Krerët e Telekomit sot dalin para gjyqit për rastin e Z-Mobile

Aktuale

Krerët e Telekomit sot dalin para gjyqit për rastin e Z-Mobile

Më: 27 shtator 2018 Në ora: 07:24
Marrëveshja PTK- Z Mobile

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot është e paraparë që të mbahet shqyrtimi fillestar në rastin ndaj krerëve të Telekomit të Kosovës, Agron Mustafës, Ejup Qerimit si dhe Rexhë Gjonbalajt, të cilët nga Prokuroria Speciale po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare në lidhje me marrëveshjen në mes të Z-Mobile dhe Vala.

Lajmin për kallxo ka konfirmuar gjyqtari i rastit, Lutfi Shala. Ai tha se të enjten është caktuar që të mbahet shqyrtimi fillestar ndaj të akuzurave të këtij rasti.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Ejup Qerimi gjatë periudhës kohore shkurt 2012 – tetor 2014, duke shfrytëzuar detyrën, respektivisht autoritetin zyrtar nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me qëllim që t’i shkaktojë dëme materiale dikujt tjetër. Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1, të KPRK-së.

Ndërkaq, i pandehuri Agron Mustafa nga data 19.02.2015, kur ka marrë pozitën udhëheqëse, e deri në momentin kur më datë 24.05.2017, kur edhe pse nuk ka qenë kompetent kishte  lidhur marrëveshjen për ekzekutimin e vendimit final, duke shfrytëzuar detyrën, respektivisht autoritetin zyrtar, nuk ka përmbushur detyrat e tija zyrtare, me qëllim që t’i shkaktojë dëme materiale një kompanie tjetër. Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale, “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1, të KPRK-së.

Po ashtu, në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, theksohet se i pandehuri i tretë Rexhë Gjonbalaj duke shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare nuk ka përmbushur detyrën e tij zyrtare me qëllim që t’i shkaktojë dëme materiale dikujt tjetër. Me këto veprime i pandehuri Rexhë Gjonbalaj ka kryer veprën penale, “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1, të KPRK-së.

Mësohet se aktakuza ka të bëjë me veprimet që i paraprinë vendimit të gjykatës dhe pastaj kontestit në arbitrazh, e të cilat u përmbyllën me marrëveshjen në mes të Z-Mobile dhe Valës.

Agron Mustafa dhe Ejup Qerimi, në kohë të ndryshme, kanë mbajtur pozitën e kryeshefit të Telekomit. Ndërsa, Rexhë Gjonbalaj ka qenë kryetar i bordit të Telekomit të Kosovës.

Në atë kohë, prokurori Abdurrahim Islami kishte konfirmuar se kishte nxjerrë aktvendim për nisjen e hetimeve në lidhje me dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare në lidhje me këtë rast

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat