Të gjithë kundër Lutës!

Aktuale

Të gjithë kundër Lutës!

Nga: N.Sh Më: 12 shtator 2018 Në ora: 17:41
Haziri, Osmani, Avdyli, Zemaj, Salihaj, Kelmendi dhe Murati

Polemika të ashpra ka pasur në mes nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Hazirit dhe bashkpartiakëve të tij në parti.

Ai duke mbrojtur idenë e tij për shkëmbim territoresh ka kritikuar ashpër deputetët e LDK-së të cilët janë kundër.

Ishte i pari Lutfi Haziri, i cili ka kritikuar ashpër deputetët e partisë së vet, duke mbrojtur në këtë mënyrë idenë e tij për shkëmbim territoresh me Serbinë, e në këtë rast, duke e mbrojtur edhe presidentin Hashim Thaçi.

Haziri përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se nuk çuditet me deputetët Armend Zemaj dhe Haxhi Avdyli, por çuditet me, siç e ka quajtur ai nusen e Preshevës, duke iu referuar deputetes Vjosa Osmani.

Me tej ka thënë se dëshiron t'i tregojë asaj dhe atyre që shesin mend për përfitim të votave, se përveç që e ka sjellë shtatoren e Idriz Seferit në Gjilan, do ta sjellë vendlindjen e tij në Kosovë.

“Nuk po çuditna me Armend Zemajn e Haxhi Avdylin, por po çuditna me këtë nusen e Preshevës, vendlindjes së Idriz Seferit, e cila po shet men te Boletini i Kosovës, tue harrue vendlindjen e kolosit të Karadakut që sot gjendet në Serbi. Po i kallxoj asaj dhe krejt atyne që ‘shesin men’ për vota se qysh e kam pru simbolikisht Idriz Seferin n’Gilan, kam me e pru edhe vendlindjen e tij në Kosovë, Preshevën. Kam me e pru edhe Bujanocin, edhe Medvegjën, edhe autostradën, e edhe hekurudhën. Kosova Lindore ka me qenë Kosovë. Tash asht koha. E kemi amanet me e ba të mundun. Kush e konteston këtë fakt, fort marre duhet me i ardhë”, kishte shkruar në Facebook, Haziri.

Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetes së LDK-së, Vjosa Osmani.

“Para se të jem nuse e Preshevës, unë jam bijë e Mitrovicës”, ka shkruar Osmani në Facebook.

“Atyre që i bëjnë argat idesë së ndarjes do u thosha marre ju koftë, por kurrë në jetën e tyre s’kanë pasur as marre e as fytyrë.  Askush s’ka çka çuditet nga qëndrimet e mia, sepse ato janë qëndrime të LDK-së, të mbrojtjes së integritetit territorial, kushtetutës e deklaratës së pavarësisë dhe paqes dhe sigurisë në rajon, e të vulosura në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Këto qëndrime nuk janë vetëm të miat, Armend Zemajt e Haxhi Avdylit, por janë të Kryesisë së LDK-së, degëve të LDK dhe gjithë Grupit Parlamentar të LDK-së. Por mbi të gjitha janë qëndrime që mbrojnë shqiptarët e Luginës nga gënjeshtrat e mashtrimet tuaja e të Hashimit. Qytetarët e Preshevës, Medvegjes e Bujanocit nuk përbijnë më dot kurthe që ju dhe Thaçi ua servoni, nuk lejojnë që dinjiteti i tyre të përdoret për përfitime tuajat. Për fund, ju përshëndes me këto fjalë të heroit Isa Boletini nga viti 1901”, ka shkruar Osmani, përcjellë “Bota sot”.

E pas reagimeve të shumta, Haziri, ka folur përsëri lidhur me polemikat me deputeten e partisë së tij, Vjosa Osmani. Për Hazirin, kanë qenë të papranueshme portretizimet që ia kanë bërë mediat këtij debati, duke e quajtur luftë të brendshme të LDK-së.

Haziri thotë se nuk ka kurrfarë lufte të brendshme në LDK, por ka vetëm mendime shpeshherë të ndryshme karshi situatës politike në vend.

E kritikës së Osmanit se ‘temën e ndarjes po e ngjallin gënjeshtrat dhe mashtrimet e Hashimit bashkë me njerëzit që përkrahin ato ide, Haziri, u është përgjigjur se ‘është bërë popullore me e sha Thaçin dhe me fitu në emër të tij’.

“Është bë popullore me sha Thaçin dhe me fitu në emër të Thaçit. Sepse në anën tjetër besueshmëria apo pabesueshmëria popullore në Kosovë e përcjell në kontinuitet tash e 20 vjet zotin Thaçin.  Nuk duhet me pranu në asnjë mënyrë, është e papranueshme që me komunikimin në Facebook me deklarata me u kualifiku si rivalitet politik, siç e kanë portretizu në disa portale”, ka thënë Haziri.

“Ai thotë se nuk është kurrfarë lufte për të marrë udhëheqjen e LDK-së në këtë situatë, pasi që thotë se ‘respekton Osmanin’ dhe se lidhur me zgjedhjet e brendshme në LDK, ato mbahen brenda afateve kohore të caktuara me rregulloret e partisë.  Nuk ka asnjë lloj kandidature këtu. Nuk ka kurrfarë lufte të fshehtë, respektoj angazhimin politik të Vjosës, dallimet politike mund të jenë evidente, nuk ka të bëj asgjë tjetër, ky është vetëm angazhim politik Kjo nuk është hera e parë, unë edhe vitin e kaluar komunikime të tilla kam pasur për shembull me Ismet Beqirin. Ne nuk kemi të fshehtë edhe s’ka konspiracione politike këtu.”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu tha se polemikat mes deputetes së LDK-së, Vjosa Osmani dhe nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri nuk po i pëlqejnë.

Ai tha se të dy anëtarët e LDK-së mund t’i zgjidhin problemet e tyre ndryshe dhe jo përmes rrjeteve sociale.

“Mua nuk po më pëlqejnë ato polemika që po i bëjnë ata përmes rrjeteve sociale. Ata e kanë mundësinë të dytë si funksione të cilat i kanë në parti me u ulë edhe me e sqaru çdo gjë që kanë. Nuk e besoj që kanë ndonjë problem të madh, por personalisht nuk po më pëlqejnë këso lloj polemikash”, ka thënë Veliu.

Diskutimet mes tyre për Agim Velin janë imtësi dhe se nuk planifikojnë të thërrasin mbledhje në mënyrë që të sqarojnë problemet mes këtyre dy politikanëve.

“Sigurisht se nuk ndikojnë mirë, nuk mund të them që janë negative por edhe mirë nuk janë sepse janë gjëra që mund të sqarohen, janë imtësira. Na thërrasim mbledhje me diskutu çështje që janë me interes për Kosovën me interes për funksionimin, nuk thërrasim mbledhje enkas për këto çështje”, përfundoi ai.

Kurse, ish deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e LDK-së, Adem Salihaj ka qenë më i ashpër. Ai thotë se, presidentit Hashim Thaçi po i shihet qartë fytyra e tij e tradhtisë dhe fytyra e një vegle të thjeshtë të Serbisë për të shkatërruar shtetin e Kosovës.

Ai thotë se, tashmë nuk ka asnjë përkrahje prej shqiptarëve dhe po vrapon që të gjejë mirëkuptim te maqedonasit dhe malazezët, transmeton gazeta “Bota sot”.

Kurse, për përkrahësit e Thaçit brenda LDK-së Salihaj i quan vegla të tij duke u munduar ta shpëtojnë në momentet e fundit.

“Hashim Thaçit iu qorr maska dhe po i shihet qartë fytyra e tij e tradhtisë, fytyra e një vegle të thjeshtë të Serbisë për ta shkatërruar shtetin e Kosovës. I gjendur para një situate kur tashmë të gjithë e panë fytyrën e tij të vërtetë dhe i mbetur pa asnjë përkrahje te shqiptarët ,ai po vrapon të gjejë mirëkuptim te maqedonët dhe malazezët. Në ndërkohë ,tashmë u paraqitën me prononcime edhe veglat e Thaçit brenda LDK-së,të cilët, në momentet e fundit, po mundohen ta shpëtojnë lëkurën e tij. Madje,ata po dalin edhe më militantë se vetë militantët e PDK-së,sepse tashmë, edhe brenda partisë së tij, Thaçi e ka humbur përkrahjen”, shkruan Salihaj në Facebook.

Duke i komentuar deklaratat e fundit të zyrtarëve të lartë të LDK-së, të Lutfi Hazirit dhe të Vjosa Osmanit për qëndrime të ndryshme për shkëmbimin e territoreve, Agim Gashi zyrtar i LDK-së ka thënë se përçarje në LDK nuk ka. Çdo gjë për këtë çështje, sipas tij, mund të jetë individuale.

“Jo, nuk ka përçarje brenda LDK-së. në asnjë nivel institucional të LDK-së, qoftë në nivel dege, qoftë në nivel të strukturuarve qendrore të partisë, nuk ka asnjë përçarje. Mund të ketë mendime të ndryshme rreth temave të ndryshme, por përçarje nuk ka. Dhe çështjet individuale nuk mund të reflektohen në nivel partiak”, theksoi Gashi.

Ndërsa, Shpëtim Hajdaraj, djali i deputeti të vrarë të LDK-së, Smajl Hajdaraj, përmes një postimi në Facebook, ka reaguar ndaj deklaratave të nënkryetarit të LDK-së, Lufti Haziri, i cili gjatë ditës së djeshme u përfshi në polemika të ashpra me Vjosa Osmanin.

Sipas Hajdarajt, Lutës me shokë në LDK nuk u ha “palla” për 20 zyrtarët e vrarë të LDK-së për motive politike.

“Lutës me shumë shokë n'LDK , nuk ju han palla për këta 20 zyrtarët e lartë të LDK-së të vramë për motive politike. Bile , si t'paguximshëm që janë , ndër tavolinë përshpërisin (llomotisin) se janë çështje familjare. Më kujtohet gjatë një debati në KLAN , n'atë kohë Fatmir Limaj si avokat i SHIK-ut ( pas daljes në skenë të Nazim Bllacës , 2009) në debat i tha : le bre Lutë , se me Kadrinë jam kanë kur e thirre në telefon e i the "Më fal , por ashtu u deshtë me deklaru “(fjala ishte për leximin e deklaratës nga Luta në emër të LDK-së ku thuhej "SHIK-u , organizatë fantome")”, ka shkruar Shpëtim Hajdaraj.

E, analisti politik, Jeton Kelmendi, thotë se deklarimet nga nënkryetari i LDK-së, Lutfi Hazri, ishin tragjedi për LDK-në dhe për tërë Kosovën.

“Ajo që kemi parë mbrëmë në televizion publik, ku njëri nga nënkryetarët Lidhjes Demokratike të Kosovës, më konkretisht Lutfi Hazirin, ishte tragjedi për LDK-në dhe për Kosovën.  E gjithë kjo dëshmon se është produkt i SHIK-ut dhe strukturave paramilitare të PDK-së të cilat janë të kapura nga strukturat serbe. Lutfi Haziri është bisht i Hashim Thaçit dhe ato sulme aq të turpshme që po i bënë ndaj tre deputetëve, me theks të veçantë ndaj deputetes Vjosa Osmani, njeriut më të përgatitur në Kuvendin e Kosovës në aspektin juridik, e cila ka dëshmuar shumë për Kosovën si shembull në Gjykatën e Hagës.  Realisht është tragjike”, thotë Kelmendi.

Me tej, ai thotë se, në kushte normale, LDK-ja duhet të distancohet ndaj deklaratave të nënkryetarit Haziri.

“Në kushte normale LDK-ja duhet të distancohet ndaj deklaratave të nënkryetarit të saj dhe duhet njëkohësisht që LDK-ja ta shkarkojë dhe jo të pres që të ketë rezultat nga zgjedhjet. Duke qenë bisht i Hashim Thaçit, ka ndikim të madh në dëm të Kosovës. Ky debat e dëmton LDK-në , gjegjësisht e dëmton tërë Kosovën , në këtë rast unë pres që kjo parti të mos rrijë duarkryq, por hapur të distancohet ndaj Lutfi Hazirit dhe të dalin hapur në mbështetje ndaj deputetes më të votuar femër në Kuvendin e Kosovës, tha ai.

Në fund, Kelmendi thekson se përderisa ky vend nuk çlirohet, nga siç thotë ai “bishtat” e Hashim Thaçit dhe SHIK-ut, Kosova vetëm do të vuaj.

“Përderisa ky vend nuk çlirohet nga bishtat e Hashim Thaçit dhe SHIK-ut, Kosova do të vuaj dhe vetëm do të vuaj nga këto mbetje të sistemeve të ndryshme”, ka përfunduar analisti politik, Jeton Kelmendi për gazetën “Bota sot”.

Edhe hulumtuesi nga KDI, Artan Murati, ka thënë se është mirë me u ditë kush flet në emër të LDK-se. Sipas Muratit, nuk është hera e parë që X e Y zyrtari thotë, “ky nuk flet në emër të partisë”.

“Është mire me u dite kush flet ne emër te LDK-se. Nuk është hera e parë që x e y zyrtari thotë “ky nuk flet në emër te partisë”. Qe rasti i fundit. Kryetari formal i partisë, z. Mustafa, tha në Rubikun që loja me kufi e territore është e rrezikshme. Grupi Parlamentar pak a shumë në linjë me Kryetarin. Nënkryetarët e pavendosur, disa sulmojnë bashkëpartiakët pa pikë nevoje e disa thonë që procesi duhet marrë me qetësi, pa dhënë detaje. Ec e bjeri në fije. Demokracia e brendshme është ok, censura s’ka vend në politikë, veç qëndrimet partiake për çështje të caktuara duhet të jenë të njohura. Nuk mund të ndërrojnë politikat partiake çdo ditë, varësisht se kush flet”, shkruan Murati në Facebook.

Edhe analisti politik, Nexhat Haziri ka reaguar pas deklaratës së kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili ka thënë se amanet e kemi Kosovën Lindore me bashku me Kosovë.

“Lutë, po kush ta la ty amanet “Kosovën lindore”

Lutfi Haziri : Tash asht koha. E kemi amanet me e ba të mundun. Kush e konteston këtë fakt, fort marre duhet me i ardhë!”.

Marre duhet me t’ardhë ty Lutë, me manipulu me shqiptarët e Luginës së Preshevës, apo “Kosovës lindore” siç i referohesh ti me fjalorin tënd, të një turbo patrioti folklorist, për qëllimet e tua personale. Ti e Hashimi e pasni ndërmend me i bashku shqiptarët në një shtet që nga kufiri i Austrisë e deri në Selanik. A thu kush ta paska lanë këtë amanet ty. Cila “evla” erdh te veshi e ta tha këtë “amanet”. Dhe ke zgjedhur pikërisht këtë “amanet” për t’i sulmuar të gjithë ata që mendojnë ndryshe në LDK, që nuk bëhen servil të kauzave tuaja imagjinare. Marre, por ti s’ke as marre,sepse të tillët që i kanë miq e partner biznesesh eksponentët kryesor të organizatës vrasatare e mafioze që vrau Enver Malokun,kolonel Ahmet Krasniqin, Xhemajl Mustafën, Shaban Manajn, Smajl Hajdarajn, Ismet Rracin e shumë të tjerë, SHIK-ut, LDK-në e kanë përdorur vetëm si trampolinë për inetersat e tyre personale. Fort marre duhet me t’ardhë!”, shkruan Haziri në Facebook.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat