Bekim Jashari ia lë historisë t'i ndëshkojë zyrtarët që ia dhanë lejen Vuçiqit - Bota Sot
Bekim Jashari ia lë historisë t'i ndëshkojë zyrtarët që ia dhanë lejen Vuçiqit

Aktuale

Bekim Jashari ia lë historisë t'i ndëshkojë zyrtarët që ia dhanë lejen Vuçiqit

Më: 9 shtator 2018 Në ora: 12:51
Bekim Jashari

Bekim Jashari, nip i Adem Jasharit njëherësh Kryetar i Skenderajt, ia ka lënë historisë t’i dënojë zyrtarët e shtetit të Kosovës që ia dhanë lejen Aleksander Vuçiqit të shkojë në Banjë. Ai ka hezituar t’ua kërkojë dorëheqjen. S’ka marrë guxim as të komentojë deklaratën e Presidentit, duke thënë se s’e ka ‘dëgjuar’ reagimin e shkruar të Thaçit.

Jashari, gjatë ditës së sotme rreth 4 orë qëndroi në rrugë bashkë me qytetarët e Drenicës e bashkë-luftëtarë të UÇK’së, duke ia pamundësuar kështu presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiqit, hyrjen në Banjë të Skenderajt, fshat ky i banuar me serb. Por, Jashari, nuk dëshiron që të komentojë për liderët vendorë të cilët i dhanë leje Vucicit që të hyjë në Kosovë. Thotë se ata do t’i ndëshkojë historia.

Kreu i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, në një deklaratë, thotë se asnjëri nga zyrtarët shtetërorë nga Kosova nuk ka kërkuar leje nga ai rreth vizitës së Vuçiqit në Drenicë. 

“Neve askush nuk na ka pyet asgjë. Për vizitën e Vucicit në Drenicë na e kemi marrë vesh përmes mediave. Qytetarët janë organizuar me shoqatat e dala nga lufta që të dalin në protestë. Ata janë ende nëpër rrugë”, ka thënë Jashari.

Pyetur nëse liderët shtetërorë duhet ta marrin përgjegjësinë rreth vizitës së Vuçiqit në Banjë të Drenicës, Jashari ka deklaruar shkurt se të njëjtit do t’i gjykojë historia duke i cilësuar si të ngutshme veprimet e palës së Kosovës.

“Mendoj që ka qenë veprim i ngutshëm, kushdo qoftë që e ka marrë iniciativën që ta lejojë Vuçiqin të hyjë në Drenicë. Por sidoqoftë le të mbetet ta ndëshkojë historia, kushdo që e ka dhënë lejen”, ka thënë Jashari.

Ai tha se nuk i ka lexuar deklaratat e Thaçit drejtuar protestuesve. Por zotohet se Vuçiq nuk do të hyjë asnjëherë në Drenicë pa kërkuar falje në emër të Serbisë për krimet e bëra.

“Unë nuk kam pas kohë që të merrem me deklaratat e Thaçit, nuk i kam pa. Pa i dëgjua me veshët e mi e pa i pa nuk kam ndonjë deklaratë. Vuçiqi e patë mundësinë që të kërkojë familje, që të tregojë se është ndryshe nga qeveritë e kaluara. Jo që të na i shërojë plagët e të na i kthejë më të dashurit tonë, por mundi që ta thyejë tabunë.  Qytetarët e Drenicës i tregun edhe njëherë që nuk kalohet në Drenicë pa kërkuar falje”, thotë tutje Bekim Jashari.

Ai deklaron se nëse Vuçiq tenton prapë të futet në Drenicë, ai do ta marrë përgjigjen e njëjtë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat