Thaçi nga FSK-ja: Nuk preket Ujmani, Trepça e as Mitrovica

Aktuale

Thaçi nga FSK-ja: Nuk preket Ujmani, Trepça e as Mitrovica

Më: 29 shtator 2018 Në ora: 15:02
Hashim Thaçi

(E plotësuar) - Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një adresim publik para oficerëve, nënoficerëve dhe ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka thënë se procesi i transformimit të FSK-së në ushtri të Kosovës tanimë definitivisht ka hyrë në fazën e fundit dhe kjo nënkupton që në muajin në vijim të Kuvendi i Kosovës të miratojë tri ligjet për ushtrinë.

Presidenti Thaçi i njoftoi pjesëtarët e FSK-së, për vizitën në Bërnjak dhe Ujman, por edhe për vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku tha se patën rastin t’i njoftojnë bashkëbiseduesit për të arriturat e shtetit tonë por edhe të ndajnë vizionin për të ardhmen e Kosovës.

Kurse lidhur me procesin e themelimit të ushtrisë, Thaçi tha se ka besim që së shpejti do të formohet ushtria e Kosovës.

Thaçi: Ushtria së shpejti

“Procesi i transformimit të FSK-së në ushtri të Kosovës tanimë definitivisht ka hyrë në fazën e fundit dhe kjo nënkupton që në muajin në vijim të Kuvendi i Kosovës të miratojë tri ligjet për ushtrinë......Si komandant suprem i FSK-së sot, si dhe i Forcave të Armatosura të Kosovës së shpejti, e them me bindje të plotë që kjo forcë është dhe do të mbetet krenari jonë! Forcat e Armatosura të Kosovës do të kontribuojnë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë por edhe më gjerë. Do të jetë ushtri multi-etnike, në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës, në çdo pjesë të Kosovës. Hapi kryesor edhe këtu është bashkimi i të gjithëve rreth këtij synimi. Vonesa kryesore për themelimin e ushtrisë së Kosovës deri tani ka ardhur nga mungesa e unitetit të klasës politike rreth këtij vendimi. Prandaj, të bëhemi bashkë dhe të kalojmë në Kuvendin e Kosovës ligjet që i hapin rrugë themelimit të ushtrisà « dhe afrimit të Kosovës me NATO-n deri në anëtarësim të plotë”, ka thënë ai.

Ai tha se kanë marrë përkrahje për rrugën euroatlantike. Ndërsa, kur foli për qëllimet afatshkurtër, tha se synojnë anëtarësimin në INTERPOL dhe liberalizimin e vizave, ku janë përmbushur të gjitha kriteret.

“Askush në Kosovë nuk ka të drejt të rrezikoj liberalizimin e vizave për Kosovë për asnjë interes por as të cenoj asnjë interes të qytetarëve të Kosovës”, tha ai.

Ai i tha eprorëve të FSK-së se dëshiron t’i njoftojë edhe për procesin e dialogut përfundimtar me Serbinë, ku tha se me Serbinë kemi konflikt të ngrirë por nuk do të ketë shkëmbim territorësh.

Thaçi: Dyshuesit në marrëveshjen po krijojnë panik dhe mjegull

Unë kam propozuar opsionin e korrigjimit të kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kam argumentuar se marrëveshja eventuale e korrigjimit paqësor të kufirit me Serbinë, Kosovës i siguron njohjen nga Serbia dhe ulësen në Kombet e Bashkuara. Çfarë është edhe më e rëndësishme, kjo hap mundësi edhe për bashkëngjitjen e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me vendin tonë. Pra, është mundësi për të mbyllur një herë e përgjithmonë çdo kontekst që kemi të hapur me Serbinë, dhe të hapin rrugë për normalizim të mirëfilltë të marrëdhënieve tona. Dyshuesit në marrëveshjen ligjërisht obliguese në mes të Kosovës dhe Serbisë, me lehtësi po përhapin frikë për gjoja destabilizim të rajonit dhe thellim të ndarjes etnike në Ballkan. Po krijojnë panik dhe mjegull, duke i trilluar të njëjtat argumente, njësoj sikurse në prag të shpalljes së pavarësisë”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi edhe sa i përket dialogut me Serbinë, u bëri thirrje të gjithëve që të bëhen bashkë, që shikojnë përtej interesave personalë, partiakë, elektoralë, interesave të ditës, dhe të punojmë për Kosovën.

Thaçi: Të jemi unikë

“Të jemi unikë në kërkesën tonë dhe në synimin tonë. Të bëhemi bashkë të sqarojmë se çfarë dëshirojmë të arrijmë, çfarë dëshirojmë të fitojmë, por edhe çfarë jemi gati të paguajmë për të arritur këtë qëllim. Sinqerisht, kam pritur që si në Kuvendin e Kosovës, si në hapësirën e përgjithshme publike, të dëgjoj argumente e kundër-argumente racionale. Për fat të keq, më shumë kam dëgjuar zhurmë dhe në rastin më të keq edhe urrejtje. Kosova është vend shumë i vogël për të prodhuar kaq urrejtje, e cila e ndan shoqërinë tonë. Kryefjala ime sot ishte fjala bashkim. Të bëhemi bashkë për Kosovën, për të mirën e Kosovën, për të mirën e çdo qytetari tonë”, ka thënë Thaçi.

Thaçi në fund tha se nuk do të ketë as cenim të interesave strategjike të Kosovës, më saktësisht, nuk do të preket Liqeni i Ujmanit, nuk do të preket Trepça, nuk do të preket tërësia e qytetit të Mitrovicës.

***

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mbajtur një fjalim në kazermën ‘Adem Jashari’, ku ndër tjerash, ka thënë se shteti serb është pengesa më e madhe e Kosovës në rrugën e saj euro-atlantike.

Thaçi ka shtuar se sikur pesë vendet e Bashkimit Evropian t’a kishin njohur pavarësinë e Kosovës, shteti më i ri nuk do të humbte kohë në dialog me Serbinë.

Presidenti Thaçi ka thënë se Kosova do të bëhet shtet shembull  duke aluduar në shpalljen e pavarësisë kur pas saj asnjë familje serbe nuk u largua nga Kosova.

‘Kosova do të mbetet shtet i të gjithëve dhe shembull për tolerancë  pa dallim kombësie a feje dhe në asnjë rrethanë nuk preket aseti dhe mrekullia e Kosovës, Ujmani dhe Trepqa e as Mitrovica ’- ka thënë Thaçi para pjestarëve të FSK- së.

Ai poashtu ka kërkuar unitet partiak.

‘Sa herë kemi qenë të bashkuar kemi korrur sukses. Edhe në Rambuje edhe në luftë, prandaj të sqarojmë çka dëshirojmë të arrijmë’- ka shtuar Thaçi.

***

Në të njëjtën kohë kur Lëvizja Vetëvendosje po proteston kundër Presidentit Hashim Thaçi, ai po mban një fjalim në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.

Thaçi para pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka folur për të ardhmen euroatlantike, anëtarësimin në Interpol dhe liberalizimin e vizave.

“Në javët dhe muajt në vazhdim ne synojmë të anëtarësohemi në Interpol. Grupi punues është duke punuar në këtë drejtim. Është interes i Kosovës që të bëhet pjesë e këtij mekanizimi të sigurisë. Ne duhet të punojmë bashkë me botën në luftën kundër terrorizmit. I jam shumë mirënjohës Policisë që ka arritur të plotësojë çdo kusht që Kosova të marrë mbështetje sa më të gjerë për anëtarësimin në Interpol”.

“Ne i kemi plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Tash na duhet të punojmë që të bindim secilin shtet që të votojë për lëvizjen e lirë të Kosovës”.

***

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi po viziton FSK-në, ku do ta ketë një adresim publik para pjesëtarëve të forcës.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat