Gjykimi i Sami Lushtakut e Arben Gjukajt, dëshmitarët japin detaje për tenderin 6 milionësh të KEK-ut - Bota Sot
Gjykimi i Sami Lushtakut e Arben Gjukajt, dëshmitarët japin detaje për tenderin 6 milionësh të KEK-ut

Aktuale

E mërkurë, 14 nëntor 2018

Gjykimi i Sami Lushtakut e Arben Gjukajt, dëshmitarët japin detaje për tenderin 6 milionësh të KEK-ut

Më: 12 shtator 2018 Në ora: 20:17
Gjykimi për tenderin e KEK-ut

Në Gjykatën e Prishtinës ka vazhduar gjykimi ndaj të akuzuarve lidhur me tenderin në vlerë 6 milionë euro për sigurimin e objekteve të KEK-ut.

Të akuzuar për këtë tender janë tashmë ish-drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj, ish-kreu i Organit Shqyrtues të Prokurimit Hysni Hoxha, ish- kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku, Esat Tahiri, Milazim Lushtaku, Driton Pruthi e Azem Duraku.

Gjatë kësaj seance në cilësi të dëshmitarëve u dëgjuan Milaim Berisha ish-anëtar i komisionit vlerësues për tenderin gjashtë milionësh në KEK si dhe Daut Jashanica, inspektori i sigurisë në punë në Divizionin e thëngjillit në KEK.

Dëshmitari Berisha tha se në KEK punon që nga viti 2002 ku fillimisht kishte qenë në pozitën e menaxherit të logjistikës kurse në vitin 2011 tha se ka ushtruar pozitën e projektmenaxherit për kontratën e sigurisë fizike, KEK me operator ekonomik.

I pyetur nga prokurorja speciale, Florije Shamolli nëse kishte marrë pjesë në përgatitjen e tenderit të KEK-ut për sigurimin fizik, dëshmitari tha se ai kishte qenë përgjegjës për pjesën që kishte të bënte me vendosjen e pikave të sigurimit fizik dhe se për këtë pjesë tha se është konsultuar me udhëheqësit e divizioneve përkatëse.

Më pas prokurorja speciale e pyeti nëse në atë kohë në KEK kishte punuar edhe eksperti ndërkombëtar Richard Orsmond dhe dëshmitari u përgjigj se ai kishte qenë në pozitën e këshilltarit për sigurinë fizike.

Tutje dëshmitari deklaroi se tenderin për sigurimin fizik të KEK-ut e kishte fituar kompania “Securtiy Code”, dhe se ai ka qenë përgjegjës për të mbikëqyrur nëse kompania po i respektonte rregullat e kontratës.

“Detyrat e mia kanë qenë ta mbikëqyr, ta kontrolloj , përgjegjësi kryesor që ka pasur me e përcjellë punën e kompanisë që e ka fituar tenderin”, tha dëshmitari.

Ai deklaroi se gjatë mbikëqyrjes së kompanisë “Security Code”, kishte pasur rastin që t’i vërente disa lëshime të vogla për çka tha se edhe i kishte shqiptuar dënime kompanisë.

“Si çdokund ka pasur lëshime të vogla. Ka pasur raste që kam shqiptuar edhe dënime, të cilat kanë qenë të përcaktuara në kontratë në rast të shkeljeve të mundshme”, tha dëshmitari.

I pyetur nga prokurorja nëse gjatë mbikëqyrjes së respektimit të kontratës të kishte vërejtur ndonjë rast kur një punëtor i kompanisë “Security Code” në të njëjtën kohë të kishte qenë duke punuar edhe në një kompani tjetër, dëshmitari u përgjigj se nuk ka pasur ndonjë mundësi reale që të ndodhte kjo gjë, shkruan kallxo.

Dëshminë e tij në këtë seancë gjyqësore e dha edhe dëshmitari Daut Jashanica inspektori i sigurisë në punë në Divizionin e thëngjillit në KEK.

Dëshmitari deklaroi se ka qenë pjesë e komisionit për rivlerësimin e tenderit të KEK-ut së bashku me disa persona të tjerë, ku si detyrë tha të ketë pasur vlerësimin e ofertave nga operatorët ekonomikë, ku nga pesë ofertues që kishin aplikuar tha se vetëm dy prej operatorëve ekonomikë kishin rezultuar të përgjegjshëm.

Dy operatorët e përgjegjshëm tha se kanë rezultuar “Security Code” dhe “Besa Security”, ku gjatë përzgjedhjes së ofertës më të mirë tha se kishin pasur probleme gjatë vlerësimit të nënkriterit 2, për çka kishin ndërprerë punën dhe kishin kërkuar punë nga tashmë i ndjeri Rexhep Rexhepi.

Më pas tha se kishin vazhduar me vlerësimin e nën kritereve të tjera ku më pas, pas përmbledhjes së të gjitha pikëve, fituese kishte dalë kompania ‘Security Code”.

“Kompania “Security Code” i ka plotësuar të gjitha kriteret dhe ka pasur pikë më shumë se “Besa Security”, tha dëshmitari.

I ndjeri Rexhep Rexhepi ka qenë i propozuar nga prokurorja që të dëgjohet në cilësi të dëshmitarit por gjatë kësaj seance kryetari i trupit gjykues Beqir Kalludra i njoftoi palët se ka pranuar informacionin se ky dëshmitar ka ndërruar jetë, kurse për dëshmitarin tjetër Malsor Kastrati kryetari i trupit gjykues deklaroi se përkundër faktit se Gjykata e ka përsëritur urdhëresën për sjellje të të njëjtit nën përcjellje të Policisë, Gjykata ende nuk ka ndonjë informacion dhe nuk ka mundur ta sigurojë prezencën e këtij dëshmitari, ndërsa për ekspertin ndërkombëtar Richard Orsmond u tha se Gjykata nuk e di vendndodhjen e tij.

Në lidhje me propozimin për dëgjimin e këtyre dëshmitarëve, prokurorja Shamolli i propozoi trupit gjykues që deklaratat e këtyre dëshmitarëve të dhëna në fazat e mëhershme të deklarohen si të lexuara dhe të vazhdohet më tej me shqyrtimin gjyqësor, një propozim I tillë u kundërshtua nga të gjithë të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre por më pas u aprovua nga trupi gjykues të cilët vendosën që deklaratat e këtyre dëshmitarëve të dhëna më herët të konsiderohen si të lexuara në pamundësi të sigurimit të të njëjtëve për të dëshmuar.

Për tenderin e KEK-ut akuzohen drejtori i KEK-ut Arben Gjukaj dhe ish-kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku.

Të akuzuar janë edhe ish-kreu i OShP-së Hysni Hoxha, ish-drejtori i prokurimit Driton Pruthi, Esat Tahiri, Milazim Lushtaku e Azem Duraku.

Gjukaj, Hoxha e ish-drejtori i prokurimit Driton Pruthi akuzohen për keqpërdorim të pozitës ose autorizimit zyrtar, ndërsa ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, akuzohet për shtytje në keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Azem Duraku akuzohet për shtytje në keqpërdorim, ndërsa Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku për mashtrim.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test