Deputetja e VV-së: 13 mijë veteranë të vërtetë, 40 mijë të rrejshëm, 160 mijë vota për partitë e “komandantëve”

Aktuale

Deputetja e VV-së: 13 mijë veteranë të vërtetë, 40 mijë të rrejshëm, 160 mijë vota për partitë e “komandantëve”

Nga: Nehat Shaqiri Më: 18 shtator 2018 Në ora: 11:22
Thaçi, Haradinaj dhe Veseli

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku thotë se, procesi i verifikimit të veteranëve që nga fillimi ka shkuar keq.

Deputetja e Kosovës, pohon se, të gjithë tashmë e dimë që në këto lista ka veteran të rrejshëm, e listën e publikuar së fundi me veteranët mashtrues, sipas saj, fatkeqësisht ka edhe njerëz që me të vërtet kanë qenë pjesëmarrës të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj okupatorit fashist serb.

“Këtu lind dyshimi se pas shkuarjes së prokurorit Elez Blakaj, janë futur në listën e veteranëve të rrejshëm edhe 2000 veteran të vërtet. Besoj se Blakaj duhet ta bëjë publike listën e vërtetë të veteranëve të rrejshëm”, thotë Millaku për gazetën “Bota sot”.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, beson se, 2000 veteran të vërtetë i janë shtuar asaj liste, vetëm për të futur huti dhe ky proces të vazhdoj edhe më tutje që mos të ketë një fund.

Image
Drita Millaku

“Është e dhimbshme për të gjithë ata veteran të vërtet të barazohen me veteran të rrejshëm, dhe nëse mendojnë se lavdia bëhet me certifikata të falsifikuara e kanë gabim. Dhe një gjë është shumë e vërtetë se të gjithë ata që kanë manipuluar me certifikata po bëjnë reagime të ndryshme, ndërsa veteranët vërtetë po “shukatin”, potencon ajo.

Millaku tregon se 68 milionë euro është dëmtuar buxheti i Republikës së Kosovës.

“Të gjithë e dimë se e gjithë kjo rritje e veteranëve është bërë pikërisht nga partitë që janë në pushtet duke e përkthyer në vota. Të gjitha listat e vërteta si ajo e dorëzuar në KFOR dhe ajo në IOM nuk dalin më shumë se 13.000 veteran dhe kjo tregon se janë mbi 40 mijë veteran të rrejshëm. 40 mijë veteran të rrejshëm herë 3 anëtar të familjes për vota bëjnë 160 mijë vota”, përfundon deputetja e VV-së në Kuvendin e Kosovës, Drita Millaku.

Ish-Prokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Elez Blakaj, në një reagim përmes Facebook-ut ka thënë se ajo çfarë po sheh nga informacionet e publikuara në media, që i referohet aktakuzës së veteranëve, duke i publikuar edhe emrat dhe të dhënat personale është se janë rreth 2.000 persona, të cilët del se janë shtuar në listën e emrave që janë seleksionuar si përfitues të statusit të veteranit luftëtar në kundërshtim me kriteret e ligjit për veteranët.

“Ajo çka po shoh tash nga informacionet e publikuara në media, që i referohen aktakuzës së veteranëve, duke i publikuar edhe emrat dhe të dhënat personale është se janë rreth 2.000 persona, të cilët del se janë shtuar në listën e emrave që janë që janë seleksionuar si përfitues të statusit të veteranit luftëtar në kundërshtim me kriteret e ligjit për veteranët. Këtë sqarim po e bëj për të informuar publikun se së pari aktakuza paska pësuar ndryshime nga ajo që e kam përpiluar unë, sepse janë rreth 2.000 persona më shumë, për të cilët nuk kam as informacion se si janë selektuar dhe sesi janë përfshirë në aktakuzë”, ka thënë Blakaj.

Përmes një komunikate për media, Prokuroria e Shtetit ka pranuar se numri i veteranëve të rrejshëm, të cilët janë pjesë e aktakuzës së ish-prokurorit special Elez Blakaj, është rritur.

Në këtë komunikatë për media, thuhet se rritja e numrit nga 19060 në 20238 përfituesve është bërë nga të dhënat e siguruara gjatë fazës së hetimeve, të cilat gjenden në CD 3 dhe 4, e që kanë të bëjnë me personat që gjatë hetimeve në bazë të aplikacioneve të kontrolluara nga Prokurori, është konstatuar se kanë qenë pjesëtarë të UÇPMB-së, por, për të cilët nuk ka të dhëna në aplikacion se kanë qenë veteran luftëtar të UÇK-së, siç është përcaktuar me Ligj, gjithashtu janë vënë në listë edhe përfituesit, aplikacionet e të cilave janë plotësuar dhe nënshkruar nga i njëjti dorëshkrim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat