“Në LDK, elemente që punojnë për Thaçin” - Bota Sot
“Në LDK, elemente që punojnë për Thaçin”

Aktuale

E diel, 18 nëntor 2018

“Në LDK, elemente që punojnë për Thaçin”

Nga: N.H Më: 16 shtator 2018 Në ora: 20:51
Hashim Thaçi dhe Lutfi Haziri

Saim Tahiraj, ish-bashkëluftëtar i heroit të kombit Sali Çekaj, ka rrëfyer ekskluzivisht për gazetën “Bota sot”, të pathëna rreth çështjes së kufijve të Kosovës.

Tahiraj ka thënë se edhe profesor Fehmi Agani në prezencën e heroit të kombit, Sali Çekaj, ka folur rreth idesë së shkëmbimit të territoreve, si një opsion i mundshëm.

Ndërsa, ka thënë se ideja e korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, nuk është ide e Hashimit Thaçit dhe e Lutfi Hazirit, pasi që, sipas tij, zanafilla e saj si ide daton më herët.

“Ideja e korrigjimit të kufijve në mesë të Kosovës dhe Serbisë, nuk është ide e Hashimit Thaçit dhe e Lutfi Hazirit, ajo ka qenë si ide edhe shumë më herët. Më kujtohet kur me disa shokë të njësiteve guerile nga Zvicra, shkuam në Gjermani dhe u takuam me shokë të tjerë në zyrën e LDK-së në Stuttgart të Gjermanisë, ku na priti Sali Çekaj me shokë. Kishim një takim me profesor Fehmi Aganin. Posa hymë në zyrën e tij pamë disa harta që i kishte hapur në tavolinën e punës. E pyetëm se çfarë janë ato, dhe na u përgjigj se, “Jam duke e shikuar si njërin ndër opsionin e mundshëm të ndërrimit të territoreve”. Ishte viti 1993 dhe në atë kohë ishin të hapura shumë opsione me të cilat manovronin udhëheqja e jonë politike. Mirëpo të dalësh në këtë kohë me këtë ide të kopjuar, është një lojë shumë e rrezikshme ,pasi që kontesti kohorë ndryshon shumë. Ndryshimi i kufijve në mesë të Kosovës dhe Serbisë automatikisht do provokonte edhe ndryshime te kufijve të shteteve tjerë në rajon dhe më gjerë”, ka thënë Tahiraj.

Ai pyet se a janë e përgatitura Kosova dhe Shqipëria t’i përballojnë këtyre ndryshimeve?

“A thua a janë e përgatitura Kosova dhe Shqipëria t’i përballojnë këtyre ndryshimeve të mëdha? Kur kemi një Kosovë shumë të dobët ekonomikisht, pa ushtri, gjithashtu edhe Shqipëria nuk qëndron mirë. Unë mendoj, dhe besoj shumë se ridizajnimi i kufijve në Ballkan do të ndodhë në një të ardhme, ku si rezultat do të dalë krijimi i Shqipërisë Etnike, në të cilën besoj fuqishëm. Fillimisht Kosova dhe Shqipëria, dhe të gjithë shqiptarët në rajon dhe mërgatë duhet të punojnë natë dhe ditë që dy shtetet tona të forcohen ekonomikisht dhe ndërtojnë dy ushtri të fuqishme”, ka thënë ai.

Ndërsa, potencon se, duhet të punohet shumë në bashkimin e ekonomisë, arsimit, kulturës dhe të gjitha drejtimeve tjera.

Image
Saim Tahiraj

“Të punohet shumë në bashkimin e ekonomisë, arsimit, kulturës dhe të gjitha drejtimeve tjera. T’i përkrahin fuqishëm në të gjitha drejtimet shqiptarët në Luginë të Preshevës, dhe jo si gjerë më tani me shuma që është fyerje e rëndë për ta. Gjithashtu të përkrahen shqiptarët në Malit të Zi. Ideja e bashkimit të Sanxhakut me Kosovën duhet të përkrahet dhe financohet fuqishëm. Shqiptarët në Maqedoni janë fuqi, ku vetëm uniteti ju mungon. Një unitet i mirëfilltë i shqiptarëve në Maqedoni do të thotë se ata janë fuqia kryesore në Maqedoni. Kur të arrihen të gjitha këto atëherë duhet dalë me idenë e ndryshimit të kufijve dhe bashkimin e të gjithë Shqiptarëve në një Shqipëri Etnike, ku gjenerata e gjenerata me shekuj u flijuan për të”, tha ish-bashkëluftëtar i heroit të kombit Sali Çekaj.

Tutje, Tahiraj thekson se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi po provokon me këtë ide, pasi që, siç thotë ai, krejt këtë po e bënë për ta mbajtur të tensionuar dhe për ta larguar fillimin e punës së Gjykatës Speciale.

Në fund, ai shton se, fatkeqësisht, edhe në LDK ka elementë që punojnë për Hashim Thaçin.

“Të dalësh sot me një ide të tillë, do të thotë se ke një hallë të madh personal. Hashimi provokon situatën për ta mbajtur të tensionuar dhe për ta larguar fillimin e punës së Gjykatës Speciale. Të gjitha kanalet e veta, qofshin ato të PDK-së dhe SHIK-ut i ka futur në lëvizje të realizimit të këtij skenari të rrezikshëm për Kosovën. Fatkeqësisht ka edhe në LDK elementë që punojnë për të. Përkrahja publike e kësaj ideje nga Lutfi Haziri bëhet për dy qëllime”.

“Njëra për t’i kënaqur miqtë e tij në PDK dhe SHIK, dhe që nuk janë të paktë, dhe e dyta për t’i mbajtur votuesit e vetë nga Lugina e Preshevës, të cilët janë shumë që jetojnë në Gjilan me rrethin. Kjo është shumë e pasinqertë të luash me ndjenjat e tyre vetëm për vota. Qëndrimi i Vjosa Osmanit është shumë parimorë, në përputhje me qëndrimet e grupit parlamentar të LDK-së. Unë e mbështesë idenë e saj që vetëm me protesta gjithë popullore të pengohet kjo lojë e rrezikshme e Hashimit, por që këto protesta t’i organizoj dhe menaxhoj LDK-ja dhe kurrsesi t’i lejoj VV-së, sepse ata janë të paparashikueshëm dhe situata mundë të eskalojë në drejtime të gabuara”, ka përfunduar Saim Tahiraj për gazetën “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test