Blinte vota me pitalka të nxehta, emërohet zëvendësminisitre

Aktuale

Blinte vota me pitalka të nxehta, emërohet zëvendësminisitre

Më: 2 tetor 2018 Në ora: 14:33
Ish-kandidatja për deputete të koalicionit PDK-AAK-Nisma, Leonora Morina – Bunjaku dhe Kujtim Shala

Ish-kandidatja për deputete të koalicionit PDK-AAK-Nisma, Leonora Morina – Bunjaku është emëruar zëvendësministre në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Tashmë në faqen e MKRS-së është publikuar fotografia dhe biografia e Morina – Bunjakut pranë emrave të zëvendësministrave të tjerë në këtë ministri, kurse ajo në Facebook e ka dhënë njoftimin se që nga 21 shtatori ka filluar punën si zëvendësministre në MKRS.

Emri i saj u bë i njohur gjatë fushatës zgjedhore për Zgjedhjet e Përgjithshme të qershorit të vitit 2017, kur Leonora Morina – Bunjaku kandidonte për deputete të Kuvendit të Kosovës nga radhët e koalicionit PDK-AAK-Nisma.

Gjatë fushatës zgjedhore që po zhvillohej gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, furra “Pashtriku” në Gjilan për syfyr kishte dhënë pitalka falas, ndërsa këto prodhime brenda e kanë pasur kartëvizitën e Leonora Morina- Bunjakut.

Kandidatja për deputete, kartëvizitat e së cilës ishin në paketimin e pitalkave, e mohonte se organizoi këtë aktivitet, duke thënë se dikush e ka keqpërdorur emrin e saj.

“Ai s’ka qenë aktivitet, e as iniciativë e imja. Unë sinqerisht u kërkoj falje gjithë qytetarëve të Gjilanit që dikush në një mënyrë kaq të ulët ka tentuar të bëjë fushatë kundër meje. Kjo nuk është as në natyrën, as në përvojën time s’ka ndodhur. Unë bamirësi bëj me spitale, me njerëz të cilët kanë nevojë, e jo me furrë. Nuk bëhet fushatë me bukë”, pati thënë Morina-Bunjaku për KALLXO.com.

Ajo dyshonte se aktivitetin me pitalka e zhvilluan kundërshtarët e saj politikë.

“Unë nuk e di kush e ka bërë këtë, sepse nëse e kisha ditë kisha dalë publikisht”, ka thënë Morina- Bunjaku.

Leonora Morina – Bunjaku po ashtu ishte gjobitur nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) me 300 euro për shkelje të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovës.

Parashtruesi i ankesës BIRN dhe I/KS, në ankesën e deponuar në PZAP, pretendoi se gjatë ditës së zgjedhjeve më 11 qershor, kandidatja për deputete në Kuvendin e Kosovës, Leonora Morina-Bunjaku, nga koalicioni PAN, bëri shkelje të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovës.

Pretenduesi i ankesës BIRN dhe I/KS, në ankesën e deponuar në PZAP së bashku me provat e bashkangjitura faktoi se kandidatja në fjalë theu heshtjen zgjedhore duke postuar në rrjetin social “Facebook” duke treguar për mënyrën e votimit për të.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat