dhe gatishmërinë për të marrë pjesë në misione të tilla, pavarësisht nga statusi i saj i përkohshëm. Kësisoj, BE-ja nuk do të ishte në gjendje ta përdorte mungesën e përgatitjes së FSK-së si justifikim për mospjesëmarrjen e saj në misionet paqeruajtëse të BE-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat