Një delegacion i madh do të shkojë në New York, nuk konfirmohet takimi Thaçi - Trump

Aktuale

Një delegacion i madh do të shkojë në New York, nuk konfirmohet takimi Thaçi - Trump

Më: 18 shtator 2018 Në ora: 16:21
Krerët e shtetit të Kosovës

Këshilltari i Presidentit, Ardian Arifaj, ka thënë se Thaçi do të udhëtojë në fillim të javës së ardhshme drejt SHBA-ve, por nuk ka konfirmuar takimin Thaçi –Trump. Përveç presidentit, sipas traditës së keqe në New York, do të udhëtojë një delegacion i madh, përfshirë kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm.

Arifaj ka thënë se javën e ardhshme do të niset drejt Amerikës, ndërsa agjenda do të publikohet ditëve të ardhshme.

“Krejt çka mund të konfirmoj është se presidenti Thaçi do të udhëtojë gjatë fillimit të javës drejt SHBA-ve, e për atë se më kë do të takohet e çka do të diskutohet, do ta publikojmë agjendën ditëve në vazhdim”, ka thënë Arifaj.

Drejt New York-ut nga Kosova do të udhëtojë një delegacion i madh. Lista fillon me presidentin Hashim Thaçi, e pasohet nga kryeministri Ramush Haradinaj dhe zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli.

Atje do të mbahen punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku delegacioni i Kosovës përfaqësohet në kapacitetet jozyrtare për shkak që Kosova nuk është pjesë e OKB-së.

Bashkë me udhëheqësit e Kosovës, në OKB do të jetë edhe ambasadorja e Kosovës në Washington, Vlora Çitaku.

Këshilltari politik i ministrit të MPJ-së, Fatmir Haxholli, e ka konfirmuar për Express pjesëmarrjen e krerëve shtetërorë në margjina të punimeve të Asamblesë së OKB-së.

“Duhet të theksohet se në një interval të shkurtë kohor, disaditor, në kuadër të një agjende dinamike, në takimet tashmë të konfirmuara dhe takimet të cilat do të ndodhin në kuadër të punimeve, nga delegacioni më i lartë shtetëror i Republikës së Kosovës, mund të realizohen mbi 100 takime të nivelit më të lartë”, ka thënë ai.

“Prej tyre, ministri i Punëve të Jashtme tashmë ka konfirmuar afër 50 takime në nivel të lartë, ku kryefjala e këtyre takimeve do të jetë anëtarësimi në INTERPOL, rritja e numrit të njohjeve, dhe promovimi i imazhit të Republikës së Kosovës si një vend me potencial ekonomik. Ministri i Punëve të Jashtme nga nesër fillon me agjendën e takimeve”, tha Haxholli.

E ndonëse në media dje gjatë ditës u raportua se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do ta shfrytëzojë këtë vizitë për t'u takuar me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, ku do të diskutojë për idenë e tij për shkëmbimin e territoreve, apo siç po e quan ai “korrigjim të kufijve”, një gjë e tillë nuk është përmendur nga Presidenca. 

Ka gjasa që Trump-i ta takojë shkurtimisht Thaçin në pritjen tradicionale që Presidenti i SHBA-së organizon për liderët botërorë ku realizohet një fotografi e mysafirit me çiftin presidencial amerikan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat