Thaçi dekoroi vëllezërit Bytyçi me urdhrin “Heroi i Kosovës”

Aktuale

Thaçi dekoroi vëllezërit Bytyçi me urdhrin “Heroi i Kosovës”

Më: 26 shtator 2018 Në ora: 17:03
Hashim Thaçi dekoroi vëllezërit Bytyçi me urdhrin “Heroi i Kosovës”

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në një ceremoni në Konsullatën e Kosovës në Nju Jork, ka dekoruar me urdhrin “Heroi i Kosovës”, tre vëllezërit Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçin, të vrarë nga forcat serbe si dhe batalionin “Atlantiku” me Medaljen Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Kreu i shtetit me këtë rast tha se shqiptarët në Amerikë kanë ndarë kafshatën e bukës për të mbështetur luftën në Kosovë.

“Ju asgjë nuk keni kursyer për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Në mesin e njerëzve atdhetar që kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në luftime, në fronte të luftës, ishin edhe vëllezërit Bytyçi të edukuar në një familje atdhetare”, ka thënë ai.

Ndërkaq, babai i tre vëllezërve, Ahmet Bytyçi ka thënë se një mirënjohje të tillë gjithmonë e ka pritur, duke shtuar se ajo nuk është vetëm për fëmijët e tij, por për të gjithë të rënët për liri.

“Këtë gjë e kam prit, e kam pas ëndërr. Edhe ende më duket që jam në ëndërr. Çdo njeri nga ju qofshi me nderë”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi, në të njëjtën ceremoni, me medaljen jubilare të dhjetëvjetorit të pavarësisë së Kosovës, ka dekoruar të gjithë ushtarët e batalionit “Atlantiku”.  Ai ka thënë se lufta e tyre solli lirinë dhe pavarësinë, derisa sot janë ura lidhëse e marrëdhënieve të përjetshme me SHBA-të.

Në emër të ushtarëve, dekoratën e pranoi ish komandanti i UÇK-së dhe kryetari i shoqatës “Atlantiku”, Gani Shehu, i cili theksoi se shqiptarët në Amerikë dhanë gjithçka për Kosovën.

“Kanë dhënë shumë për lirinë, dhanë mundin, dhanë edhe djemtë, që iu bashkuan UÇK-së”, ka shtuar ai.

Në këtë ceremoni, përveç shumë ushtarëve të këtij batalioni, familjes Bytyçi, mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ambasadorja në SHBA, Vlora Çitaku, Teuta Sahatqija konsulle në Nju Jork, veprimtari Hary Hajraktari dhe shumë të tjerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat