Nju Jork, nisin takimet për Kosovën, Thaçi dhe Haradinaj u takuan me Senatorin Johnson

Aktuale

Nju Jork, nisin takimet për Kosovën, Thaçi dhe Haradinaj u takuan me Senatorin Johnson

Beqir Sina Nga Beqir Sina Më 25 shtator 2018 Në ora: 06:11
Takimi i lidereve nga Kosova me senatorin Johnson ne SHBA

Presidenti Hashim Thaçi, Kryeministri Ramush Haradinaj filloi sot vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Presidenti Thaçi dhe Kryeministri Haradinaj, ministri i jashtëm Behgjet Pacolli gjatë datave 23- 26 shtator realizon një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në takimet bilaterale me liderit botëror punimet e sesionit të 73-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Gjatë qëndrimit në Nju-Jork, Presidenti Thaçi sot në mbrëmje pritet të takohet me Presidentin Trump, në pritjen tradiconale që Presidenti i Shteteve të Bashkuara shtron në New York, për nder të liderëve botërorë të cilët janë pjesëmarrës në punimet e Sesionit të 73-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Nesër, Presidenti Thaçi pritet të takohet edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, dhe të mbajë takime bilaterale me udhëheqës nga vendet të ndryshme të botës.

Thaçi dhe Haradinaj gjatë qëndrimit në Nju Jork, do të takohen edhe përfaqësues të diasporës dhe me përfaqësues të investimit dhe bizneseve shqiptare e amerikane dhe do të bëjë thirrje atyre për investim në Kosovë.

Sot  pasdite Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, të cilët po qëndrojnë në vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë zhvilluar një takim në zyrat e Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës në Nju Jork, me senatorin amerikan, Ronald Johnson, anëtar i Komitetit të Senatit për Politikë të Jashtme i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, njofton "Bota sot" nga Nju Jorku.

“Në këtë takim Kryeministri Haradinaj e ka njoftuar Senatorin Johnson për progresin e arritur në vend, veçmas në fushën e rendit dhe ligjit dhe përkushtimin e Qeverisë në fuqizimin ndërkombëtar të vendit, anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, punën drejt transformimit të FSK-së në Ushtri dhe tema të tjera me interes për vendin”.

Në këtë takim Haradinaj ka theksuar se Kosova është e përkushtuar ta forcojë partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në çdo fushë me interes për të dyja vendet dhe ka ritheksuar qëndrimin e Qeverisë së Kosovës për miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për integrimet euro-atlantike.

“Shtetet e Bashkuara ishin krah nesh në secilën etapë të shtetndërtimit tonë dhe orientimi ynë si vend është krah politikave të miqve tanë”, theksoi Haradinaj.

Senatori Johnson e ka përshëndetur angazhimin e Qeverisë së Kosovës në tema të ndjeshme për sigurinë dhe ka shprehur gatishmërinë për ta përkrahur vendin në proceset integruese dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.

Në takim kanë qenë të pranishëm edhe zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Jashtëm, Behgjet Pacolli, dhe ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, raporton "Bota sot" nga Nju Jorku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat