Newsweek shkruan rreth përplasjes Thaçi-Haradinaj për kufijtë

Aktuale

Newsweek shkruan rreth përplasjes Thaçi-Haradinaj për kufijtë

Më: 3 tetor 2018 Në ora: 17:59
Thaci -Haradinaj

Revista amerikane ‘Newsweek’, i ka dedikuar një shkrim përplasjes ndërmjet kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Hardinaj, dhe presidentit Hashim Thaçi për idenë e korrigjimit dhe ndryshimit të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Siç shkruan revista amerikane, në vizitën e tij në SHBA, Hardinaj ka lobuar kundër idesë së prezantuar nga Hashim Thaçi për lëvizje të kufijve.

“Unë kam qenë pjesë e luftërave dhe tragjedive, kështu që nuk dua që fëmijët e mi të përjetojnë diçka që unë e kam përjetuar 20 vjet më parë”, ka thënë kryeministri Haradinaj në një intervistë për Newsweek.

Megjithatë edhe përkundër kundërshtimeve të Haradinajt, presidenti Thaçi në vazhdimësi ka lobuar për idenë e tij për korrigjim të kufijve dhe shkëmbim të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ide të cilën ‘The New York Times’ e ka përshkruar si “spastrim etnik paqësor”.

Por kjo ide e Thaçit ka hasur në kundërshti të forta edhe të ndërkombëtarëve.

Kryeministri Haradinaj në këtë intervistë për Newsweek është pajtuar që ka nevojë për një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por thotë se çështja e kufijve asnjëherë nuk duhet të vihet në diskutim.

“Ne kemi nevojë për një marrëveshje ligjërisht të obligueshme me Serbisë, edhe pas një të kaluare tragjike. Por territori dhe kufijtë asnjëherë nuk duhet të vihen në diskutim”, ka thënë ai.

Haradinaj thotë se një ide e tillë dërgon në një tragjedi të re.

“Është një rrugë shumë e shkurtë që dërgon në tragjedi”, ka thënë kryeministri.

Sipas tij kushdo që e përkrahë këtë ide nuk e respekton Republikën e Kosovës dhe të arriturat.

“Një ide e tillë është një kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit”, ka shtuar tutje ai.

Revista amerikane në shkrimin e saj ku flet për përplasjet ndërmjet Thaçit dhe Hardinajt për idenë e shkëmbimeve të territoreve, përmend edhe protestën e organizuar me 29 shtator nga Lëvizja Vetëvendosje, dhe gjithashtu edhe sondazhin përmes të cilit rreth 75 % e të anketuarve janë shprehur kundër idesë së shkëmbimit të territoreve.

Përveç shumicës që e kundërshtojnë këtë ide, ka të atillë që e mbështesin idenë e Thaçit.

“ Gjëja më e keqe është qëndrimi në status-quo. Edhe pse marrëveshja e për korrigjim të kufijve duket e rrezikshme, përkujtojë se qëndrimi në status-quo është një gjë e tmerrshme dhe është një ftesë e hapur për ndërhyrje të jashtme, incidente dhe konflikte”, ka thënë Petrit Selimi për Newsweek.

 Selimi në këtë intervistë ka thënë që Thaçi është njëri prej politikanëve më të besuar në Kosovë.

Por analistët thonë që shumë Kosovar nuk i besojnë Thaçit për arritjen e marrëveshjes me Serbinë.

“Opinioni publik është konfuz dhe sepse shumë gjëra janë ende mister. Së pari ka mosbesim të plotë për Hashim Thaçin dhe motivet e tij personale për të hyrë në këto bisedime”, ka thënë analisti  Agon Maliqi për Newsweek.

"Perceptimi i publikut në Kosovë është gjithashtu i i hutuar nga ndarja midis partnerëve perëndimorë, veçanërisht nga hezitimi gjerman dhe britanik për të përqafuar idenë e shkëmbimit të territoreve”, ka përfunduar Maliqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat