I dyshuari për vrasjen në AKI dërgohet në Psikiatri

Aktuale

I dyshuari për vrasjen në AKI dërgohet në Psikiatri

Më: 2 tetor 2018 Në ora: 17:17
AKI

Edhe një muaj pas vrasjes së punëtorit të AKI-së, Isa Sejdiu, nga kolegu i tij Valon Ibërdemaj, institucionet e hetuesisë kosovare nuk kanë mundur që ta zbulojnë motivin e kësaj ngjarjeje të rëndë që ndodhi në institucionin më të lartë të sigurisë në vend. Në prokurori thonë se hetimet për këtë punë po vazhdojnë. Ndërkohë deklarojnë se është intervistuar gruaja e viktimës. Por i dyshuari për këtë vrasje sipas prokurorisë ende nuk është marrë në pyetje. Kjo për shkak të gjendjes së tij emocionale.

Askush nuk po e di se si u vra punëtori i AKI-së, Isa Sejdiu, në vendin e tij të punës gjatë katër shtatorit të këtij viti. Ngjarja mbetet plotësisht e paqartë, ani se kjo vrasje ka ndodhur në institucionin më të lartë të sigurisë në vend. Sejdiu u vra me dy plumba nga kolegu i tij, po ashtu punonjës në AKI, Valon Ibërdemaj. Këtij të fundit, Gjykata i ka shqiptuar masën e paraburgimit prej një muaji.

Por, nga ana e hetuesisë kosovare ende nuk është mësuar arsyeja e kësaj vrasjeje. Të paktën kështu po deklaron prokurori i rastit, Ilaz Beqiri. Ai të hënën ka dhënë detaje rreth hetimeve për këtë  vrasje.

Ilazi ka sqaruar se është intervistuar bashkëshortja e viktimës (Isa Sjediut). Por e njëjta sipas tij gjatë intervistimit ka thënë se burri i saj, asnjëherë nuk i kishte shprehur ndonjë shqetësim rreth raporteve me kolegun e tij. Ka deklaruar se atë (Valonin), nuk e ka njohur.

“E kemi intervistuar bashkëshorten e viktimës. Ajo nuk di asgjë. Ka deklaruar se burri nuk i ka thënë asnjëherë që kanë pas diçka të keqe. Tha që nuk e ka pa kurrë të dyshuarin për vrasjen", ka sqaruar, Ilaz Beqiri, prokurori i cili është i ngarkuar me këtë rast.

Ai tha se motivet ende nuk dihen. Por që prokuroria i ka marrë disa prova të cilat do t’i dërgojë për ekzaminim. 

E ndërkohë, Prokuroria e shtetit ende nuk e ka intervistuar të dyshuarin kryesor për këtë vrasje, kolegun e Sejdiut, Valon Ibërdemajn. I njëjti sipas prokurorisë ka bërë disa vizita psikiatrike. Andaj pala mbrojtëse e tij, ka kërkuar që në këtë kohë të mos intervistohet.

“Ne jemi duke i kryer hetime. Po presim tash disa ekzaminime, të armës, disa telefona. Motivet ende nuk dihen. Ne ende nuk e kemi intervistuar personin e dyshuar. E kanë dërgua diçka në psikiatri. Avokati i tij ka thënë se njëherë nuk është në gjendje me jap deklaratë”, ka deklaruar Ilazi.

Për këtë punë,  ka folur edhe zëvendës kryeprokurori në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, Ibrahim Berisha. I njëjti deklaroi se kjo çështje ende është në fazën e hetimeve. 

Media dite më parë nga burime të saj brenda AKI-së, ka kuptuar vesh se Ibërdemaj për një kohë kishte qenë agjent në AKI. Por sjelljet e tij jokorrekte në punë, kanë bërë që zyrtarë të AKI-së që disa muaj Ibërdemajt t’ia ndërrojnë pozitën nga agjenti në sigurim.

“Qe disa muaj ai punonte si sigurim. Ka qenë më herët agjent. Nuk e dimë për vrasjen pse ndodhi. Nuk kanë pasë raporte të këqija”, thonë burimet e Express-it rreth kësaj ngjarjeje.

Ndërkohë, gjatë ditës së hënë, Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Shpend Maxhuni, ka raportuar sot para Komisionit për Mbikëqyrjen e këtij institucioni. Aty ka dhënë detaje për vrasjen që ndodhi brenda këtij institucioni para disa javësh.
Edhe pse nuk janë bërë publike detajet, kryetarja e këtij Komisioni, Ganimete Musliu, ka thënë se ato i dinë vetëm ata, duke shtuar se tashmë rasti ka kaluar në Prokurori.
“Sot kishim në raportim Shpend Maxhuni. Në detaje na ka informuar për të gjitha zhvillimet në vend. Për vrasjen në AKI është një rast i rënd tragjik me përmasa shqetësuese për opinionin. Me rastin po merret prokuroria”, ka thënë dje  Musliu.
Musliu ka thënë t’i ketë kërkuar drejtorit të AKI-së që një rast i tillë të mos ndodhë kurrë aty.

“Sot jemi marrë vetëm me punën e drejtorit dhe jo me kryeinspektorin. Rasti i vrasjes ka kaluar në prokurori dhe çdo deklaratë e jona e dëmton procesin, dhe ne jemi të interesuar që të mos dëmtojmë këtë rast dhe dorasi ta marrë dënimin e merituar. Ne kemi kërkuar që rasti i fundit të mos përsëritet”, ka shtuar ajo.

Tutje, ndaj të dyshuarit për vrasjen e Isa Sejdiut, është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji. Ai nuk ka dashur që të flasë para trupit gjykues duke zgjedhur që të mbrohet në heshtje. Ndërkohë i janë sekuestruar një armë dhe vetura personale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat