Rrena e Abelard Tahirit për dorëheqjen e mistershme

Aktuale

Rrena e Abelard Tahirit për dorëheqjen e mistershme

Më: 4 tetor 2018 Në ora: 14:17
Abelard Tahiri

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, të hënën i kishte dorëzuar dorëheqjen e tij Kryeministrit, Ramush Haradinaj.

Kjo erdhi dy ditë pas shoqërimit që Tahiri i kishte bërë Presidentit, Hashim Thaçi në liqenin e Ujmanit.

Në opinion u tha se kjo ishte arsyeja e dorëheqjes së tij, por vet ministri nuk foli at ditë. Tahiri u deklarua një ditë më vonë, pas takimit që pati me shefin e partisë së tij, Kadri Veselin. Por, as kësaj radhe nuk dha detaje.

“Sot deri në fund të orarit të punës do ta bëjë publik qëndrimin apo mos-qëndrimin tim në Qeverinë e Kosovës”, deklaroi ai pas takimit që kishte të martën me shefin e PDK-së, në selinë e kësaj partie.

Por, Tahiri nuk ka komentuar nëse dorëheqja e tij kishte të bënte me shoqërimin që i bëri ai Presidentit Hashim Thaçi në Ujman, duke thënë vetëm se ‘do t’ju njoftoj, do t’ju njoftoj..”.

As pas orarit zyrtar të punës, që është pra 16:00, Tahiri nuk u deklarua.

Por, lajmin se Tahiri do të mbetet ministër e dha mbrëmë shefi i tij, Kadri Veseli.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në një intervistë për, të martën në mbrëmje e konfirmoi se ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, do të vazhdojë të qëndrojë në pozitën e tij.

“Abelard Tahiri si ministër i Drejtësisë ka bërë një punë që tanimë është dëshmuar. Reformat e drejtësisë janë ato që i duhen qytetarëve dhe i duhet Kosovës për proceset euroatlantike. Ka dhënë gatishmëri për të dhënë dorëheqje. Nuk do të japë dorëheqje. Nuk do të pranojmë dorëheqjen. Ai do të vazhdojë punën”, ka thënë Veseli.

Tek të mërkurën pas mesdite, shkruan kallxo, Tahiri ka shkruar në status në Facebook për angazhimin e tij politik, mirëpo nuk ka përmendur fare faktin e dorëheqjes të cilën ia kishte dorëzuar kryeministrit Ramush Haradinaj tri ditë më parë.

“Kryefjala e angazhimit tim politik e institucional është fuqizimi i sundimit të ligjit dhe kontributi për një shtet dhe shoqëri moderne që udhëhiqet nga parimet më të ndritura të demokracisë dhe mundësive e trajtimit të barabartë për të gjithë. Sfidat janë evidente, mirëpo me përkushtim dhe dinamikë të shtuar do të shtojmë edhe rezultatet”, ka shkruar Tahiri.

Por, as në ditën e tretë prej kur ka paraqitur dorëheqjen e tij, ai nuk është deklaruar për arsyet e nuk ka dhënë asnjë shpjegim për media.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat