Ka vdekur gjenerali gjerman që i dha oficerit serb 28 minuta kohë për t’u larguar nga kufiri në Morinë - Bota Sot
Ka vdekur gjenerali gjerman që i dha oficerit serb 28 minuta kohë për t’u larguar nga kufiri në Morinë

Aktuale

E hënë, 22 tetor 2018

Ka vdekur gjenerali gjerman që i dha oficerit serb 28 minuta kohë për t’u larguar nga kufiri në Morinë

Më: 19 shtator 2018 Në ora: 19:07
Pamje nga videoja

Në qershor të vitit 1999 gjenerali Helmut Harff dridhej nga padurimi. Nga shtabi i NATO-s në Durrës ai po përgatiste hyrjen e trupave gjermane në Kosovë, por rrugët e Shqipërisë veriore ishin më shumë shtigje të dhive dhe deleve. Koha nuk mjaftonte, KFOR-i në Kosovë duhej të hynte sa më shpejt në mënyrë që të mos krijohej asnjë vakuum i sigurisë, ndërsa ushtria serbe ishte duke u larguar.

Ende nuk ishte e qartë se nga do të hynin trupat gjermane në Kosovë: përmes Kukësit apo nga Tetova? Për të hyrë nga Maqedonia Harff kishte marrë lejen nga ushtria maqedonase. Por, gjatë takimit me shefin e armatës maqedonase, «një burrë me vetulla leshatore» (sipas «Der Spiegel»), gjenerali gjerman ishte habitur kur oficeri nga Shkupi së pari po i tregonte gjerë e gjatë mbi problemet e tij reumatike.

Harff komandoi trupat gjermane, të cilat hynë në Kosovë në qershor 1999, pasi NATO kishte bombarduar Serbinë 78 ditë me radhë dhe e kishte detyruar të largojë forcat e saj nga Kosova. Legjendar është debati i gjeneralit Harff me një komandant të ushtrisë serbe, i cili fillimisht kishte refuzuar të lironte pikën kufitare të Morinës. Harff i tha oficerit serb se i «keni 30 minuta» për t’u larguar. Debati vazhdoi edhe pak dhe Harff tha: «Ky është fundi i muhabetit. I keni edhe 28 minuta». Serbët u larguan.

Vite më vonë gjenerali Harff kështu ia shpjegoi skenën në Morinë revistës gjermane «Stern»: «Ishim marrë vesh që serbët të largoheshin, për t’ua mundësuar trupave gjermane hyrjen në Kosovë. Kur aterrova aty me helikopter, komandantëve serbë as që u shkonte mendja të largoheshin. Nëse në këso situatash ia filloni të negocioni, atëherë keni humbur».

Në pyetjen e «Stern» se si do të sillej po të mos merrej seirozisht kërkesa e tij nga serbët, Harff u përgjigj: «Nëse keni qenë 40 vjet ushtar, ju keni një refleks të mirë, edhe për palën tjetër. E dija se ata (serbët) vetëm po përpiqen të krekosen, por në fakt u kishte hyrë tuta në bark. Nga momenti kur ka filluar hyrja e KFOR-it, ushtarët serbë kishin vetëm një hall: si të kthehemi të padëmtuar në shtëpi?» Në këtë intervistë të dhënë në vitin 2001 Harff tregonte se së shpejti do të vizitonte Kosovën, Bosnjën, Kroacinë, Malin e Zi: «Serbinë do ta lë anash. Besoj se atje jam person i padëshirueshëm». Harff kishte thënë se politikisht lufta e Kosovës nuk ishte e përgatitur si duhet nga Perëndimi. Ai kritikonte sidomos deklaratat e politikanëve perëndimorë se nuk do të ketë ndërhyrje tokësore në Kosovë.

Harff ishte parashutist dhe kjo shihej nga figura e tij. Shokët e tij ushtarë dhe oficerë e quanin «gjeraqinë».

Ai ishte njëri nga ushtarakët gjermanë që ndikoi më së shumti që Bundeswehri të shndërrohet në ushtri që merr pjesë në operacione paqësore – dhe në raste urgjente edhe në luftë, si në Kosovë më 1999. Përveç në Kosovë Harff më herët kishte shërbyer si komandant i brigadës së parashutistëve gjermanë në Misionin e OKB-së UNOSOM II në Somali. Më 1997 ishte shef i shtabit të divizionit multinacional në Mostar.

Gjenerali Helmut Harff, i lindur më 5 qershor 1939, vdiq më 8 shtator 2018, siç mund të mësohet nga një përkujtim në gazetën «Frankfurter Allgemeine Zeitung». . /DP

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test