Veseli fton opozitën të gjejnë gjuhë të përbashkët për dialogun - Bota Sot
Veseli fton opozitën të gjejnë gjuhë të përbashkët për dialogun

Aktuale

E mërkurë, 21 nëntor 2018

Veseli fton opozitën të gjejnë gjuhë të përbashkët për dialogun

Më: 14 shtator 2018 Në ora: 13:10
Kadri Veseli

Në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli e ka ritheksuar edhe njëherë se integriteti territorial i Kosovës është i paprekshëm.

Që nga orët e mëngjesit, Kuvendi i Kosovës i ka hapur dyert për vizitorë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë.

Në fjalën e tij të mirëseardhjes, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli  ka ftuar opozitën që të bashkohen për tema të mëdha si ajo e dialogut të Kosovës me Serbinë.

Edhe njëherë Veseli e ka theksuar që askush nuk mund ta vë në pikëpyetje integritetin territorial të Kosovës.

Veseli: Të ulemi të gjejmë gjuhë të përbashkët për sfidat e dialogut

"Ne duhet të ulemi dhe të gjejmë gjuhën e përbashkët në përballje me sfidat e këtij dialogut, të ulemi siç kemi bërë gjithmonë në të kaluarën dhe kemi pasur sukses, frymë e përjashtimit reciprok që jemi duke  e parë është një rrugë pa krye. Politika e qorrsokakut askujt nuk i shërben të gjithë do të dalim të humbur nëse nuk hiqet dorë prej saj. Dilemat e ngritura mbi rrezikun për ndarjen e Kosovës nuk janë të qëndrueshme, nuk janë dilema tona realisht, janë gracka të kundërshtarëve të lirisë dhe pavarësisë sonë. Kosova ka integritetin e saj territorial të njohur edhe ndërkombtarisht, ka Kushtetutën e saj dhe askush nuk ka mandat të merr vendime që bien ndesh me parimet themelore të saj”, tha Veseli.

Veseli  tha se  vetëm me një qeverisje të mirë në demokraci nuk cenohet liria e qytetarëve.

Veseli: Demokracia është mënyrë e jetesës së lirë

“Demokracia para se të jetë ide është praktik reale dhe është në mënyrë specifike e qeverisjes dhe mënyrë e jetesës në liri. Është pikërisht ky dimension që nganjëherë duke se e harrojmë e kemi gojën plotë demokraci e në anën tjetër bëjmë gjëra që nuk korrespondojnë me frymën praktike të demokracisë, derisa e them këtë fjalë, fjalën e kam pikërisht tek skena jonë politike e cila tash e një kohë të gjatë po ka vështirësi serioze në tejkalimin e polarizimit të dëmshëm partiak”, tha  Veseli.

Zenun Pajaziti, kryetar i Forumit për Transparencë Parlamentare ka deklaruar se Kosova ka shënuar progres sa i takon transparencës parlamentare.

Pajaziti: Kuvendi i Kosovës ndër institucionet më transparente

“Ky forum ka arritur që ta nxjerr vendin tonë në vendet me një pozicion më të mirë në regjion për transparencë parlamentare. Para tri vjetësh ne të parin në regjionin tonë miratuam deklaratën për transparencën parlamentare, bëmë edhe një dokument dhe plan pune për ta implementuar këtë deklaratë dhe sot parlamenti i Kosovës...është ndër institucionet më transparente në vend dhe më gjerë“, tha Pajaziti.

Në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë Kuvendin e Kosovës kishin ardhur për ta vizituar edhe nxënës të shkollave të ndryshme të Kosovës.

Dea Lajqi, nxënëse e shkollës fillore “Dardania” në Prishtinë thotë se ndonëse Kosova vend demokratik, e nevojshme është krijimi i vendeve të reja të punës.

Lajçi: Në Kosovë nuk ka vende pune

“Mendoj që Kosova është vend demokratik por edhe pse nuk i gëzon të gjitha liritë ka pak demokraci dhe mendoj që për shembull zhvillimi i industrisë nuk është tamam sepse të rinjtë  e sotëm nuk kanë punë të mjaftueshme”, tha Lajçi.

Nxënësi i shkollës fillore “Abdullah Shabani” nga Mitrovica, Altin Tahiri duke kërkuar që ligjet të zbatohen, tha se vendi duhet të krijoj kushte shkollimi për të gjithë.

Tahiri: Duhet të krijojmë kushte për arsimim

“Mendoj se demokracia është e udhëhequr mirë, pasi të gjithë qytetarët e Kosovës janë të arsimuar dhe gjithashtu mendoj që njerëzit që nuk i kanë kushtet, atëherë me pas një mundësi që të arsimohen dhe të gjithë të respektojnë rregullat dhe ligjin”, ka thënë ky nxënës.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, Kuvendi i Kosovës ka organizuar një sërë aktivitetesh të cilat do të zgjasin deri në ora 16:00, dhe disa nga to janë: Lansimi i Platformës me profilet e deputetëve në web faqen e Kuvendit dhe faqes zyrtare të Kuvendit në Facebook, tryezë diskutimi organizuar nga Grupi i Grave, debat publik me deputetë dhe ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar dhe Instituti Demokratik i Kosovës (KDI). /B.Ibishi/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test