Kurti kthehet te Kushtetuta e Kaçanikut për të parë se si e trajtonte ajo territorin e Kosovës

Aktuale

Kurti kthehet te Kushtetuta e Kaçanikut për të parë se si e trajtonte ajo territorin e Kosovës

Nga: N.H Më: 7 shtator 2018 Në ora: 09:03
Albin Kurti

Lideri i Levizjës Vetëvendosje, Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook, ka kujtuar Kushtetutën e Kaçanikut, në 28-vjetorin e saj, duke treguar si e ka trajtuar ajo çështjen e kufijve të Kosovës, që së fundmi ka nxitur debat pas deklaratave të presidentit Hashim Thaçi se me Serbinë do të negociojë korrigjimin e kufijve.

Kurti ka thënë se shumë specialistë të së drejtës kushtetuese vlerësojnë se ajo kushtetutë ishte më e përparuar se Kushtetuta aktuale e Kosovës.

Ja postimi i plotë i Albin Kurtit: 

Para 28 vitesh, më 7 shtator 1990, u shpall Kushtetuta e Kaçanikut. Ishte kjo Kushtetuta e Republikës së Parë të Kosovës, e Republikës së 2 Korrikut, e republikës-për-rezistencë. Shumë specialistë të së drejtës kushtetuese edhe sot thonë se ajo kushtetutë ishte më e përparuar se kjo që kemi, në shumë aspekte, duke garantuar të drejtat kombëtare, ato të pakicave e ato individuale, të drejtat pronësore dhe mirëqenien shoqërore.

Ja përshembull se si e trajtonte çështjen e kufijve të Kosovës Kushtetuta e Kaçanikut në Nenin 8:

“Territori i Republikës së Kosovës është unik, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm. Kufijtë e Republikës mund të ndryshohen vetëm në bazë të vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me vullnetin e shprehur të popullit me të cilin ka të bëjë ndryshimi.”

Asokohe, në kushte pushtimi e okupimi, shqiptarët nuk e ulën kokën dhe nuk e pranuan ndarjen e Kosovës. Ata kërkonin që vetëm Kuvendi dhe populli i Kosovës të merrte vendime sovrane. Ndërsa sot, në kushte lirie e pavarësie, e kemi një klikë pushtetarësh, me në krye Thaçin, Veselin e Haradinajn, që nuk e pyesin as popullin e as Kuvendin. Ata nuk e shpërfillin popullin vetëm kur e shfrytëzojnë, ndërsa Kuvendin nuk e bojkotojnë vetëm kur e manipulojnë.

Sot, në përvjetorin e Kushtetutës së Kaçanikut, teksa përkujtojmë me respekt ata që e shkruan atë nën drejtimin e Prof. Dr. Gazmend Zajmit, le të kujtojmë po ashtu se populli ynë lirinë e ka kërkuar si republikë, e jo si monarki, ku vendimet i merr një diktator a tiran.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat