Pa praninë e mediave, Komisioni formon panelin për zgjedhjen e bordit të KOSTT-it

Aktuale

Pa praninë e mediave, Komisioni formon panelin për zgjedhjen e bordit të KOSTT-it

Më: 3 tetor 2018 Në ora: 14:29
Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal

Mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, është mbajtur një orë më herët se që ka qenë e paralajmëruar.

Në njoftimin e Kuvendit të Kosovës, mbledhja ishte paraparë të mbahet në orën 13:00, ndërsa nuk ka pasur njoftim shtesë për ndërrimin e orës në 12, dhe një i tillë ende nuk figuron në faqen zyrare të organit legjistativ.

Zyrtarë të Kuvendit të Kosovës nuk kanë dhënë sqarime pse nuk ka pasur njoftim.

Koordinatori Armend Ademaj, ka thënë për KosovaPress se ndryshimi i kohës së mbajtjes së mbledhjes ka ndodhur me kërkesën e deputetëve.

“Nuk e di nëse iu ka shkuar mediave njoftimi për ndryshimin e orës. Ka qenë kërkesë e deputetëve që mbledhja të mbahet më herët”, ka thënë Ademaj.

Ky komision që në orën 13:00 veç se kishte përfunduar punën, vendimet e marra ka zgjedhur t’i bëjë publike përmes një njoftimi të shkurtër në faqen e Kuvendit.

Aty është bërë e ditur se Komisioni ka formuar panelin për zgjedhjen e Bordit të KOSTT-it.

“Pas debateve të zhvilluara lidhur me këtë çështje, komision vendosi që në përbërje të këtij paneli të jenë: kryetarja e komisionit, Sala Berisha- Shala, dhe deputetët, anëtarë të komisionit, Hykmete Bajrami dhe Adem Hoxha”, thuhet në njoftim.

Më tej, bëhet e ditur se komisioni ka diskutuar edhe për shkeljen e dispozitave të Ligjit për komunikime elektronike, nga anëtari i Bordit të ARKEP-it.

Ndërsa bëhet e ditur se pas shqyrtimit të këtij rasti, komisioni ka vendosur që t’i rekomandojë Kuvendit shkarkimin e anëtarit të Bordit të ARKEP-it, Shqiprim Pula, pasi që ky i fundit ka rënë ndesh me Ligjin për komunikimet elektronike.

Në sallën 204 të Kuvendit të Kosovës, ku edhe ishte paralajmëruar të mbahej mbledhja , ndodheshin shishet e zbrazëta të ujit dhe filxhanët e kafesë së bashku me shkresën e Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP). 

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat