Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se sot është takuar me përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Presidenti Thaçi në një intervistë me Blendi Fefziu për emisionin Opinion, duke folur për idenë e tij për korrigjim të kufijve, ka deklaruar se sot është takuar me përfaqësuesit e LDK-së, ndërsa sipas tij ideja e tij ka marrë mbështetje edhe nga Akademia e Shkencave të Kosovës.
Ai ka sulmuar ata që janë për mbrojtjen e kufijve të tanishëm dhe kundër bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën, për të cilët kufij thotë se u përcaktuan nga Tito dhe Rankoviqi, për t’ia ndryshuar strukturën etnike Kosovës.
“Ku do që jenë shqiptarët në krejt hapësirat e Ballkanit, nuk janë kufij të vullnetit të shqiptarëve. Shqipëria aktuale nuk janë të vullnetit të shqiptarëve. Kufijtë e Kosovë nuk janë të vullnetit të shqiptarëve. 1956-1959, Tito dhe Rankoviqi për me ndryshuar strukturën e shqiptarëve për me ia ndryshuar strukturën etnike Kosovës, ia kanë bashku Zveçanin, Leposaviçin dhe Leshakun Kosovës”, tha ai.
Ai ishte i rezervuar për atë se çka do të bisedohet nesër në Bruksel, por ka thënë se aty do të shpaloset edhe çështja e të pagjeturve.