GSJP publikoi analizën mbi implementimin e objektivave të MSA-së në fushën e konkurrencës

Aktuale

GSJP publikoi analizën mbi implementimin e objektivave të MSA-së në fushën e konkurrencës

Më: 15 shtator 2018 Në ora: 13:15
Në konferencë e lansimit të raportit

Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka bërë analizimin e përformancës së Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, dhe monitorimin e masave dhe veprimeve të cilat dalin nga Plani Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe agjendës për reforma evropiane në fushën e konkurrencës.

Të e dhënat e këtij grupi , të përmbledhura në raportin me titull “Të (pa) barabartë: Sa po implementohen objektivat e MSA-së në fushën e konkurrencës?”, tregojnë se autoriteti është përballë me shumë sfida dhe jo gjithmonë është konsultuar nga institucionet relevante.

Në konferencë e lansimit të raportit, që u mbajt sot, u fol për çështjet e ngritura nga autoriteti i konkurrencës, ku ndër të tjera u përmend edhe ajo e mungesës së ekspertizës së gjyqtarëve që merren me lëndët ekonomike apo rastet e konkurrencës në treg.

Erëza Pula, hulumtuese në GSJP, tha se është vërejtur një tendencë nga gjykatat të cilat përqendrohen më shumë në çështje procedurale duke lënë anash kështu substancën e vërtetë të rasteve.

Pula: Autoriteti i konkurrencës nuk është konsultuar nga ana e institucioneve

“Mendimet profesionale të autoritetit nuk janë konsideruar gjithmonë nga institucionet relevante, dhe këtë e kemi parë edhe me rastin e fundit sa i përket udhëzimit administrativ për homologim. Autoriteti ka kundërshtuar disa nga dispozitat e udhëzimit administrativ për përcaktimin e kushteve dhe procedurave për homologimin e automjeteve, dhe ka rekomanduar që këto dispozita nuk duhet  të kalojnë apo miratohen ashtu siç janë, por duhet të rishikohen dhe shqyrtohen. Përkundër kësaj ky udhëzim administrativ është miratuar në prill të vitit 2018, pa i marrë për konsideratë kundërshtimet e autoritetit. Ky udhëzim administrativ vetëm sa ka thelluar monopolin ekzistues në sektorin e monopolit të automjeteve. Autoritet rrallë herë është konsultuar nga ana e institucioneve sa i përket hartimit, ndryshimit apo plotësimit të ligjeve dhe rregulloreve”, tha ajo.

Ndërsa hulumtuesja Delfinë Elshani tregoi se për vitin 2018 është paraparë ndryshimi dhe plotësimi i ligjit për mbrojtjen e konkurrencës, e rregullores për procedurat dhe formatin e njoftimit për ndihmë shtetërore, udhëzimi administrativ për shqiptimin e masës së sanksioneve administrative si dhe udhëzimi administrativ për përcaktimin e tregut relevant.

Ajo tha se të gjitha procedurat që janë iniciuar gjatë vitit 2018 pritet të përfundohen deri në fund të vitit në përputhje me afatin e paraparë me Planin Kombëtar të Zbatimit të MSA-së.

Elshani: Institucionet vendore duhet të tregojnë një dedikim më të madh

“Disa nga masat që nuk janë plotësuar në pjesën e parë të vitit 2018 përfshihet ristrukturimi i agjencisë kosovare për promovimin e investimeve, zhvillimi i kapaciteteve të saj, themelimi i bordit këshillues në kuadër të kësaj agjencie, funksionalizimi i komisionit për ndihmë shtetërore dhe krijimi i fondeve për efiqiencë të energjisë. Institucionet kosovare duhet të tregojnë një dedikim më të madh në drejtim të plotësimit te të gjitha kritereve që dalin si nga PZMSA, ashtu edhe nga ERA, sipas afateve të specifikuara, në mënyrë që të përshpejtohen reformat në fushën e konkurrencës në Kosovë”, tha ajo.

Në gjashtë mujorin e parë të vitit 2018, Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka monitoruar edhe konkurueshmërinë dhe klimën e investimeve.

Sipas Grupit, dokumenti përbëhet nga 12 masa të zbërthyera në 44 veprime. Këto veprime, rezultatet kanë treguar që rreth 39 për qind janë plotësuar, 11 për qind janë plotësuar pjesërisht, 40 për qind nuk janë plotësuar, dhe 36 për qind janë paraparë të plotësohen në gjysmën e dytë të vitit 2018 dhe janë në zhvillim e sipër.

Kujtojmë se deri tani Departamenti për Ndihmë Shtetërore ka qenë pjesë e Autoritetit të Konkurrencës, mirëpo me ligjin e ri për ndihmën shtetërore ky departament është transferuar në Ministrinë e Financave.

Në fushën e konkurrencës, gjatë 2017-ës janë paraparë plotësimi i disa indikatorëve që ndikojnë në ngritjen e kapaciteteve të Autoritetit të Konkurrencës, por edhe të Departamentit për Ndihmë Shtetërore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat