Jakup Krasniqi paralajmëron tërheqjen e NISMA-s nga koalicioni qeverisës: Së shpejti dalim me qëndrim - Bota Sot
Jakup Krasniqi paralajmëron tërheqjen e NISMA-s nga koalicioni qeverisës: Së shpejti dalim me qëndrim

Aktuale

E diel, 21 tetor 2018

Jakup Krasniqi paralajmëron tërheqjen e NISMA-s nga koalicioni qeverisës: Së shpejti dalim me qëndrim

Më: 21 shtator 2018 Në ora: 00:37
Jakup Krasniqi

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate Jakup Krasniqi, konsideron se qeveria aktuale, pjesë e të cilës është edhe partia e tij nuk po e udhëheq mirë vendin. Në këto rrethana, ai nuk e ka mohuar se zgjedhjet mund të jenë si opsion i duhur.

Megjithatë, karshi situatës së krijuar në vend, sipas Krasniqit partia e tij së shpejti do të dalë me një qëndrim, nëse do të vazhdojë edhe më tutje të jetë pjesë e kësaj qeverie apo të largohet.

“Së shpejti do ta kemi qëndrimin tonë. Vetë gjendja në të cilën ndodhet vendi, tregon që nuk është e mirë kjo qeveri”, tha Krasniqi.

Marrë për bazë gjendjen në vend, sipas Krasniqit me liberalizim të vizave, do të ndodh edhe një valë e re e ikjes së qytetarëve, veprim ky i cili sipas tij do të sjell pasoja në vend.

“Unë i frikësohem liberalizimit të vizave, do ta kemi një valë të ikjes. Kosova do të mbetet pa fuqi punëtore”, u shpreh ai.

Kreu i Këshillit Kombëtar të NISMA-s, nuk e ka cilësuar si serioz paralajmërimin e partive opozitare për rrëzimin e kësaj qeverie përmes mocionit të mosbesimit, me arsyetimin se nuk janë të bashkuar.

“Unë mendoj që në rëndë të parë opozita nuk është e bashkuar. Një opozitë e bashkuar ka qenë vetëm në mandatin e kaluar”, tha ai.

I pyetur për çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, Krasniqi ka mohuar ta ketë ndërruar qëndrimin e tij karshi kësaj çështje, përkundër faktit se deputetët nga radhët e NISMA-s kanë votuar “pro” ratifikimit të marrëveshjes.

Pavarësisht faktit se ka kaluar një vjet prej kohës kur koalicioni qeverisës PDK-AAK-NISMA dhe AKR kanë formuar qeverinë, Krasniqi mohon të jetë takuar me kreun e ekzekutivit Ramush Haradinaj dhe Presidentin e shtetit Hashim Thaçi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test