Kosova i kërkon SHBA-së garancën për zbatimin e marrëveshjes finale me Serbinë

Aktuale

Kosova i kërkon SHBA-së garancën për zbatimin e marrëveshjes finale me Serbinë

Më: 11 shtator 2018 Në ora: 17:40
Hoxhaj në këtë takim ka thënë se finalja mes Kosovës dhe Serbisë duhet të ketë garancë të zbatimit si nga Bashkimi Evropian, ashtu edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj është takuar me zëvendësndihmës sekretarin amerikan të shtetit në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni, të cilit i ka kërkuar mbështetje në fazën finale të procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Hoxhaj në këtë takim ka thënë se finalja mes Kosovës dhe Serbisë duhet të ketë garancë të zbatimit si nga Bashkimi Evropian, ashtu edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Roli dhe mbështetja e SHBA-së në fazën e fundit të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë është jashtëzakonisht e rëndësishme. Ky proces duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellët dhe anëtarësim të Kosovës në OKB, ndërsa është e nevojshme garanca e zbatimit të kësaj marrëveshjeje finale nga Bashkimi Evropian dhe SHBA”, ka deklaruar zëvendëskryeministri Hoxhaj.

“Në margjina të Forumit Strategjik të Bledit, me zëvendësndihmës-sekretarin amerikan të shtetit, Matthew Palmer, diskutuam për marrëdhëniet e shkëlqyeshme mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe perspektivën euro-atlantike të vendit tone”, ka thënë Hoxhaj.

Zëvendëskryeministri Hoxhaj ka takuar dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Sërgjan Darmanoviq, me të cilin kanë diskutuar për marrëdhëniet bilaterale dhe mënyrat e bashkëpunimit mes dy shteteve në rrugën e përbashkët drejt integrimit euro-atlantik.

Hoxhaj ka zhvilluar takime dypalëshe edhe me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Terens Quick, me të cilin kanë diskutuar ndër të tjera edhe për njohjen e Kosovës nga ky shtet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat