PDK nis zgjedhjet: A do të ketë guxim dikush ta sfidojë Veselin?

Aktuale

PDK nis zgjedhjet: A do të ketë guxim dikush ta sfidojë Veselin?

Më: 20 shtator 2018 Në ora: 16:09
Kadri Veseli

PDK ka nisur procesin e brendshëm zgjedhor. Kuvendet e para zgjedhore, sipas zyrtarëve, do të nisin nga muaji i ardhshëm por kjo parti nuk ka një afat kohor për konventën zgjedhore, kur përcaktohet për kreun e partisë. Në PDK gara për kryetar zakonisht është në korniza të formalitetit: që nga krijimi i saj, zgjedhjet mbahen me një kandidat për kryetar. Si Thaçi dikur, e tash Veseli, s’kanë pasur shanse të tjera pos të zgjidhen. Megjithatë, a do të mund të paramendohet në PDK një kundërshtar i Veselit në këto zgjedhje?

Kreu i PDK’së, Kadri Veseli, të mërkurën njoftoi se janë mbledhur Këshilli Drejtues i partisë për t’u përgatitur për zgjedhjet e brendshme.

PDK nuk shquhet për garë a konkurrencë të brendshme. Në asnjë kuvend zgjedhor të kësaj partie demokratike, nuk ka pasur dy kandidatë për kryetar.

Nënkryetari i PDK’së, Memli Kransiqi ka thënë se nuk është shfaqur ndonjë kandidat për kryetar meqë akoma nuk është hapur kandidatura.

“Ende nuk ka asnjë kandidature zyrtare, meqë nuk janë hapur afatet e kandidimit”, ka thënë Krasniqi. 

Pritet që kandidat, ndoshta i vetëm, të jëtë kryetari i tanishëm, Kadri Veseli.

Këto zgjedhje gjejnë PDK’në të përgjysmuar me numrin  e deputetëve dhe të komunave, por për këtë gishti nuk drejtohet kah Veseli. Ajo tanimë ka vetëm 23 deputetë e pesë komuna.

Menjëherë pas zgjedhjeve lokale, në nëntor të vitit të kaluar,  zyrtarë të PDK’së kishin paralajmëruar se do të mbanin zgjedhje të brendshme, por këto nuk do të ishin si rezultat i pakënaqësisë për humbjen e madhe të partisë.

Në zgjedhjet e para të PDK’së me në krye Veselin, në qendroret dhe ato lokalet, partia u përgjysmua në numrin e deputetëve dhe të komunave. Për kompromise që nuk do ta nxirrnin krejt jashtë lojës, dorëzoi kandidaturën për kryeministër më pas edhe bastionin e PDK’së Skenderajn, duke mos vendosur kandidat për kryetar.

Edhe Krasniqi ka treguar se ka nisur procesi zgjedhor për zgjedhje të brendshme, mirëpo dita se kur PDK do të ketë kryetarin e ri, ose kryetarin e vjetër me mandat të ri, varet nga dinamika e këtij procesi.

“Procesi i brendshëm zgjedhor në PDK tashmë ka filluar dhe presim që Kuvendet e para zgjedhore në nivel te nëndegëve të mbahen që ne fillim të muajit tetor”, ka thënë nëkryetari i PDK’së, që po ashtu është shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie.

“Për ne është e rëndësishme që procesi të rrjedhë në mënyrën më të mirë të mundshme, në pajtim me Statutin e partisë dhe rregulloret tona të brendshme, ndërsa përfundimi i procesit, pra data e mbajtjes se Konventës Zgjedhore, do të varet edhe nga dinamika e përfundimit të procesit zgjedhor ne nivel te degëve tona”, ka shtuar ai.

Veselit iu trashëgua posti i kryetarit, e bashkë me të edhe gjendja e partisë, që më nuk do të ishte në shkëlqimin e saj.

Thaçi ishte i pakonkurrencë në krye të partisë që doli nga lufta. Njësoj edhe Veseli, i cili pati rrugën krejt të hapur në PDK, që nga dita kur vendosi të bëhej zyrtarisht pjesë e kësaj partie. Veseli hyri për të qenë i pari i partisë.

Rezervimi i pozitës së presidentit për Thaçin bëri që Veseli të kalonte nga figura e mitizuar e kësaj partie në zyrtar të PDK’së në vitin 2013 si nënkryetar, për të vazhduar më tej si kryetar i Kuvendit e edhe i PDK’së.

Ndërsa Thaçi kishte 'eliminuar' nga partia figurat e pabindura të partisë. Derisa po udhëhiqte partisë, asaj iu larguan dy nga figurat kryesore Jakup Krasniqi dhe Fatmir Limaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat