Refroma për Ligjin mbi Shërbimin e Jashtëm, kërkohet depolitizim

Aktuale

Refroma për Ligjin mbi Shërbimin e Jashtëm, kërkohet depolitizim

Më: 5 tetor 2018 Në ora: 12:29
Leonora Kryeziu dhe Fitore Pacolli

Instituti i Prishtinës për Studime Politike ka prezantuar hulumtimin me titull “Hulumtim politikash: Ligji mbi Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës dhe zbatimi i tij”. Përmes këtij publikimi është analizuar Ligji për Shërbimin e Jashtëm në dy nivele: në aspektin përmbajtjesor dhe zbatimin në praktikë.

Aty u tha se politizimi ka luajtur rol në themelimin e misioneve diplomatike të Kosovës, duke u rekomanduar reforma në legjislacion, në politika, reforma në rikonstrukturim të brendshëm të Ministrisë, reforma në sistemin e pagave, si dhe përcaktimi i baras vlefshmërisë së gradave.

Drejtoresha e këtij instituti, Leonora Kryeziu tha se kjo temë është shumë e kritikuar, duke thënë se raporti në fjalë nxjerr në pah sfidat në këtë fushë, pas një hulumtimi 6 mujor.

Kryeziu: Shihet qartë nevoja e një sërë reformash, duke filluar nga ato më urgjente

“Ndonëse i themeluar nga fillimi pa ndonjë përvojë institucionale të mëhershme dhe kapacitete të duhura profesionale, ky shërbim ka krijuar megjithatë një bazë relativisht të mirë ligjore dhe institucionale në ushtrimin e funksionit të tij, në zbatimin e politikës së jashtme të shtetit, marrë këtu parasysh këto rrethana, dhe detyrat komplekse me të cilat është përballë, politika e jashtme, vazhdon të përballet me përpjekjet për tu konsoliduar, krahas konsolidimit të sovranitetit të jashtëm të shëtit të Kosovës. Mund të themi se ky është një vlerësim relativisht objektiv i këtij shërbimi. Mirëpo, nëse analizojmë funksionimin e tij në mënyrë më sistematike dhe gjithëpërfshirëse, në kuadër të detyrave komplekse me të cilat duhet të përballet, shihet qartë nevoja e një sërë reformash, duke filluar nga ato më urgjente, deri tek reformat me perspektivë afat mesme, dhe afatgjate”, tha ajo.

Butrint Berisha nga ky institut prezantoi gjetjet e raportit, duke thënë se kjo punë është bërë me qëllim të përmirësimit të politikave të jashtme, që është integrimi i plotë i Kosovës në bashkësinë evropiane.

Berisha: Nuk ceket që MPJ-ja duhet të bashkëpunojë me institucionet e tjera

“Brenda ligjit ceket se qëllimi i ligjit është  të rregullojë veprimtarinë, organizmin, bashkërendimin, funksionimin e organeve të shërbimit të jashtëm, si dhe statusin e personelit. Sidoqoftë raporti pas analizës gjen se në fakt ligji është më i gjerë dhe ky qëllim siç është tani i hartuar dështon që të kapërthejnë gjithçka ose të gjitha dispozitat ligjore mbi të cilat është i ndërtuar. Për këtë ligji, raporti rekomandon që duhen të shtohen edhe tri pika të tjera brenda qëllimit, ku do të diskutohej ose do cekej se ligji rregullon edhe themelimin, organizimin dhe shuarjen e misioneve, si dhe koordinimin e MPJ-së me institucionet e tjera, që aktualisht nuk është fare pjesë e qëllimit, nuk ceket që MPJ-ja duhet të bashkëpunojë me institucionet e tjera, me Kuvendin, Presidencën,  në implementimin e politikës së jashtme”, tha ai.

Ai shtoi se nuk dihet cilat institucionet duhet ta zbatojnë këtë ligj dhe si. Berisha sugjeroi edhe shkrirjen e disa termeve në një të vetëm, pasi që ka raste kur mund të krijojnë paqartësi.

Berisha: Ligji nuk qartëson hapjen dhe mbylljen e misioneve diplomatike

“Në të njëjtën kohë kur flasim për hapjen, mbylljen dhe riorganizimin e misioneve, aktualisht nuk ka parime ose një proces të vendimmarrjes në ligj, deri tash që 10 vite hapja, mbyllja dhe riorganizimi i misioneve është bërë më shumë në proces të konsultimit të ministrit me presidentin ose të ministrit me departamente politike, por nuk ka pasur, nuk ka qenë e rregulluar ligjërisht qartë parimet dhe procesi i vendimmarrjes brenda ligjit, raporti e gjen këtë pjesë si shumë të rëndësishme, duke qenë se  hapja e misioneve duhet të bazohet mbi parime të qarta për të gjitha dhe jo në mënyrë të ndryshme, duke dalluar nga njëra qeveri në tjetrën”, tha Berisha.

Raporti gjen se një mangësi e madhe është se në procesin e kësaj kornize, misionet janë të përjashtuara, kështu edhe është vështirësuar vlerësimi i punës së misioneve diplomatike.

Valdet Sadiku nga Ministria e Punëve të Jashtme, u shpreh se rekomandimet dhe sygjerimet e marra janë kuptimplota, duke thënë se kritikat e adresuara janë duke u adresuar me seriozitet brenda ministrisë.

Ndër kritikat që Berisha dha ishte se ambasadat dhe konsullatat e përgjithshme Kosova i ka themeluar në qytet të njëjta, gjë e cila nuk praktikohet zakonisht.

Sadiku tha se kjo gjë është si rezultat i specifikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Sadiku: Jemi i vetmi shtet i cili individualisht lufton për njohje individuale prej shteteve

“Kemi mangësi ose rekomandime të cilat kanë ardhur, edhe tash po i përmendi vetëm disa.P.sh. edhe çështja e konsullatave të përgjithshme dhe ambasadave në të njëjtin qytet, edhe kjo shpesh ka ndodhur për shkak të specifikave me të cilat ne funksionojmë, shumica e konsullatave tona të përgjithshme në fakt për kuptimin tonë janë ambasada, kjo është për shkak të përsëri po e them për shkak të specifikave, ne kemi hyrë në një proces nëpër të cilin nuk ka hyrë asnjë shtet në historinë moderne, jam duke folur në plan global.  Jemi i vetmi shtet i cili individualisht lufton për njohje individuale prej shteteve, një që nuk ka ndodhur më herët, të vetmin rast që e kemi pas që është afër Kosovës, po prapë me përmasa dhe dallime shumë të mëdha, është Kroacia e cila ka shkuar me vetëm 22 njohje individuale, ndërkohë që ne kemi arritur në një shifër të konsiderueshme”, tha ai.

Ai tregoi se po punojnë që t’i hapin pesë misione diplomatike të reja.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli e cila foli në cilësinë e anëtares së Komisionit për Punë të jashtme, ka thënë se ky komision veçse ka identifikuar të metat që raporti përmend mbi politikën e jashtme kosovare.

Pacolli tha se shumica e stafit është politik, dhe jo diplomatik.

Pacolli: Problemi qëndron me njerëzit të cilët udhëheqin

“Ne mund të arrijmë ndoshta në një nivel që të krijojmë një ligj, i cili ndoshta i përmbush të gjitha ato ose i përmbledh të gjitha rekomandimet që referohen qoftë nga ky raport, qoftë nga persona të tjerë të cilët kanë qenë të kyçur në proceset e shtet ndërtimit dhe në misionet diplomatike, por problemi qëndron me njerëzit të cilët udhëheqin pra me kokat e misioneve me kokat e ministrisë, ministrin, zëvendësministrin, ambasadorët të cilët emërohen”, tha ajo.

Pacolli si problem kryesor përmendi se Ministria nuk jep informacionet e duhur për hartim të hulumtimeve, dhe përmirësim të ligjeve,  gjë që e quajti si të papranueshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat