Haradinaj me senatorin amerikan: Kosova është gati ta ketë ushtrinë

Aktuale

Haradinaj me senatorin amerikan: Kosova është gati ta ketë ushtrinë

Më: 28 shtator 2018 Në ora: 10:53
Ramush Haradinaj në takimin me senatorin Tom Cotton

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është takuar në Senatin Amerikan me senatorin Tom Cotton.

Haradinaj, e njoftoi senatorin Cotton për prioritetet e Qeverisë, me theks të veçantë për fuqizimin e sektorit të sigurisë në Kosovë dhe kompletimin e kësaj infrastrukture jetike për vendin. 

“Kosova është gati ta ketë ushtrinë e saj dhe e gatshme që në funksion të paqes kudo në botë të jetë pjesë e misioneve ndërkombëtare të lirisë të udhëhequra nga SHBA”, tha kryeministri Haradinaj. 

Senatori Cotton u informua edhe për prioritetet e Qeverisë, me fokus kryesor në zhvillimin ekonomik, sundimin e ligjit, përmbushjen e agjendës evropian, si dhe në fuqizimin e institucioneve demokratike.

Kryeministri Haradinaj, shprehu mirënjohjen e Qeverisë dhe të qytetarëve të Kosovës për përkrahjen e pazëvendësueshme që SHBA-të kanë dhënë në të gjitha periudhat, duke kërkuar mbështetjen e mëtejme për proceset nëpër të cilat po kalon vendi. 

“Kosova dhe populli i saj do të vazhdojë ta ruajë miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe asnjëherë nuk do ta harrojmë atë çfarë SHBA-të kanë bërë për ne në kohërat më të vështira të jetës tonë”, tha kryeministri Haradinaj, duke shprehur përkushtimin e Qeverisë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit me SHBA-të.

Senatori Amerikan, Tom Cotton, vlerësoi të arriturat në Kosovë gjatë këtyre viteve, duke theksuar përkrahjen e mëtejme të SHBA-ve për Kosovën. Takimi me Senatorin Amerikan, Tom Cotton, u realizua në kuadër të vizitës zyrtare të Kryeministrit Haradinaj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si pjesë e agjendës qeveritare për të fuqizuar marrëdhëniet bilaterale me ShBA-të dhe intensifikuar përpjekjet për konsolidimin ndërkombëtarë të vendit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat