Mësimdhënësit paralajmërojnë grevë, kërkojnë korrigjimin e Ligjit për Paga

Aktuale

Mësimdhënësit paralajmërojnë grevë, kërkojnë korrigjimin e Ligjit për Paga

Më: 8 shtator 2018 Në ora: 11:40
Marshi nis nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri te ndërtesa e Qeverisë.

(E plotësuar) - Mësimdhënësit protestuan kundër Ligjit për Pagat. Ata kërkojnë nga Qeveria të tërheq ligjin që u aprovua ditë më parë.

Kështu, anëtarët e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës në Kosovë, në emër të 27 mijë punëtorëve të arsimit dhe kulturës, kanë mbajtur të shtunën protestën dhe kanë kërkuar nga kryeministri korrigjimin e këtij ligji.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj tha se kjo protestë është vetëm fillimi se do të vazhdojnë me veprime tjera sindikale.

Jasharaj tregoi se kanë zgjedhur ditën e shtunë për të mbajtur protestën në mënyrë që të mos e pengojnë procesin arsimor. Ai tha se nëse nuk përmbushen kërkesat e tyre, ata do të vazhdojnë me grevë.

Rrahman Jasharaj: Nëse nuk përmbushen kërkesat, do të mbajmë grevë

“Kjo protestë është alarm i fundit drejtuar qeverisë që ta kuptojë se situata është serioze dhe të veprojë menjëherë duke e tërhequr projektligjin e pagave, për ta kthyer në Ministrinë e Administratës Publike, për ta korrigjuar, në mënyrë që sektori i arsimit dhe i kulturës të kenë vend meritor. Në të kundërtën, SBASHK-u, duke dëgjuar zërin e punëtorëve të arsimit e të kulturës, do të vazhdojë me veprime sindikale, të cilat do të jenë edhe ma radikale, e duke mos përjashtuar as grevën e përgjithshme”, ka thënë Jasharaj.

Protestën e ka përkrahur edhe profesori Atdhe Hykolli nga Fakulteti i Edukimit, i cili lexoi para të pranishmëve Letrën Mbështetëse të Komitetit të Unionit të Sindikatave Evropiane të Arsimit. Ai tha, se ky komitet i sindikatave të arsimit në 51 shtete të botës, po e mbështet grevën paralajmëruese të SBASHK-ut.

Atdhe Hykolli: ETUCE mbështet SBASHK-un

“Me këtë letër, ETUCE, që përfaqëson 132 sindikata të arsimit në të gjitha nivelet e arsimit në 51 shtete, shpreh mbështetjen ndaj jush në grevën paralajmëruese për të kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të negociojë me SBASHK-un, lidhur me radhitjen e personelit të arsimit në Projektligjin për Pagat në sektorin publik”, ka thënë Hykolli.

Ndërsa kryetari i BSPK-së, Avni Ajdini, tha se qeveria e ka harruar kontributin e anëtarëve të SBASHK-ut, gjatë periudhës së arsimit paralel në vitet ‘90 dhe ka kërkuar nga kryeministri që të marrë hapa konkretë.

Avni Ajdini: Kryeministri të marrë hapa konrketë

“Arsimi është për vendin tonë vetëm një rreze drite e diellit, kështu që nuk ka jetë pa arsim, pa arsim nuk ka progres. Kërkoj nga kryeministri që menjëherë të marrë hapa konkretë e jo vetëm fjalë boshe, jo vetëm premtime”, ka thënë Ajdini.

Nënkryetarja e SBASHK-ut, Vjollca Shala tha se dy kërkesat kryesore të SBASHK-ut janë ngritja e koeficientëve të paraparë në Projektligjin e pagave për punonjësit e arsimit dhe kulturës për 30 për qind dhe zbatimi në tërësi i Kontratave Kolektive për Arsimin e Kosovës.  

Vjolla Shala: Kryeministri ta tërheqë Projektligjin për Paga

“I drejtohemi edhe njëherë publikisht kryeministrit Haradinaj dhe qeverisë që ta tërheqë Projektligjin e Pagave për korrigjim në mënyrë që koeficientët të jenë adekuatë e që mundësojnë pozitë meritore të arsimit e kulturës në këtë ligj”, ka thënë Shala.

Kryetari Jasharaj u bëri thirrje të pranishmëve që të qëndrojnë së bashku edhe në protestat tjera deri sa të plotësohen kërkesat e tyre, dhe protesta u mbyll nën thirrjet “Sbashku”.

SBASHK kërkon korrigjimin e Ligjit për Paga

Sindikata e Bashkuara e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka mbajtur sot protestë me kërkesë korrigjimin e Ligjit për Paga.

Me parullat "Duam vend meritor në ligjin e pagave", "Kryeministër dhe ju ministra mendoni për ne", "Ju nuk do të ishit pa ne", "Deputetë mos lejoni të mbyllen shkollat", marshi protestues ka filluar nga sheshi "Zahir Pajaziti" dhe ka vazhduar deri te ndërtesa e Qeverisë së Kosovës, ku protestuesit kanë adresuar kërkesat e tyre.

Protesta e mësimdhënësve

Sindikata e Bashkuara e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës po mban protestë me kërkesë korrigjimin e Ligjit për Paga.

Punëtorët e sistemit arsimor do të shprehin pakënaqësitë e tyre lidhur me radhitjen tepër të ulët dhe jo meritore në ranglisten e Ligjit për paga.

Marshi nis nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri te ndërtesa e Qeverisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat