Limaj bën apel që të bashkohen për dialogun

Aktuale

Limaj bën apel që të bashkohen për dialogun

Më: 27 shtator 2018 Në ora: 15:00
Fatmir Limaj

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj tha sot se duhet që të punohet për ta forcuar shtetin dhe për të fituar më shumë njohje.

Limaj tha kështu kur u pyet në lidhje me deklaratën e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka marrë mbështetjen për çështjen e kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Limaj ka thënë se duhet të punohet për ta forcuar shtetin dhe për të fituar sa më shumë njohje.

Limaj: Duhet ta forcojmë shtetin, edhe kjo fabrikë është në funksion të forcimit

"Ne duhet të veprojmë ta forcojmë shtetin tonë, ta afirmojmë pavarësinë e Kosovës, të fitojmë sa më shumë njohje. Edhe kjo fabrikë që e bëmë sot është në funksion të forcimit të shtetit tonë. Do të punojmë në këtë drejtim në afirmimin e fuqizimin e shtetit tonë. Natyrisht do të punojmë fuqishëm që të kemi marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët, duke respektuar interesat e gjithsecilit shtet. Kosova si shtet po rritet, po fuqizohet, po forcohet siç e keni parë edhe transformimin e FSK-së në ushtri. Kështu që jemi në rrugën e duhur", tha Limaj në Klinë ku ka marrë pjesë në vënien e gurthemelit të një kompanie në fshatin  Grabanicë.

I pari i Nismës edhe njëherë u ka bërë thirrje partive politike që të bashkohen për fazën e fundit të dialogut.

Limaj: Tema e dialogut  nuk është temë e pozitës dhe opozitës, është e shtetit

"Çështja e negociatave të dialogut është temë nacionale dhe ne jemi të interesuar që aty të jemi të gjitha forcat politike. Për këtë arsye edhe kemi shkuar të unifikohemi në parlament, sepse po të ishte objektivi i vetëm Qeverisë nuk do të kishim nevojë të shkojmë në Parlament. Ne duam që të gjithë së bashku të marrim përgjegjësinë për ta drejtuar vendin tonë, duam të gjithë së bashku të jemi unik e të bashkuar në përfundimin të atij dialogu të mundshëm me Serbinë, kështu vendi ynë të paraqitet seriozisht, i pjekur politikisht dhe t’i mbrojmë interesat si tërësi. Mos harroni tema e dialogut, temat nacionale nuk janë tema të pozitës dhe opozitës, janë të shtetit, të kombit dhe të gjithë duhet të jemi së bashku aty", tha Limaj.

Limaj që ka vendosur gurthemelin e fabrikës së metaleve "AF Metal Tecnology", ka thënë se si institucione të Kosovës do të qëndrojnë përkrah bizneseve.

Ndërsa, kryetari i Klinës, Zenun Elezaj, ka thënë se hapja e kësaj fabrike është një lajm i mirë për të gjithë qytetarët e komunës që ai drejton.

Video: Ky investim është lajm i mirë për të gjithë

"Na gëzon shumë kur bëhet fjalë që një bashkatdhetar i joni nga diaspora vjen dhe investon këtu është një lajm i mirë për të gjithë neve dhe i urojmë sukses investitorit. Do të jemi bashkë këtu, do të mbështesim si niveli lokal, i kemi premtimet edhe nga niveli qendror", tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat