Abelard Tahiri ‘kurban’ i Thaçit për ta shantazhuar Haradinajn

Aktuale

Abelard Tahiri ‘kurban’ i Thaçit për ta shantazhuar Haradinajn

Më: 3 tetor 2018 Në ora: 19:54
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj dhe Abelard Tahiri Foto: Abelard Tahiri FB

Drama në Partinë Demokratike të Kosovës mori kthesë krejt tjetër gjatë ditës së djeshme.

Dorëheqja e ofruar nga ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ngriti shumë pikëpyetje në opinionin publik për një çarje të mundshme brenda kësaj partie.

Tahiri që konsiderohet njeri i afërt i ish-kryetarit të PDK-së, tani presidentit të vendit, Hashim Thaçi, kishte dhënë dorëheqje pak ditë pasi që ishte parë me këtë të fundit në veri të Kosovës.

Ditën që Thaçi e vizitoi Ujmanin dhe pikën kufitare në veri, pasardhësi i tij në PDK e goditi përmes një statusi në Facebook duke e quajtur demonstrim të rrejshëm aktin e Thaçit vizitën në liqenin e Ujmanit.

“Një gjë duhet ta ketë të qartë secili: Kosova, sovraniteti i saj, integriteti i saj territorial, kufijtë e saj, veriu i saj, nuk mbrohen me demonstrime të rrejshme patriotike kundër njeri tjetrit”, kishte shkruar Veseli atë ditë në Facebook.

Ky shkrim i Kadri Veselit u pa në opinion si arsye e ofrimit të dorëheqjes së Abelard Tahirit.

Mirëpo gjatë ditës së djeshme, gjërat morën kah tjetër.

Abelard Tahiri dha dorëheqje nga letra e dorëheqjes që ia kishte dërguar shefit të tij në Qeveri, Ramush Haradinajt.

Kadri Veseli njoftoi se nuk do të pranohej kjo dorëheqje.

Analisti Albert Krasniqi i sheh ngjarjet e fundit si të koordinuara nga presidenti Hashim Thaçi, mirëpo qëllimet thotë se janë ende të mjegullta.

“Mundet me qenë përpjekje për të shantazhuar Qeverinë në mënyrë që të përkrahin Presidentin në qëllimet e tij si për dialog ashtu edhe për qëllime të tjetra. Si opsion i dytë mund të jetë një koordinim në mes të Thaçit dhe Veselit për t’i marr Haradinajt postin e Kryeministrit”, tha Krasniqi për KALLXO.com.

Mirëpo është edhe një opsion tjetër sipas Krasniqit të KDI-së. Sipas tij, ngjarjet e fundit mund të lidhen edhe me përpjekjen për të përkrahur një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë, ku pastaj do të kishte bllokadë të institucioneve, meqë KQZ është pa mandat dhe shkuarje në zgjedhje do të prolongohej.

“Ndërsa opsion i tretë, mundet me qenë përpjekje e Thaçit për destabilizim, pasi dorëheqjet e ministrave dhe përkrahja eventuale e një mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë, në kohën kur KQZ nuk është funksionale, do të çonte në bllokim të institucioneve, ndërsa Presidenti do të mbetej i vetmi me mandat legjitim”, tha tutje Krasniqi.

Ndërsa analisti tjetër, Albinot Maloku nuk e sheh si befasi ngjarjet e fundit në PDK.

Sipas tij, fakti se figura të rëndësishme të PDK-së më shumë i kanë shërbyer Thaçit se sa kreut të partisë, Kadri Veselit, ka qenë i ditur.

Për ofrimin e dorëheqjes nga Abelard Tahiri nga Ministra e Drejtësisë, analisti Maloku thotë gjithashtu se ai u përdor nga Hashim Thaçi për t’i “bërë shantazh” kryeministrit Ramush Haradinaj në lidhje me qëndrimin e tij karshi temave të dialogut me Serbinë.

“Në anën tjetër, Hashim Thaçi provoi ta përdor si potencial të tij ministrin Tahiri, se ai edhe Qeverinë mund ta kërcënojë me largim të ministrave për ta frikësuar me lëkundje të pozicionit për kryeministrin Ramush Haradinaj, për shkak të qëndrimeve të Haradinajt për pozicionin ndaj këtyre broçkullave për korrigjim të kufijve që e proklamoi presidenti Hashim Thaçi”, tha Maloku 

Abelard Tahiri që ofroi dorëheqje të hënën, dje u kuptua nga shefi i tij Kadri Veseli se nuk do të pranohet.

E në të gjithë këtë debat, Tahiri nuk u deklarua asnjëherë, përveç një postimit në Facebook gjatë ditës së sotme, që nuk përmendi fare letrën e dorëheqjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat