Haradinaj premtoi angazhim për rajonin e Zhupës - Bota Sot
Haradinaj premtoi angazhim për rajonin e Zhupës

Aktuale

Haradinaj premtoi angazhim për rajonin e Zhupës

Më: 15 shtator 2018 Në ora: 17:16
Haradinaj premtoi angazhim për rajonin e Zhupës

“Qeveria e Republikës së Kosovës do t’i qëndroj pranë secilës komunë dhe secilit rajon, pa dallime partiake dhe etnie. Ne do të angazhohemi që kërkesat dhe nevojat e banorëve të kësaj ane të adresohen dhe të gjejnë mbështetje institucionale”, ky ishte mesazhi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinajt, gjatë një vizite pune që pati sot në rajonin e Zhupës.

Aty, Kryeministri u prit nga përfaqësuesit e banorëve të kësaj ane, me të cilët ka bashkëbiseduar për sfidat dhe problemet me të cilat ballafaqohen banorët atje.

Kryeministri Haradinaj, duke folur për kërkesën  e krijimit të Komunës së Reçanit, tha se Qeveria do të angazhohet për ta shqyrtuar këtë çështje, derisa, për kërkesën e rindërtimit të një hidrocentrali, ai e bëri të qartë se ky projekt por edhe projektet  e tjera mund të realizohen vetëm me pëlqimin e  banorëve. 

“Jemi shumë të interesuar për zhvillimin e sektorit të turizmit në këtë pjesë, sepse për një gjë të tillë ekziston potencial i jashtëzakonshëm. Personalisht, jam për themelimin e komunave, e pse jo edhe për atë që ju kërkoni. Sa i përket çështjes së ndërtimit të hidrocentraleve, mund të them se për këtë do të angazhohemi me seriozitetin më të lartë të mundshëm për ta shqyrtuar hollësisht, dhe se nuk do të lejojmë asnjë investim të dëmshëm për komunitetin “, shtoi Kryeministri Haradinaj.

I shoqëruar edhe nga ministri i Zhvillimit Rajonal, Rasim Demiri, Kryeministri Haradinaj tha se me ardhjen e tij në Qeveri, bashkëpunimi ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal ka kaluar në një fazë më dinamike dhe tani komunat kanë një vëmendje më të madhe nga Qeveria.

Ndërkaq, ministri i Zhvillimit Rajonal, Rasim Demiri, falënderoi kryeministrin Haradinaj për praninë e tij në këtë ngjarje, derisa tha se komuniteti boshnjak po përballet me disa sfida në këtë pjesë të vendit.

“Çështja e decentralizimit është ndër shqetësimet kryesore. Ndërtimi i hidrocentraleve në burimet ujore është ndër shqetësimet tjera . Gjithashtu, gjendja e infrastrukturës rrugore nuk është në nivel të duhur, dhe se përmirësimi i saj ndikon edhe në zhvillimin e turizmit. Këto janë kërkesat ndër më kryesore të të gjithë banorëve, dhe meritojnë një vëmendje të theksuar nga institucionet e Kosovës, sepse kemi dhënë kontribut në shpalljen e Pavarësisë së vendit”, bëri të ditur ministri Demiri.     Nga ana tjetër, të pranishmit me nga një fjalë rasti i përshëndeten edhe deputetët e kësaj ane në Kuvendin e Kosovës, Duda Balje dhe Bahrim Shabani, nga ku këta të fundit kërkuan mbështetjen e kryeministrit Haradinaj dhe Qeverisë për realizimin e projekteve në këtë rajon.

Kryeministri Haradinaj, gjatë këtyre takimeve, foli edhe për situatën aktuale politike në vend, konkretisht rreth zhvillimeve të fundit që kanë të bëjnë me dialogun Kosovë - Serbi, duke thënë se te dyja palët duhet të arrijnë marrëveshje paqësore me njohje të dyanshme, në shërbim të zhvillimit të të dyja vendeve, dhe se ideja e shkëmbimit të territoreve po i ngjanë marrëveshjeve tregtare , dhe si të tilla janë të dëmshme.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...