Haradinaj kërkon nga shqiptaro-amerikanët të investojnë në Kosovë

Aktuale

Haradinaj kërkon nga shqiptaro-amerikanët të investojnë në Kosovë

Më: 29 shtator 2018 Në ora: 19:55
Ramush Haradinaj, gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sot ka takuar shqiptaro-amerikanët dhe përfaqësuesit e shoqatave të shqiptarëve në Amerikë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sot ka takuar shqiptaro-amerikanët dhe përfaqësuesit e shoqatave të shqiptarëve në Amerikë, me të cilët ka biseduar për zhvillimet politike dhe ekonomike në Kosovë.

Kryeministri ka falënderuar diasporën e cila jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe tani në zhvillimin ekonomik dhe forcimin e shtetit demokratik.

“Jemi krenarë me diasporën tonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ju keni qenë dhe vazhdoni të jeni zëri më i fuqishëm i Kosovës, me punën dhe angazhimin tuaj keni sensibilizuar çështjen e Kosovës në momentet vendimtare”, tha Haradinaj, duke vlerësuar rolin e Batalionit Atlantiku dhe të gjithë vullnetarëve për t'i dalë ndihmë vendit në kohëra të vështira.

Kryeministri Haradinaj ka njoftuar shqiptaro-amerikanët dhe përfaqësuesit e shoqatave të shqiptarëve në Amerikë për prioritetet e Qeverisë së vendit, për hapat e ndërmarrë nga Qeveria në përmirësimin e klimës së të bërit biznes, për zhvillimin ekonomik, forcimin e demokracisë dhe konsolidimin e shtetit, duke ju bërë thirrje që suksesin e tyre në biznes ta sjellin si shembull të mirë përmes investimeve në Kosovë.

Kreu i ekzekutivit ka thënë me këtë rast se liria, pavarësia dhe shtetndërtimi i Kosovës janë të lidhura ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat janë prijëse të lirisë dhe rendit demokratik në botë, andaj u jemi mirënjohës përjetësisht.

Ndërkaq shqiptaro-amerikanët dhe përfaqësuesit e shoqatave të shqiptarëve në SHBA, gjatë takimit me kryeministrin Haradinaj kanë shprehur vullnetin dhe gatishmërinë e tyre që të investojnë në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat