Zona e Drenicës ka pasur 5 mijë e jo 7 mijë ushtarë. Dëshmia e Sami Lushtakut për rastin ‘Veteranët’

Aktuale

Zona e Drenicës ka pasur 5 mijë e jo 7 mijë ushtarë. Dëshmia e Sami Lushtakut për rastin ‘Veteranët’

Më: 18 shtator 2018 Në ora: 19:52
Sami Lushtaku

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK),  të premten e javës së kaluar ka ngritur aktakuzë kundër: Agim Çekut, Nuredin Lushtakut, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari, për shkak të keqpërdorimit të pozitës zyrtarë në rastin e veteranëve.

Lajmi ka siguruar aktakuzën e plotë, mbi 900 faqe, që Prokuroria Speciale e Kosovës e ka dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër 12 të pandehurve.

Në aktakuzën Prokuroria thotë se kundër 12 të akuzuarve për fryrje të listave të veteranëve ka mbledhur fakteve të ndryshme dhe ka intervistuar disa persona, ndër ta Sami Lushtakun, Rrahman Rama, Avdi Rraci, Hysni Ngucati, Spiro Butka, Bujar Shala.

Prokuroria gjithashtu thotë se posedon audio-incizime dhe dokumentacione nga më të ndryshme që vërtetojnë se të lartpërmendurit kanë abuzuar me detyrën zyrtare.

Në aktakuzën e prokurorisë është edhe deklarata e ish-komandanti i Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtaku, ku flet për mashtrimet me listat e veteranëve.

Mirëpo nga audioincizimet e mbledhjeve të komisionit për veteranët që janë mbajtur vazhdimisht, prokuroria thotë, se ka pasur diskutime ku pranohet nga vet anëtarët e komisionit se numri i veteranëve është shumë i madhe, bile shihet se është diskutuar se si të kamuflojnë situata për rrjedhën e procesit.

Në mbledhjet që në fillimet e tij ka mbajtur Komisioni për Verifikimin e Veteranëve, që ishte edhe Lushtaku, sipas dëshmive të prokurorisë, konfirmon se ka pasur shkelje të ligjit dhe garë mes komandantëve të zonave për fryrje të listave.

“Sami Lushtaku e konfirmuar se ka pas gabime e shkelje, ka pas një garë në mes komandateve,duke përmendur shifra konkrete, për zonat tjera përfshirë edhe vet zonën e Drenicës, i cili thotë nga 5.000 tani janë bërë 7.000, flet edhe për Shtabin e Përgjithshëm.. vazhdon nga minuti 46:00 Avdi Rraci, i cili pajtohet me Rrahman Ramën dhe Sami Lushtakun dhe e konfirmon se listat gjithnjë kanë ardhur duke u rritur…”, thuhet në aktakuzë.

Anëtarët e komisionit ishin të vetëdijshëm se kishte manipulime dhe fryrje të listave, andaj Lushtaku në një mbledhje tjetër të komisionit thotë se listat duhet të pastrohen dhe të mos amnistohet askush.

“Në mbledhjen e dytë të KVSH-së, të datës 24.12.2011 Sami Lushtaku thotë se nëse ne duam t’i pastrojmë listat, atëherë ne duhet të jemi sa më korrekt, të ndahen ushtarët nga pjesëmarrësit e luftës, duke mos ofruar amnisti për askënd përfshirë edhe operacionin Shigjeta si dhe nuk pajtohet në asnjë aspekt me ata që kanë ikur nga lufta e UÇK-së. Po ashtu Sami Lushtaku dhe Rrahman Rama, deklarojnë se fillimisht duhet të aprovohet ligji në mënyrë që të fillohet me procedura tjera”, thuhet më pas aty.

Sami Lushtaku përmend se numri i pjesëmarrësve është rritur edhe në Shtabin e Përgjithshëm e jo vetëm nëpër zona, duke propozuar që ata që kanë ikur nga lufta e nuk janë kthyer të mos përfshihen në lista.

Prokuroria e Kosovës në fund të muajit maj 2018 kishte ftuar për intervistë, Sami Lushtakun për të deklaruar për cështjen e skandalit të fryrjes së listave të veteraneve.

“Sami Lushtaku, në dëshminë e tij të dhënë në PSRK me datë 28.05.2018 nder tjera deklaron se ka qenë pjesë Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit, Pjesëmarrësit  dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga fillimi deri në një kohë, nuk i kujtohet saktësisht por nga koha sa ishte në paraburgim,si përfaqësues për verifikim dhe njohje te statusit të veteranit dhe kategorive tjera te dala nga lufta e UÇK-së për Zonën Operative të Drenicës është caktuar Nuredin Lushtaku, i cili në të njëjtën kohë ka qenë komandant i brigadës 114 “Fehmi Lladrovci”. Deklaron se për kohën sa ka qenë pjesë e komisionit të lartëcekur, komisioni ka pasur një rregullore te punës dhe se është mbajtur evidence për punën e këtij komisioni. Dëshmitari deklaron se gjatë punës se komisionit nuk është respektuar ligji, se komisioni ka marrë vendime me shumicë votash për mbarëvajtjen e procesit të Njohjes dhe Verifikimit te Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit,  Pjesëmarrësit  dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, se ka pas raste që nuk është pajtuar me Komisionin. Po ashtu deklaron se menjëherë pas lufte, në Z.O.D numri total i veteranëve ka qenë përafërsisht afër 5.000 veteran luftëtar, pa e përfshirë logjistikën. Po ashtu deklaron se ne Komision janë diskutuar edhe listat e invalidëve dhe dëshmorëve te UÇK-së, ka pasur mospajtime dhe reagime qoftë për favorizime apo diskriminime, se ai ka pasur vërejtje për rritjen e numrit te veteraneve si dhe për përdorimin e kritereve te ndryshme nga zonat operative, ndërsa për numrin e përgjithshëm të veteraneve në tërë Kosovën nuk e din me saktësi, por shifrat prej40.000, 45.000 apo 46.000 as për afërmi nuk përputhet me realitetin, duke deklaron po ashtu se nuk është e vërtetë që kemi pasur një numër kaq të madh të veteranëve”, thuhet në aktakuzën e prokurorisë ndaj dëshmisë që Lushtaku ka thënë në intervistën e tij në fund të muajit maj 2018.

Pjesë e të akuzuarve sipas aktakuzës që ka lënë gati ish-prokurori, është edhe Nuredin Lushtaku, i cili për një kohë e kishte zëvendësuar si komandant Sami Lushtakun në Zonën e Drenicës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat