E refuzuan protestën e 29 shtatorit, ja si i përgjigjet VV-ja, LDK-së dhe PSD-së

Aktuale

E refuzuan protestën e 29 shtatorit, ja si i përgjigjet VV-ja, LDK-së dhe PSD-së

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 24 shtator 2018 Në ora: 12:12
Lëvizja Vetëvendosje

Lëvizja Vetëvendosje është duke shpresuar që në protestën e 29 shtatorit të ketë pjesëmarrës edhe të dy partive tjera opozitare.

Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosjes ka bërë thirrje që më 29 shtator të protestohet në sheshet e Prishtinës për ta kundërshtuar iniciativën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për korrigjim të kufijve dhe kompromise të dhimbshme me Serbinë në kuadër të fazës finale të dialogut.

Mirëpo, ftesës së partisë së Kurtit nuk do t’i bashkëngjiten dy partitë tjera opozitare, LDK dhe PSD.

Lidhja Demokratike e Kosovës është shprehur kundër protestës së VV-së, duke thënë se ata vetë do të organizojnë protesta për kundërshtimin e Thaçit, pasi që sipas tyre, protestat e Vetëvendosjes janë të dhunshme dhe jo paqësore.

Ndërsa, Partia Socialdemokrate që në përbërje ka ish- bashkëpartiakët e VV-së, është shprehur kundër protestës, pasi sipas tyre, protesta e VV-së nuk ofron zgjidhje dhe tashmë ata kanë paraqitur një rezolutë në Kuvend, që mundëson një zgjidhje të mirëfilltë duke përcaktuar platformën dhe ekipin me dy të tretave të votave.

Përkundër, refuzimit të dy partive opozitare, Lëvizja Vetëvendosje është duke shpresuar se në protestën e 29 shtatorit do të jenë anëtarë dhe përfaqësues të dy subjekteve.

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arërbie Nagavci, ka thënë për “Bota sot”, se çështja për të cilën po protestohet është në interes të përgjithshëm dhe për sovranitetin e vendit.

Image
Arërbie Nagavci

Prandaj, Nagavci shpreson që në protestë do të ketë edhe elektorat të LDK-së dhe anëtarë të tyre.

Ajo ka treguar se nga takimet e vazhdueshme dhe të shumta me qytetarët është parë përkrahja e madhe për protestën e 29 shtatorit.

“Ne mendojmë se çështja është në interes të përgjithshëm dhe kjo është për sovranitetin e vendit, shpresojmë që do të kemi edhe përfaqësues të këtyre subjekteve, domethënë edhe elektorat të LDK-së, anëtarë të LDK-së që do të marrin pjesë në protestë. Takimet e shumta dhe të vazhdueshme që i kemi me qytetarët gjithandej në Republikën e Kosovës, kanë një përkrahje të madhe për protestën dhe ne jemi të sigurt që do të kemi në protestë edhe anëtarë dhe përfaqësues të dy subjekteve tjera opozitare”, ka thënë Nagavci për “Bota sot”.

Përkrahje për protestën e 29 shtatorit, Lëvizja Vetëvendosje e ka edhe nga diaspora shqiptare.

Nagavci ka treguar për “Bota sot”, se ata kanë thirrje nga mërgimtarët të cilët janë shprehur të gatshëm për protestë dhe kësisoj kanë rezervuar tashmë biletat.

“Nga diaspora çdo ditë na vijnë thirrjet se tashmë ata edhe i kanë rezervuar biletat, përkrahja nuk është vetëm përmes deklaratave, por edhe përmes pjesëmarrjes fizike të qytetarëve që do të bëhen pjesë e protestës”, ka pohuar Nagavci.

Protestën e Vetëvendosjes e ka përkrahur deputeti i pavarur në Kuvendin e Kosovës, Korab Sejdiu.

Sejdiu ka thënë se me datën 29 shtator në ora 14:00 do të ndodhë protesta e qytetarëve të Kosovës duke shtuar se të gjithë kemi përgjegjësi që të revoltohemi ndaj komplotit të planifikuar nga disa kriminelë pushtetarë për shkatërrimin e Republikës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat