Premtuan ndryshe, u doli ndryshe: Deklaratat e liderëve të shtetit për vizitën e Vuçiqit - Bota Sot
Premtuan ndryshe, u doli ndryshe: Deklaratat e liderëve të shtetit për vizitën e Vuçiqit

Aktuale

Premtuan ndryshe, u doli ndryshe: Deklaratat e liderëve të shtetit për vizitën e Vuçiqit

Më: 9 shtator 2018 Në ora: 17:27
Ne pritje te Vuciqit

Dolën dhe thanë se presidentit të Serbisë nuk do t’i lejohet vizita në liqenin e Ujmanit.

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ka thënë një ditë para takimit të delegacioneve në Bruksel se nëse Vuçiq vjen në Ujman “do ta gjejë si ai tjetri”  duke aluduar në arrestimin e Marko Gjuriqit nga ana e Policisë në mars të këtij viti.

Por Vuçiq erdhi në Kosovë dhe dha deklarata bombastike pikërisht nga liqeni i Ujmanit.

Veseli: Në Gazivodë nuk ka çfarë kërkon

“Nëse e vendosim për mos me ardh, Vuqiçi nuk do të futet në Kosovë. Ajo çka po mendojmë është për situatën e bashkëqytetarëve tanë të cilën po e bëjmë; me pozicionin e shtetit tonë të pavarur se sovran; me liberalizimin e vizave; me partnerët tanë ndërkombëtar! Përndryshe mos të ishte kjo situatë, këmba nuk do i shkelte në Kosovë. Le ta provon pa leje, e din edhe ai tjetri (Marko Gjuriq)”, ka thënë kryetari i Kuvendit të mërkurën.

Sikurse Veseli edhe ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli tha se Vuçiqit nuk i është dhënë leja për ta vizituar liqenin e Ujmanit.

Pacolli: Nuk ka qenë në plan që Vuçiq ta vizitoj Ujmanin

 “Ne kemi dërguar mesazhe presidentit të Serbisë se ai është i mirëseardhur në Kosovë, çdoherë kur të dojë mundet me ardhur në Kosovë, Kosova është e hapur, vend demokratik, ne jemi nikoqir të mirë dhe ai, është përgatitur dhe pritja për zotëri Vuçiq, por pritja vizita në Ujman pak na u ka dukur si e pakuptimit...Nuk dua të paragjykoj asgjë por nuk e shoh asnjë arsye që duhet të vizitohet në këtë fazë kur jemi në fazën e dialogut duhet të vizitohet Ujmani, nuk di çfarë arsye ka kur e dimë se nuk ka asn jë qendër urbanistike atje”, ka thënë Pacolli gjatë një deklarate në Bruksel.

Këto deklarata e kanë ndihmuar presidentin  Vuçiq që ta luaj rolin e viktimës para shefes së  BE-së, Federica Mogherini.

Për këtë ai është ankuar te kjo e fundit.

 Situata ndryshoi në mbrëmje. Autoritetet në Prishtinë u zbrapsën dhe lejuan që Vuçiq të shkojë në Ujman.

Por Vuçiqit nuk  i eci mirë dita e dytë në Kosovë. Ai kishte planifikuar ta vizitonte fshatin Bajë të Skenderaj, por shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, së bashku me protestues tjerë bllokuan rrugët që të shkojnë në këtë fshat.

Pas këtyre zhvillimeve kryeministri  Ramush Haradinaj ka tërhequr lejen që MPJ i kishte dhënë atij për të shkuar në zonën e Drenicës.

Vuçiq nuk respektoi këtë vendim, u nis për atje por nuk u lejua nga Policia.

Ai vazhdoi të shtiret viktimë edhe me fjalimin e tij që mbajti në sheshin “Shumadia” në Mitrovicë, ku i ka kërkuar falje qytetarëve serbë që nuk kanë mundur të vijnë në këtë tubim.

Sipas tij, tjerët i kanë bllokuar rrugët ndërsa premtoi se herën tjetër do të shkojë në Banjë të Skenderajt.

Vuçiq: I bllokuan të gjitha rrugët

“U kërkoj falje serbëve të Kosovës që nuk kanë mundur të vijnë në këtë tubim, sepse disa njerëz të gjitha rrugët i bllokuan, dogjën goma, dru, gjuajtën nga armët, sigurisht që ta frikësojnë dikë, ata  që jetojnë në atdheun e tyre dhe askujt s’i kanë marr asgjë”, ka thënë Vuçiq.

Pas këtij fjalimi Vuçiq është larguar nga Kosovë.

Pas disa orësh të këtyre zhvillimeve ka folur edhe kryetari i Kuvendit, ai që ka deklaruar se nëse Vuçiq tenton ta vizitojë Ujmanin do të arrestohet.

Pa përmendur protestën e drenicasëve Kadri Veseli, ka thënë se Vuçiq edhe me këtë vizitë dëshmoi se liderët e Serbisë po e vazhdojnë traditën e Slobodan Millosheviqit.

Veseli tha se ai nuk ka ardhur për të ndihmuar e mbrojtur serbët në Kosovë, por për të promovuar veten, si gjithmonë me retorikë të vjetër dhe kundër të ardhmes paqësore.

Veseli ka sqaruar se lajmi i qëndrimit të Vuçiqit te liqeni i Ujmanit ka ardhur pas kërkesës së partnerëve ndërkombëtarë, por sipas tij, presidenti serb e keqpërdori edhe këtë leje, duke demonstruar mbi pendën e Ujmanit logjikën e hegjemonisë politike.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...