Kosova shënon 28 -vjetorin e bashkimit të Gjermanisë

Aktuale

Kosova shënon 28 -vjetorin e bashkimit të Gjermanisë

Më: 4 tetor 2018 Në ora: 14:36
Zyrtarë të lartë të institucioneve të Kosovës si dhe pjesëtarë të ambasadës së Gjermanisë

Zyrtarë të lartë të institucioneve të Kosovës si dhe pjesëtarë të ambasadës së Gjermanisë në Kosovë morën pjesë në një ceremoni të organizuar sot për nder të 28 vjetorit të bashkimit të Gjermanisë.

Ky rast shënoi edhe 10 vjetorin e lidhjeve diplomatike në mes të Kosovës dhe Gjermanisë

Ambasadori gjerman në Prishtinë Christian Heldt me këtë rast ka përmendur edhe largimin e KFOR-it gjerman nga Prizreni, pas pothuaj 20 vjet të shërbimit në këtë qytet.

Heldt: Po festojmë edhe 10 vjetorin e marrëdhënieve tona diplomatike

"Siç mund të shihni ne gjithashtu jemi duke festuar edhe 10 vitet e marrëdhënieve tona diplomatike, në vitin e 10-të të pavarësisë së Republikës Kosovës, urime edhe për këtë. Në këtë ditë me theks të veçantë shprehim vlerësimin për shërbimin të pothuajse 20 vjeçar të gati 50 mijë ushtarëve gjermanë në Prizren, ku kampi i Bundeswehr-i vitin e ardhshëm do të kthehet në Parkun Inovativ dhe Trajnues, ITP. Jam veçanërisht i nderuar që ky moment i rëndësishëm marrëdhënieve tona sot shënohet edhe me mysafirë të veçantë nga Berlini, sekretarët tanë të shtetit për mbrojtje dhe bashkëpunim ekonomik, së bashku me anëtarë të Bundestagut dhe mysafirë të tjerë të veçantë nga ushtria gjermane”, tha ambasadori Heldt.

 Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në fjalimin e tij në gjuhën angleze, vlerësoi rolin e shtetit gjerman në shoqërinë kosovare.

Haradinaj: Trupat gjermane bashkë me të tjerët i sollën paqe Kosovës

“Kjo është një nga ditët më të rëndësishme në historinë e re të Evropës, është dita në të cilën i gjithë kontinenti ynë ndryshoi për të mirë, edhe ata që ishin skeptik para 20 vitesh, tani e shikojnë Gjermaninë  me admirim si një nga shtyllat më të forta të Bashkimit Evropian. Trupat gjermanë së bashku me ata amerikanë , britanikë, francezë dhe vendeve të tjera të NATO-s  i sollën paqe Kosovës”, u shpreh ai.

Haradinaj u shpreh se dekada e parë e viteve të 90-ta nuk ishte e lehtë as për Gjermaninë dhe as për Kosovën.

Në emër të qytetarëve të Kosovës, i pari i ekzekutivit ka shprehur  vlerësimin e tij për rolin e gjermanëve në ndërtimin e shtetit të Kosovës duke thënë se nuk ka qytet  ku gjermanët nuk kanë kontribuar dhe se po ashtu nuk ka qytet gjerman ku nuk jetojnë bashkatdhetarë nga Kosova.

Kurse, presidenti Hashim Thaçi tha se Gjermania ka qenë shtëpi e madhe për qindra mijëra shqiptarë të Kosovës në vitet më të rënda të historisë, dhe ata sot janë ura më e mirë që lidh dy shtetet dhe popujt.

Thaçi: Kosova feston bashkimin e Gjermanisë si ditë e zgjerimit të Evropës

“Kosova gjithmonë e feston këtë ditë si ditë e bashkimit, si ditë e zgjerimit të Evropës, të vlerave evropiane, ku Kosova synon, punon dhe do të jetë edhe pjesë e NATO-s, edhe Bashkimit Evropian, edhe organizatës së kombeve të bashkuara, modest por të rëndësishëm të paqes dhe stabilitetit edhe në rajon“, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi ka thënë se për realizimin e qëllimeve të rëndësishme për vendin, Kosova e di që e ka përkrahjen e shtetit mik të Gjermanisë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat