Haradinaj: Italia ka luajtur rol të rëndësishëm në të gjitha etapat e shtetndërtimit - Bota Sot
Haradinaj: Italia ka luajtur rol të rëndësishëm në të gjitha etapat e shtetndërtimit

Aktuale

Haradinaj: Italia ka luajtur rol të rëndësishëm në të gjitha etapat e shtetndërtimit

Më: 18 shtator 2018 Në ora: 12:33
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, është takuar sot me ministren e Mbrojtjes së Italisë, Elisabetta Trenta

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, është takuar sot me ministren e Mbrojtjes së Italisë, Elisabetta Trenta, të cilën e ka njoftuar për zhvillimet e fundit politike në vend, përmirësimin e situatës së sigurisë, ndërtimin e raporteve të mira me fqinjët, dhe për të arriturat e Kosovës në ndërtimin e një sistemi të mirë në sundimin e rendit dhe ligjit.

Duke vlerësuar rolin e madh të Italisë për progresin e Kosovës, kryeministri Haradinaj shprehu përkushtimin për bashkëpunim të mëtejmë me Italinë, duke kërkuar mbështetjen e ministres Trenta në proceset e rëndësishme për vendin, me theks të veçantë për tranzicionin e FSK-së në ushtri të Kosovës.

“Duhet të jeni krenarë me ushtarët tuaj që i keni dërguar në Kosovë. Ata kanë shërbyer me profesionalizëm dhe dinjitet dhe i kanë dhënë imazhin më të mirë vendit tuaj. Kosova është e gatshme t’i bashkohet misionit të NATO-së në ofrimin e paqes në botë”, ka shtuar Kryeministri Haradinaj.

Ministrja e Mbrojtjes e Italisë, Elisabetta Trenta, vlerësoi të arriturat në të gjitha fushat me rëndësi për vendin, duke theksuar përkrahjen e mëtejme të Italisë në proceset nëpër të cilat po kalon Kosova.

Në takim të pranishëm ishin edhe ministri i Forcës së Sigurisë në Kosovë, Rrustem Berisha, komandanti i FSK-së  Rrahman Rama dhe ambasadori i Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi.

Kryeministri Haradinaj, po ashtu mori pjesë edhe në nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Italisë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...