Vetëvendosje ka vërejtje për projektligjet për Ushtrinë e Kosovës

Aktuale

Vetëvendosje ka vërejtje për projektligjet për Ushtrinë e Kosovës

Më: 3 tetor 2018 Në ora: 18:27
FSK

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla, njëherësh anëtar i Komisionit për Siguri, ka thënë se në tri projektligjet e votuara për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri, ka vënë re disa mangësi dhe pengesa.

Sipas tij, pengesa e parë është mungesa e emërtimit Ushtri apo Forcë e Armatosur e Kosovës si pjesë e transformimit. Po ashtu, ka shtuar se ka mangësi në disa nene të projektligjeve, në veçanti për periudhën e transformimit.

“Hapi i sotëm, s’është asgjë tjetër pos ngritje e cilësisë së FSK-së. Jemi të gjithë për ngritjen e statusit të FSK-së, për Ushtrinë e Kosovës, por fatkeqësisht s’kemi ligj të mirëfilltë për Forcat e Armatosura të Kosovës. Është hequr dorë nga emërtimi FAK apo Ushtri”, ka thënë ai.

Sipas Sveçlës, mangësi në projektligje janë edhe qëllimi dhe roli i FSK-së. Ai ka thënë se në draftet e mëhershme është përmendur mbrojtja e sovranitetit, por tash është hequr terminologjia. “Është e vërtetë që përmendet forca ushtarake, por jo për mbrojtjen e sovranitetit të Kosovës”, ka deklaruar deputeti i VV-së.

Ai ka shtuar se edhe plani dhjetëvjeçar, si proces për transformim të FSK-së, është i gjatë. Sipas tij, Kosova ka nevojë për ushtri tash, “duke marrë parasysh raportin me Serbinë”.

“Në incidentin e fundit, presidenti i Serbisë shpalli gjendje të jashtëzakonshme në ngritje të nivelit të ushtrisë së Serbisë. Është e vërtetë që kemi KFOR-in e zotim nga NATO ta mbrojë Kosovën, por kemi nevojë për Ushtri të madhe e të mjaftueshme që çfarëdo apetiti të Serbisë ta kthejë mbrapsht në fillim e jo në rast të hapave tjerë nga Serbia”, ka thënë ai.

Sveçla ka thënë se pengesë është edhe përcaktimi i numrit të pjesëtarëve të Ushtrisë. Sipas tij, çdo shtet duhet të bëjë analizë se sa ushtarë i duhen vendit.

“Me ligjin e ri do të kemi 5000 pjesëtarë të FSK-së dhe 3000 rezervistë. Secili shtet e bën rritjen dhe zvogëlimin varësisht vlerësimeve të rrezikut dhe potencialit. Në projektligj s’janë përfshirë kuotat e parapara nga NATO-ja. S’është e nevojshme të caktohet numri. Në çdo rast forca ushtarake është më e madhe se policore. Kemi 8500 policë e do të kemi 5000 ushtarë me ligjin e ri”, ka shtuar Sveçla.

Ai ka thënë se pavarësisht mangësive e ka përkrahur votimin e tri projektligjeve “për shkak të vullnetit për të pasur ushtri dhe mundësisë për të ndryshuar mangësitë gjatë periudhës së transformimit”.

Sveçla ka kritikuar edhe Listën Serbe për qëndrimin kundër Ushtrisë së Kosovës. Ka thënë se nëse e konsiderojnë veten shtetas të Kosovës duhet të kuptojnë që Ushtria s’ka asgjë kundër pakicës serbe. “Forcimin e komponentës së rëndësishme siç është siguria, duhet ta dojë çdo qytetar”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se Ushtria është institucioni i fundit që duhet të ketë mangësi në ligj apo edhe kapacitete.

“Raporti jo i drejtë mes Kosovës dhe Serbisë”, sipas Sveçlës, ka bërë që Serbia të ketë mundësi të reagojë ndaj veprimeve për rritjen e sigurisë në Kosovë.

“Kemi nevojë më pak për pjesëtarë të ushtrisë në afërsi të Shqipërisë, Malit të Zi e Maqedonisë, por kemi nevojë më shumë në afërsi të Serbisë, sepse ajo ka aspirata ndaj territorit. Te ne si mendon kështu vijnë kufizimet, qoftë nga faktorë të jashtëm qoftë nga subjektet politike që thonë se janë pjesë e Kosovës e realisht janë adresë e Beogradit, apo vijnë reagime nga Serbia. E pamë reagimin e Serbisë pse presidenti i Kosovës vizitoi veriun. Ne s’kemi reaguar kurrë kur presidenti serb vizitoi Vojvodinën. Kjo ndodh sepse s’kemi raport të drejtë mes Kosovës dhe Serbisë e ky raport po vazhdon të qëndrojë për shkak të politikave ditore të dëmshme të liderëve të Kosovës”, ka shtuar Sveçla.

Sveçla ka folur edhe për kërkesën për zgjedhje të parakohshme. Sipas tij, skandalet e shumta të qeverisë, bllokimi i Kuvendit dhe bojkotimi i tij nga koalicioni qeverisës kanë bërë jetë jonormale të institucioneve. “Gjithçka është mbrapsht dhe ilaçi për këtë janë zgjedhjet e reja”, ka përfunduar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat