Njomza Emini mori titullin “Kalorës i Legjionit të Nderit”

Aktuale

Njomza Emini mori titullin “Kalorës i Legjionit të Nderit”

Më: 2 tetor 2018 Në ora: 18:59
Momenti kur Njomza Emini merr titullin “Kalorës i Legjionit të Nderit”

Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Njomza Emini ka pranuar sot titullin “Kalorës i Legjionit të Nderit”, i cili iu dha nga ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chabert.

Ceremonia u mbajt në Rezidencës Franceze në Prishtinë, në prani të përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës, partive politike, organizatave vendore e ndërkombëtare dhe familjarëve të kryetares së Komitetit Paraolimpik të Kosovës, Njomza Emini.

Ambasadori francez, Didier Chabert para dorëzimit të titullit, foli për punën e Njomza Eminit ndër vite. Ai tha se ajo e ka në vetvete forcën për tejkalimin e dallimeve kulturore, andaj sipas tij, ajo ftohet çdo herë të marrë pjesë në programe të ndërgjegjësimit, respektimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut.

Chabert: Titulli që po e dorëzoj është mirënjohje për punën e përmbushur

“Ky dekorim që unë do të ua ofroj ju në emër të kryetarit të Francës, është një mirënjohje për punën e përmbushur, një punë e përmbushur në shërbim të qytetarëve të Kosovës. Gjithashtu, është një shenjë për mbështetje për të gjithë punën që iu pret për të cilën jam i sigurt që këtë angazhim e keni në zemër, dhe jam i sigurt që do ta ndiqni edhe në vitet në vijim”, tha ai.

Ndërsa Emini, mes emocionesh, falënderoi shtetin e Francës që ia besoi këtë titull. Ajo tha se ky çmim është dëshmi se Franca vazhdon të mbetet shtet mik i Kosovës, me vëmendje të veçantë për zhvillimet e brendshme dhe të jashtme.

Emini: Në rrugëtimin e shtetit të Kosovës, Franca do të na përkrahë gjithmonë

“Sot Kosova ka nevojë për secilin prej nesh, dhe ky çmim është një motiv dhe obligim shtesë për mua për të arritur angazhimet në promovimin e ideve dhe bërjen e realitetit të tyre, të cilët kontribuojnë në çuarjen përpara të proceseve të rëndësishme për Kosovën dhe qytetarët e saj. Jam e bindur se në rrugëtimin tonë si shoqëri dhe si shtet, do të kemi gjithmonë në krahë Republikën Franceze, në rolin e saj udhëheqës në nivel evropian”, tha ajo.

Tutje, ajo shtoi se Kosova dhe Ballkani kanë nevojë për ndikimin e asaj që quhet rrezatimi kulturor francez,  përmes një pranie dinamike franceze në këto treva, dhe pjesëmarrje aktive në jetën socio-ekonomike dhe kulturore.

Sipas Ambasadës Franceze, kjo dekoratë i dorëzohet Njomza Eminit me motivacion për angazhimet dhe aktivitetet e saj të dalluara politike dhe shoqërore,  dhe është një nxitje për të vazhduar angazhimin e saj për të mirën e përbashkët.

I pranishëm në ceremoni ishte edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Gjithashtu, aty morën pjesë edhe deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Partisë Demokratike dhe Nismës Socialdemokrate.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat