Serbia, liqeni i Ujmanit dhe plani i Thaçit

Aktuale

Serbia, liqeni i Ujmanit dhe plani i Thaçit

Nga: N.Sh Më: 1 tetor 2018 Në ora: 17:17
Hashim Thaçi gjatë vizitës në liqenin e Ujmanit

Qarqet diplomatike në vazhdimësi kanë bërë thirrje që palët e dialogut në Bruksel, Kosova dhe Serbia të tregohen konstruktive dhe të punojnë për normalizimin e gjendjes e cila po mbretëron në Ballkanin perëndimor.

Vetëm normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë mund të sjellë afrimin e dy vendeve me BE-në.

Analisti politik, Ali Hertica, thekson se ruajtja e gjakftohtësisë është shumë e rëndësishme për të mos e vënë në rrezik sigurinë e rajonit.

Image
Ali Hertica

“Me tensionime të gjendjes mes Serbisë dhe Kosovës kanë reaguar edhe SHBA, dhe Bashkimi Evropian për finalen e dialogut, për përfaqësuesit politikë të Kosovës po interpretohet si pjesa finale, që duhet të përmbyllet me një marrëveshje normalizimi dhe e cila do t’i hapte rrugën Kosovës drejt anëtarësimit në Kombet e Bashkuara dhe mekanizmat e organizatat tjera ndërkombëtare”, potencon Hertica për gazetën “Bota sot”.

Ai thekson se, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë zhvillohet me përfaqësimin nga presidentët e shteteve Thaçi –Vuçiq dhe nivelet më të larta shtetërore.

Hertica tutje shton se, duke parë edhe provokimet që po ndodhin në veri të Kosovës, po duket se presidenti Aleksandër Vuçiq nuk është shkëputur plotësisht nga politika e Sllobodan Millosheviqit, i cili gjithmonë me provokimet e tilla ka arritur te caqet e veta në politikën e jashtme.

“Sidoqoftë, zhvillimet e fundit dhe vendimi i Beogradit që njëanshëm të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, si një prej arritjeve më të mëdha të këtij dialogu, dhe shkëmbim te territoreve ku si synim Serbia e ka Mitrovicën dhe liqenin e Ujmanit që do të jetë një humbje e madhe për shtetësinë e Kosovës. Por, ky plan i presidentit Thaçi do të sjellë pakënaqësi në Republikën e Kosovës dhe qarqet politike”, përfundon Ali Hertica.

Megjithatë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka vizituar liqenin e Ujmanit në vizitën e tij historike në veriun e Kosovës, pikërisht në ditën kur në Prishtinë ishin duke u mbajtur protestat kundër tij.

E pas kësaj vizite, kanë reaguar ashpër politikanët serb.

Madje ata edhe kanë kërcënuar Kosovën me luftë.

Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin ka thënë se presidenti Vuçiç ka urdhëruar rritje të nivelit të gatishmërisë luftarake pas zhvillimeve në Veri, ku presidenti Thaçi vizitoi liqenin e Ujmanit i shoqëruar nga Njësia Speciale – ROSU.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat