Edhe kjo deputete e LDK-së konfirmon pjesëmarrjen në protestën e VV-së

Aktuale

Edhe kjo deputete e LDK-së konfirmon pjesëmarrjen në protestën e VV-së

Nga: A.ZH Më: 28 shtator 2018 Në ora: 21:57
Protesta e VV-së, foto arkiv

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës Vjosa Osmani, ka konfirmuar se do të marrë pjesë në protestën e nesërme të thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ajo ka thënë se do të protestojë çdo ditë nëse është e nevojshme kundër ndarjes dhe zhbërjes së shtetit të Kosovës.

Osmani në një postim në Facebook, ka numëruar arsyet pse do të protestojë nesër, duke theksuar se Presidenti Hashim Thaçi dhe bashkëbiseduesit e tij serbë po negocion për kufirin, vetëm për shkak të karrierës së tij politike.

Ndryshe, pjesëmarrjen në protestën e VV-së, deri më tani e ka konfirmuar edhe deputeti tjetër i LDK-së Haxhi Avdyli, përcjell Bota sot.

Postimi i plotë i Vjosa Osmanit:

Image
Vjosa Osmani

Sot, nesër dhe çdo ditë tjetër

PROTESTOJ

kundër ndarjes dhe zhbërjes së shtetit të Kosovës

- Sepse tendenca për ndarje dhe për ndryshim kufijsh e rrezikon vetë qenësinë e shtetit të Kosovës, dhe kur rrezikohet të zhbëhet shteti, e kemi detyrim qytetar t’i themi JO.

- Sepse shpërblimi i Serbisë me tokë të Kosovës, kur asnjë lider serb nuk ka kërkuar falje për mijëra të vrarë, përfshirë shumë fëmijë, shumë të zhdukur, qindra mijëra shtëpi të shkatërruara e mbi 1 dekadë të regjimit represiv serb, nuk duhet të pranohet. 

- Sepse kur shteti është në rrezik, nuk duhet të kenë më rëndësi ideologjitë, partitë apo dallimet e tjera. Të gjithë e kemi vetem një atdhe. 

- Sepse po heshtëm tani, viktimat e luftës dhe të pasluftës në veriun e vendit nuk do të jenë të qetë në varret e tyre - sepse ata u vranë në tokat që sot disa po i quajnë ‘dhuratë nga Rankovici’; 

- Sepse po heshtëm tani, do të vdesë shpresa e çdo qytetari të veriut i cili është refugjat në vendin e tij;

- Sepse për të qenë shtet, Kosovës nuk i duhet vula e Serbisë; sepse shteti ynë ka vulën e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë; por mbi të gjitha, shtetësia jonë është vulosur nga sakrifica shumë-vjeqare e popullit tonë;

- Sepse për Presidentin dhe bashkëbiseduesit e tij është në pyetje vetëm karriera e tyre politike, por për ne është në pyetje e ardhmja e fëmijëve tanë. 

Dhe për këtë, do të protestojë jo vetëm me 29 shtator, por çdo ditë nëse është nevoja./BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat