Kryeparlamentari Kadri Veseli, pas protestës së organizuar nga Vetëvendosja, ka thënë se me këtë nuk fiton asgjë Kosova.
Duke iu referuar protestës së sotme e cila ka përfunduar pa incidente, Veseli ka shkruar në rrjetin social Facebook, se qytetarët kanë humbur besimin në shtetin e Kosovës, ndërkaq kanë fituar inatet kundër njëri- tjetrit dhe manipuluesit politikë.
Veseli ka kërkuar të marrë fund kjo politikë, siç thotë ai, e mbrapshtë që prodhon situata manipuluese dhe të rrezikshme për vendin.
“Sot nuk fitoi asgjë Kosova. Sot humbën qytetarët e saj, u lëndua besimi i tyre në shtetin e Kosovës. Sot fituan inatet kundër njëri tjetrit dhe manipuluesit politikë. Një gjë duhet ta ketë të qartë secili: Kosova, sovraniteti i saj, integriteti i saj territorial, kufijtë e saj, veriu i saj, nuk mbrohen me demonstrime të rrejshme patriotike kundër njeri tjetrit. Duhet të marrë fund kjo politikë e mbrapshtë, që prodhon situata manipuluese dhe të rrezikshme për vendin, të tilla si të ditës së sotme. Ka vetëm një mënyrë për të mbrojtur dinjitetin e qytetarëve dhe vetë shtetin e Kosovës: duke qëndruar të bashkuar përballë Serbisë. Rrugët tjera e kanë një emërues të përbashkët: dështimin dhe dëmtimin e shtetit. Pa asnjë dilemë!”, ka shkruar Veseli në Facebook.