Xhiro nga bashkëpunëtori i Sheshelit nën heshtjen e frikacakëve

Aktuale

Xhiro nga bashkëpunëtori i Sheshelit nën heshtjen e frikacakëve

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 8 shtator 2018 Në ora: 19:52
Aleksandar Vuçiq në Gazivodë

Sot presidenti i Serbisë shkeli tokën e shqiptarëve, tokën e lagur me gjak nga shumë dëshmorë që luftuan pikërisht kundër shtetit kriminal të tij, që ende nuk ka kërkuar as falje për krimin dhe gjenocidin e ushtruar në Kosovë.

Në anën tjetër krerët e Qeverisë së Kosovës, janë strukur dhe të heshtur e përcjellin vizitën e kriminelit Vuçiq, duke u shëtitur në tokat e Kosovës.

Ku mbeti trimëria e Haradinajt për të cilën flet shpesh? Ai me një deklaratë u mundua ta zbus sadopak këtë marrëzi që sot po e përjeton Kosova, duke thënë se Kosova është mikëpritëse. Si të jetë mikëpritëse ndaj një presidenti që udhëheq armikun më të madh të Kosovës ndër vite.

E presidenti Thaçi nuk e komentoi aspak vizitën e Vuçiqit, vetëm sa doli me një deklaratë ku tha se në bisedimet në Bruksel, do ta trajtojë çështjen e demarkimit të kufirit me Serbinë.

E turpshme ishte edhe vendosja e qindra flamujve serb afër liqenit të Ujmanit, duke i uruar mirëseardhje kreut të Serbisë, nga vetë serbët e Mitrovicës.

Ky mosreagim i qeverisë për ata flamuj, vetëm sa e shton turpin e tyre dhe vë në pah frikën e tyre të brendshme. Ishin po këta qeveritar, sidomos kryeministri Haradinaj i cili urdhëroi që me dhunë të largohet flamuri kuq e zi i të gjithë shqiptarëve, nga një ndër rrethet e Prishtinës. Përdhosja e atij flamuri tregoi se këta pushtetarë nuk e duan Kosovën.

Tani simbolet e shtetit serb valëviten në tokën shqiptare, pa u penguar nga askush.

Ndërsa sot zyrtarisht Vuçiqi e demantoi Thaçin rreth korrigjimit apo shkëmbimit të territoreve. Kjo pasi Thaçi gjithmonë deklaron se asnjë pjesë e Kosovës nuk do t’i jepet Serbisë, ndërsa Vuçiqi iu premtonte serbëve atje se do të ketë investime nga Serbia për atë pjesë. Gjithashtu vizita në liqenin e Ujmanit në Gazivodë, nuk ka se të jetë tjetër përveç një sqarim indirekt për serbët e Mitrovicës, se në Bruksel do të diskutohet që ai liqen të jetë nën vijat e hartës serbe.

Në ditën kur midis Ballkanit, Kancelarja Merkel thotë edhe njëherë që nuk ka korrigjim të kufijve në Ballkan, e Vuçiqi duke shëtitë nëpër Kosovë sikur në pronë të vetën , thotë që “nuk guxon” prej Merkelit të thotë që ajo pjesë e Kosovës është Serbi, ndërsa Thaçi e përsëritë qëndrimin e tij për “korrigjim të kufirit”, ndarje, shkëmbim të territoreve.

E vetmja mënyrë për të ndalur këtë poshtërim që po iu bëhet qytetarëve të Kosovës çdo ditë e më tepër, janë protestat për t’i larguar “trimat” fallco nga pushteti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat