Gjykata Speciale po merret me zbardhjen e vrasjes së Ahmet Krasniqit, flet vëllai i kolonelit: Nëse është Hashim Thaçi...

Aktuale

Gjykata Speciale po merret me zbardhjen e vrasjes së Ahmet Krasniqit, flet vëllai i kolonelit: Nëse është Hashim Thaçi...

Më: 23 shtator 2018 Në ora: 17:04
Behxhet Kransiqi

Gjykata Speciale është duke u marrë me zbardhjen e vrasje së Ahmet Krasniqit, ish-Ministër i Forcave të Armatosura të Qeverisë në Ekzil. Këtë e ka konfirmuar Behxhet Kransiqi, vëllai i Kolonelit.

“Gjykata Speciale ka fillu me u marrë me këto sene, na ka njoftu që e ka në juridiksionin e vet”, ka thënë Bexheti.

Ai ka konfirmuar se do të zbardhet vrasja e Ahmet Krasniqit nga drejtësia ndërkombëtare.

“Familja është kontaktu, ka marrë përgjigje që ata e kanë nën juridiksion kjo nuk do të jetë e mbyllur. Ka me zbërthy nashta ka me zgjat pak ama e vërteta ka me dalë sheshit”, ka thënë Behxhet Krasniqi, vëllai i ish-Ministrit të Mbrojtjes.

Asnjë prokuror në Kosovë nuk është marrë me zbardhjen e vrasje së Krasniqit pavarësisht se në këto 20 vjet janë përmendur disa emra të mundshëm si të përfshirë në vrasje.

Ndërkohë, në ditën e rivarrimit të eshtrave të Ahmet Krasniqit në Prishtinë doli Gani Geci me akuza se Presidenti aktual, Hashim Thaçi, kishte dhënë urdhër për vrasjen e Krasniqit. Madje, Geci tha se do të jetë dëshmitar i Gjykatës Speciale në ballafaqim me ish-udhëheqësin politik të UÇK’së.

Vëllai i Ahmet Krasniqit thotë se nëse Thaçi qëndron prapa vrasjes së kolonelit duhet ta marrë dënimin e merituar.

“…nëse është Hashim Thaci uroj që ta marrë dënimin e merituar”, ka deklaruar Behxheti, rrëfimin e plot të të cilit mund ta ndiqni në edicionin e lajmeve në T7, në orën 19.30.

Ahmet Krasniqi ishte udhëheqës i Ministrisë së Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK). Kishte shkuar në Shqipëri për të përgatitur ushtarët të hynin në Kosovë, një pjesë e të cilëve kishin hyrë përmes Betejës së Koshares.

Para se të vritej, Ahmet Krasniqi ishte çarmatosur dhe i ishin konfiskuar disa armë nga institucionet e sigurisë së Shqipërisë. Në kohën e vrasje së Krasniqit në pushtet në Shqipëri ishte PS’ja, ndërsa Shef i SHIK’ut, Fatos Klosi, tash veteran i UÇK’së.

Ish-Ministri i Mbrojtjes i Qeverisë në Ekzil, Ahmet Krasniqi është ekzekutuar më 21 shtator 1998 në Tiranë, në moshën 50-vjeçare. Trupi i tij ishte varrosur fillimisht në varrezat e Sharrës, shumë pranë mikut të tij Azem Hajdari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat