Të gjitha urimet për Kosovën dhe qytetarët pasi Parlamenti Evropian votoi pro liberalizimit

Aktuale

Të gjitha urimet për Kosovën dhe qytetarët pasi Parlamenti Evropian votoi pro liberalizimit

Nga: N.Sh Më: 13 shtator 2018 Në ora: 17:17
Ilustrim

Parlamenti Evropian të enjten, me shumicë votash votoi rekomandimin e Komiteti për liritë qytetare, drejtësi dhe çështje të brendshme, për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Raportuesja për vizat në Parlamentin Evropian Tanja Fajon, gjatë prezantimit të rekomandimit tha se qytetarët e Kosovës e meritojnë votën pro, pasi institucionet e Kosovës i kanë përmbushur gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

Ajo tha se sot votohet për mandatin e dialogut trepalësh mes Parlamentit, Komisionit dhe Këshillit të Ministrave.

Pas këtij votimi të Parlamentit Evropian konfirmohet mandati për fillimin e bisedimeve me vendet anëtare të BE-së, në mënyrë që Kosovës t’i liberalizohen vizat. Bisedimet në emër të Parlamentit Evropian do t’i udhëheqë, Tanja Fajon, raportuese për vizat në Parlament.

Ndërkaq, menjëherë pas votimi përmes një postimi në Tëitter, Fajon tha se qytetarët e Kosovës janë edhe një hap më afër udhëtimit pa viza në Evropë.

“Urime për marrjen e dritës jeshile, me shumicë të votave për negociatat në Këshillin e Evropës. Beteja vazhdon me qeveritë e BE-së, nuk do të ndalemi derisa të realizohet. Përpjekjet vazhdojnë me qeveritë e vendeve të BE-së dhe nuk do të ndalem derisa të liberalizohen vizat”, ka shkruar Fajon.

Kurse, raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Soltes, tha se Kosova është “një hap më pranë regjimit pa viza”, duke shtuar se qytetarët e Kosovës “meritojnë mundësitë e njëjta”.

Komisionari për Zgjerim në Bashkimin Evropian, Johanes Hahn ka mirëpritur vendimin e Parlamentit Evropian për aprovimin e rekomandimit për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Drita e gjelbër e Parlamentit Evropian, për të nisur negociatat me Këshillin e Evropës për liberalizimin e  vizave për Kosovën, e mirëpritur”, ka shkruar ai në Tëitter.

Edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mirëpritur vendimin e Parlamentit Evropian për votimin PRO liberalizimit të vizave.

Thaçi ka theksuar se brenda një periudhe të shkurtër do të përmbyllet tërësisht ky proces dhe qytetarët tanë do lëvizin lirshëm.

Presidenti Thaçi gjithashtu ka shtuar se tani qytetarët e Kosovës do të jenë të barabartë me qytetarët e Bashkimi Evorpian

“Qytetarët e Kosovës sot janë edhe një hap më afër drejt realizimit të një të drejte bazike në familjen evropiane, lëvizjen e lirë në zonën Shengen. Me më shumë se 2/3 e votave të eurodeputetëve, Parlamenti Evropian votoi pro liberalizimit të vizave për qytetarët tanë. Ky është një mesazh i qartë edhe për institucionet e tjera vendimmarrëse në Bashkimin Evropian. Jam i bindur se brenda një periudhe të shkurtër kohore, do të përmbyllet tërësisht ky proces dhe qytetarët tanë, pas një rrugëtimi të gjatë dhe tejet të mundimshëm, së shpejti do të jenë të barabartë me të gjithë qytetarët e Bashkimit Evropian. Si President i Republikës së Kosovës, në emrin tim personal dhe të të gjithë qytetarëve të Kosovës, i falënderoj eurodeputetët për këtë vendim të drejtë:, shkruan presidenti Thaçi.

Ish kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa thotë se Parlamenti Evropian i barazojë qytetarët e Kosovës me qytetarët evropian, që edhe ata të lëvizin lirë në vendet e Shengenit.

Mustafa përmes një postimi në facebook, thotë se kjo është një fitore e përbashkët e jona dhe institucioneve të BE-së si dhe vetëdijesim e atyre që kundërshtuan m shumë se dy vite ratifikimin e marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi.

“Sot Parlamenti Evropian votoi që qytetarët e Kosovës t’i barazojë me qytetarët tjerë evropian, që edhe ata të lëvizin lirë në vendet e Shengenit. Është kjo fitore jonë e përbashkët, e institucioneve të BE-së, e përmbushjes së kritereve nga shteti i Kosovës dhe e vetëdijesimit të atyre që kundërshtuan më shumë se dy vite ratifikimin e marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi.

Të shpresojmë por edhe të punojmë që edhe Këshilli I Ministrave të BE-së në të ardhmen e afërt të vendosë pozitivisht për liberalizimin e vizave. Këtë vendim e meritojnë qytetarët e Kosovës. IM”, shkruan Mustafa, transmeton gazeta “Bota sot”.

Zëvendëskryeministri i Kosovës Fatmir Limaj ka thënë se votimi pro liberalizimit të vizave nga Parlamenti Evropian është një lajm i madh për qytetarët e Kosovës.

Sipas tij votimi i sotëm shënon edhe një hap të tjetër në rrugën drejt lëvizjes së lirë.

“Votimi pro liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës nga Parlamenti Evropian është lajm i madh për qytetarët e Kosovës. Votimi i sotëm shënon një tjetër hap në rrugën drejt liberalizimit të vizave. Ne presim që jo shumë larg, qytetarëve tanë t'u mundësohet lëvizja e lirë në zonën Schengen, gjë të cilën e meritojnë. Falënderoj deputetët e Parlamentit Evropian për votimin PRO liberalizimit të vizave!”, shkruan Limaj në Facebook.

Për këtë është deklaruar edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili përmes një postimi në Facebook ka uruar qytetarët e Kosovës, pasi që Parlamenti Evropian votoi PRO liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Urime Kosovë, urime e dashura rini e Kosovës. Kaluam edhe sfidën e radhës! Parlamenti Evropian sapo votoi PRO liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës”, shkruan Pacolli.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli në rrjetin e tij social Facebook ka thënë se pas votimit për liberalizimin e vizave nga Parlamenti Evropian, Kosova është edhe një hap më afër drejt lëvizjes së lirë.

“Pas votimit pro nga Parlamenti Evropian për liberalizimin e vizave, jemi edhe një hap më afër drejt lëvizjes së lirë. Institucionet e Kosovës do të vazhdojnë lobimin që ky proces të përmbyllet brenda këtij viti. Qytetarët tanë e meritojnë këtë”, ka shkruar Veseli.

Gjithashtu nuk ka munguar as urimi i shefit të GP të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili ka thënë se votimi i Parlamentit Evropian pro liberalizimit të vizave për Kosovën është hap i rëndësishëm drejt lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës në BE, përcjell Bota sot.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ai ka falënderuar zyrtarët që kanë kontribuar në përmbushjen e kritereve për liberalizim.

“Parlamenti Evropian voton pro liberalizimit të vizave për Kosovën. Ky është një hap i rëndësishëm drejt lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës në BE.

Përgëzime për qytetarët e Kosovës.

Falënderime për zyrtarët në të gjitha institucionet e Kosovës (shërbyes civil, policë, gjyqtarë e prokurorë, zyrtarë komunal dhe zyrtarë të tjerë), që kanë kontribuar në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave”.

Gjithashtu edhe deputetja nga Alternativa, Mimoza Kusari Lila, e ka quajtur lajm të mrekullueshëm votimin e Parlamentit Evropian pro liberalizimit të vizave për Kosovën, përcjell Bota sot.

Përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, ajo ka thënë se jemi një hap më afër barazisë dhe lëvizjes së lirë në BE.

“Lajm i mrekullueshëm për Kosovën dhe kosovarët. Një hap më afër barazisë dhe lirisë së lëvizjes në BE.

Parlamenti Evropian miratoi me shumicë bindëse vendimin për liberalizimin e vizave për kosovarët.

Tani mbetet vendet anëtare të miratojnë këtë vendim dhe përfundon saga e izolimit dhe aplikimit për vizë Schengen”.

Për këtë është deklaruar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili e ka konsideruar si një hap që duhet përshëndetur vendimin e Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Shyqyr që Parlamenti Evropian e hoqi nga vetja njollën me të cilën Evropa ka kaq vjet që cenon flamurin e vet duke mos hequr vizat për Kosovën!” shprehet kryeministri.

Po ashtu, kryeministri Rama thekson se “Kosova mbetet dhe për pak kohë i vetmi vend me viza për në Evropë, por kjo e sotmja është një hap për t’u përshëndetur sidoqoftë”.

“Përshëndes votimin e Parlamentit Evropian për lëvizjen pa viza të qytetarëve të Kosovës në BE”, deklaron kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Po ashtu, Basha shton se “ky votim i njeh qytetarëve të Kosovës një të drejtë të merituar dhe dinjitet të barabartë në rajon. Votimi i PE është mbështetje e qartë për Kosovën dhe perspektivën e saj evropiane”.

Pas këtij votimi, do të konfirmohet mandati për fillimin e bisedimeve me vendet anëtare të BE-së, në mënyrë që Kosovës t’i liberalizohen vizat.

Të mërkurën kur Tanja Fajon raportuesja për vizat e merr mandatin për fillimin e bisedimeve me Këshillin e Bashkimit Evropian, procesi kalon në nivelin e grupeve punuese. Takimi i parë i grupit punues do të mbahet më 17 shtator.

Pasi që të përafrohen bisedimet në kuadër të grupit punues, pastaj çështja kalon në nivel të ministrave të Brendshëm të Bashkimit Evropian, të cilët vendosin për këtë përmes votimit me një shumicë të kualifikuar.

Komisioni Evropian më 18 korrik të këtij viti, vendosi se Kosova i ka përmbushur gjitha kriteret dhe i rekomandoi Bashkimi Evropian të liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e së cilës nuk gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën e Shengenit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat