LDK fuqishëm kundër ndarjes së Kosovës

Aktuale

LDK fuqishëm kundër ndarjes së Kosovës

Nga: N. Sh Më: 11 shtator 2018 Në ora: 12:53
Avdullah Hoti nga tryeza me strukturat e LDK-së

(E plotësuar) - Kosova ka kuptimin e saj vetëm kur ruhet tërësia territoriale dhe kur nuk lëshohemi në aventura të copëtimit të territorit të saj.

Kështu u tha sot në Mitrovicë, gjatë një tryeze të përfaqësuesve nga kryesia qendrore dhe nga Grupi Parlamentar i LDK-së me qytetarët e Mitrovicës, ku u diskutua rreth aktualitetit politik.

Kryetari i LDK-së në Mitrovicë, Safet Kamberi, ka shprehur shqetësimin e qytetarëve të Mitrovicës rreth deklaratave të fundit, siç i quajti ai, të pamatura të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi.

Kamberi: Jemi të shqetësuar me deklaratat e Thaçit

“Gjithsesi jemi shumë të shqetësuar me deklaratat dhe lëvizjet e pamatura të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi… Janë shqetësime më të theksuara të përditshme të neve mitrovicasve sidomos”, ka thënë mes tjerash Kamberi.

Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së në Kuvendin e Kosovës, Avdullah Hoti, tha se askund më shumë se sa në Mitrovicë nuk është ndier mungesa e konsolidimit të shtetit të Kosovës.

Sipas tij, edhe pse në veri shteti nuk ka arritur të shtrij sovranitetin e plotë, kjo nuk do të thotë që Kosova të heqë dorë nga ajo pjesë.

Ai ka siguruar se LDK-ja me fuqinë e saj do t’i ndalojë këto përpjekje që janë të dëmshme për shtetin e Kosovës.

Hoti: Do t’i ndalim këto përpjekje të dëmshme

“Unë e kam parasysh se jemi në një pjesë të Kosovës ku menjëherë matanë urës nuk e kemi shtrirë ende sovranitetin e shtetit të Kosovës, kemi problem me rendin dhe sigurinë për qytetarët që jetojnë në atë pjesë, por kjo nuk duhet të përdoret asnjëherë që ne të heqim dorë nga ajo pjesë e Kosovës…Unë ju siguroj se brenda fuqisë tonë politike që kemi dhe kjo fuqi po rritet çdo ditë me përkrahjen qytetare në terren, do t’i ndalim këto përpjekje të dëmshme”, tha Hoti.

Deputetja Vjosa Osmani, potencoi se gjithmonë vendimet politike për Mitrovicën janë marr larg saj, duke mos dëgjuar zërin e qytetarëve të saj dhe duke injoruar interesat e tyre. Ajo shtoi se ka ardhur koha të flitet pak edhe për dimensionin njerëzor të planeve djallëzore e luftënxitëse që sot po i promovojnë disa.

Osmani: Vendimet politike për Mitrovicën janë marrë larg saj

“Gjithmonë vendimet politike për Mitrovicën janë marrë larg saj, duke mos dëgjuar zërin tuaj, duke injoruar interesat tuaja, duke konsideruar Mitrovicën dhe veriun e vendit si një copë toke dhe asgjë më tepër. Ka ardhur koha të flasim pak edhe për dimensionin njerëzor të këtyre planeve djallëzore e luftënxitëse që sot po i promovojnë për fat të keq për herë të parë në historinë e Kosovës, edhe vetë njerëz që janë shqiptarë të Kosovës”, u shpreh Osmani.

Ndërsa, deputeti Driton Selmanaj, ka bërë të ditur se protagonistët e dialogut kanë hyrë në politikë vetëm sa për ta ndarë Kosovën.

Selmanaj: Kanë hyrë në politika për ndarje

“Unë kam bindjen time personale se ata janë në finale të realizimit të projektit të tyre për çka kanë hyrë në politikë. Këta kanë hyrë në politikë për me nda Kosovën”, tha ai.

Në anën tjetër, edhe qytetarët pjesëmarrës të kësaj tryeze kanë shprehur mendimin e tyre sa i përket zhvillimeve të fundit politike në vend.

Murteza Berisha, ka përgëzuar degën e LDK-së në Mitrovicë për një tryezë të tillë, duke thënë se iniciativa të ngjashme duhet të organizohen edhe nëpër komuna tjera të vendit, për shkak të situatës së krijuar, të cilën ai e quajti shumë brengosëse.

Berisha: Situata është shumë brengosëse

“Ju përgëzoj shumë për një iniciativë të tillë që duhet të organizohet edhe në komuna tjera, sepse situata është shumë brengosëse, në masë”, tha Berisha.

Faton Peci tha se zhvillimet në Mitrovicë dhe dështimi për ta integruar ose ndryshimet demografike që kanë ndodhur në veri, janë rezultat i dështimit institucional dhe shoqëror të Kosovës.

Peci: Nuk kemi parë vendosmëri të institucioneve të Prishtinës

“Në asnjë rrethanë dhe në asnjë periudhë kohore nuk kemi parë vendosmëri dhe gatishmëri të institucioneve të Prishtinës zyrtare që me trajtuar veriun ashtu siç duhet”, ka thënë Peci.

Hoti nga Mitrovica: Kosova nuk është në gjendje emergjente, dialogu rruga e vetme!

Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, nga Mitrovica ku po mbajnë tryezë diskutimi me strukturat e LDK-së dhe me qytetarët aktiv thotë se është e vërtetë që ne veri nuk ushtrojmë kontrollin e plot shtetëror por, janë të gatshëm të punojnë në atë drejtim.

Sipas tij, dialogu është rruga e vetme, shkruan gazeta “Bota sot”.

Ai tutje pohon se Kosova nuk është në gjendje emergjente, andaj konsistenva do të siguron triumfin për qytetarët e Kosovës.

“Sot jemi ne Mitrovice ne tryeze diskutimi me strukturat e LDK-se dhe me qytetare e aktiviste.

Veriu i Kosoves eshte pjese integrale dhe e pandashme e Kosoves. Eshte e vertete qe nuk e ushtrojme kontrollin e plote shteterore ne veri. Por, jemi te gatshem te punojme sado qe nevojitet me qytetaret tane ne ate pjese te Kosoves dhe me miqte tane nderkombetare per te integruar ate pjese ne kuader te zhvillimeve politike, ekonomike e sociale te Kosoves. Rruge tjeter nuk ka.

Dialogu eshte rruga e vetme. Promovimi i paqes eshte ne fundament te veprimit tone politik. Durimi dhe konsistenca do te na sigurojne triumfin per qytetaret e Kosoves. Kosova nuk eshte ne gjendje emergjente”, shkruan Hoti në Facebook.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat